Deklarata e Enno Bozdos, i cili tha se rritja e çmimit të energjisë erdhi pas skandalit të faljes së 3 miliardë dollarëve kompanisë CEZ 

 

 

Zëri i mekur i Ministrit të Energjisë dje, paralajmëroi shqiptarët për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ministri përgjenjeshtroi kështu vetveten, koleget e tij në qeveri, madje edhe vete zëvëndëskryeministrin, të cilët prej muajsh kishin siguruar shqiptarët që nuk do të kishte asnjë rritje të çmimit të energjisë. 

Ministri i shkoi kundër edhe vete deputetëve të maxhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, që i kishin kërkuar me të drejtë qeverisë që përpara se të rriste çmimin e energjisë, të përmirësonte më parë ndjeshëm treguesit e kompanisë të shpërndarjes OSHEE (ish CEZ), domethënë të luftonte vjedhjen e energjisë dhe të rriste arketimet. Dhe asnjëra nga këto nuk ka ndodhur.

Dhe s`kish si të ndodhte ndryshe. Rritja e çmimit të energjisë është pasojë e drejtpërdrejtë e megaskandalit të “Aferes CEZ”. Partia Demokratike ka denoncuar prej kohësh këtë megaskandal, sepse:

Nuk do të kishte rritje te çmimit të energjisë në qoftë se CEZ-it nuk do t`i ishin falur 500 milionë euro fatura të papaguara shtetit shqiptar. 

Nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë nëse qeveria shqiptare, të mos kishte rënë dakord të paguante edhe 95 milionë euro të tjera, për të blerë një kompani që ekspertët ndërkombëtare e vlerësuan me vlerë negative në treg. 

Nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë sikur qeveria rilindase, në një rast unikal botëror “bujarie”, të mos kishte hequr dorë nga dëmshpërblimi i 3 miliardë dollar për dëmet që CEZ-i i shkaktoi Shqipërisë.

Sot, faturat e kripura të energjisë janë një peshë e rëndë për buxhetet e varfëra familjare. Faturat janë rritur, jo sepse konsumi energjisë është rritur, por sepse qeveria nuk është e aftë të luftojë vjedhjen e energjisë, e për rrjedhojë i detyron konsumatorët e rregullt e të ndershëm të paguajnë edhe më shumë. Janë rivendosur faturat famëkeqe aforfe, si dhe janë fryrë, me udhëzim nga lart, faturat e energjisë për bizneset. 

Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të bihen dakord me këtë rritje çmimi, sepse qeveria i ka të gjitha instrumentat në dorë për ta shmangur atë. Shqiptarët kanë paguar më parë, në mënyrë që çmimi i energjisë të mos rritet. Afro 600 milionë euro që iu falën me bujari CEZ, do të mjaftonin që çmimi energjisë të mos rritej ndoshta edhe për 10 vitet në vazhdim, sepse kjo shumë, kontribut i të gjithë shqiptarëve, do të investohej në SEL. Por qeveria zgjodhi të paguante CEZ, dhe të rriste çmimin për shqiptarët. 

Si përfundim, qeveria pasi i detyron shqiptarët faktikisht të paguajnë më shumë energji nga sa konsumojnë, nëpërmjet faturave të fryra dhe aforfe, tashmë do t`i detyrojë ata ligjërisht të paguajnë edhe më shtrenjtë nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë.