Anëtarët e Opozitës në Komisionin e Shëndetësisë dhe Cështjeve Sociale mblidhen në selinë e Partisë Demokratike dhe bëjnë oponencë për projektligjet e qeverisë

 

 

Anëtarët e opozitës në Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë dhe Cështjet Sociale, u mblodhën sot në Partinë Demokratike dhe diskutuan mbi projektligjet për Urdhërin e Mjekut dhe Urdhërin e Stomatologut. Kjo ishte mbledhja e parë e komisionit parlamentar të Partisë Demokratike, një praktikë pune që do të vijojë me të gjithë komisionet e tjera dhe me projektligjet dhe cështjet e interesit publik.

Pas mbledhjes, Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, u shpreh për mediat.

“Kjo ishte mbledhja e parë e gjithë anëtarve të Opozitës, të Komisionit për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale. U diskutua mënyra e zhvillimit të punimeve të këtij grupi të Partisë Demokratike për çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. U hartua një kalendar i cili do të ndiqet rigozorisht duke diskutuar çështjet kryesore të gjithë projektligjeve që janë duke u diskutuar momentalisht në Kuvendin e Shqipërisë. Pas miratimit të kalendarit të grupit të punës, u kaluan çështje të ndryshme për diskutimin në parim, të dy projektligjeve, të Urdhrit të Mjekut dhe Urdhrit të Stomatologut dhe në vijim, javën që vjen, do të kemi dhe diskutime të projektligjeve të tjera të ardhura në Komision, përsa i përket Urdhrave të Infermierit, të Farmacistit si dhe projektligjeve të tjera. Sigurisht, u diskutuan çështje të ndryshme të sektorit të shëndetësisë. Shëndetësia, sikurse ju jeni të gjithë në dijeni dhe të gjithë e ndjeni edhe personalisht edhe në familjet tuaja, është në ditën e vet më të zezë, ku qeveria po dëshmon çdo ditë që po kap të gjitha shtyllat kryesore të shëndetësisë, qoftë prokurimet publike, tenderimet e ilaçeve duke kaluar edhe tek, si të thuash, kontrolli i të gjithë urdhrave, të cilat duhet të jenë të pavarura.

Kjo ishte vetëm mbledhja e parë e anëtarëve të Opozitës të Komisionit që unë drejtoj, të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Sigurisht, në kushtet e një vendimi politik të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të bojkotuar Parlamentin momentalisht, kjo për arsye që ne i kemi bërë publike, pra mos respektimit të Kushtetutës, mos respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të dhunimit të deputetëve të Opozitës, të mohimit të fjalës së lirë të Opozitës,  ne do të kemi fjalën tonë, do të bëjmë oponencën në të gjitha hapësirat, qoftë në ambjente të Partisë Demokratike, qoftë në ambjente të tjera, do të vijojmë të bëjmë një oponencë për të gjitha projektligjet, do të themi edhe fjalën tone”, u shpreh Vokshi.