Deklaratë e koordinatores për mediat, Silvi Bardhi
Fakte të reja dalin për abuzime skandaloze me dasmën e Erion Veliajt, ndërkohë që Ministri prej 5 ditësh, hesht, nuk jep asnjë shpjegim.
Media ka zbuluar dokumenta ku del se dasma qeveritare, në letra, rezulton dhe është faturuar si aktivitet kulturor.
Qejfet e Erionit, na qenkan sipas qeverisë, aktivitet kulturor.
Skandali i restaurimit të kalasë së Gjirokastrës enkas për dasmën qeveritare, i mbajtjes atje të traku-festës me fondet publike, në shërbim të dasmës qeveritare, u pasua të nesërmen nga skandali i Pezës.
E njëjta llogjikë. Përcaktohet destinacioni dhe koha e mbajtjes së festës së Pezës, me fondet e Ministrisë, në shërbim të dasmës së Erion Veliajt.
Abuzim i pastër me pushtetin, shërdorim parash, vënia e insfrastrukturës shtetërore në shërbim të interesave personale.
Cfarë duhet të ndodhë më shumë, që Erion Veliaj të përgjigjet.
Kemi sot një ministër të rrethuar nga skandale, të rrethuar nga një përbuzje masive publike, nga miliona të neveritur nga luksi i pafre, dhe nga shpërdorimi i parasë dhe i pushtetit, për një zijafet qeveritar, dhe sërish Erion Veliaj hesht.
Por heshtja nuk do ta shpëtojë atë. Nëse këta nuk kanë turp, në këtë vend ka ligje, para të cilit herët a vonë Ministri do të mbajë përgjegjësi.