Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike. Basha: Kërkesat tona janë të qarta, janë publike. Kryeministri, ka jo një javë, por 8 javë që i bën bisht përgjegjësisë dhe i bën bisht përgjigjes. Jemi ne që presim përgjigje nga ai. Dhe jo e kundërta.
Jam sot para jush për të denoncuar në emër të Partisë Demokratike dhe mbarë të opinionit qytetar dhe shqiptarëve të lirë, një akt të pashembullt mafioz, dekonspirimin nga qeveria e Edi Ramës, e të dhënave dhe identitetin e plotë bashkë me foto të dëshmitarit kyç në procesin më të bujshëm gjyqësor në vend përsa i përket krimit të organizuar, për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.
Në media, në gazeta, në televizion, në rrjetet sociale, sot është publikuar emri, mbiemri dhe foto të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë.
Ky kompromentim i menduar dhe i ekzekutuar me gjakftohtësi nga qeveria, është skandal që kalon përmasat e çdo imagjinate. Edhe në shtetet më të dështuara të botës, edhe në regjimet më të dështuara të botës, dëshmitari i drejtësisë mbrohet.
Rënia e dëshmitarit kyç, në një procesi gjyqësor për vrasjen e një komisari policie, është në fakt rënia përundimtare e shtetit, kapja e tij, dorëzimi i tij në këmbët e mafies së lidhur me politikën.
Edi Rama dhe Ministri i tij i Brendshëm janë personat që kanë urdhëruar nxjerrjen në rrugë, të zbuluar dhe pa mbrojtje, të dëshmitarit të drejtësisë. Edi Rama e ka urdhëruar këtë akt kriminal mafioz për llogari të aleancës së tij politike me mafian në Kuvend.
I bëj thirrje sot Prokurorisë të dëshmojë kurajo dhe të hetojë këtë krim të paprecedent, e të nxjerrë përgjegjësit para ligjit.
I bëj thirrje vendeve mike, përfaqësuesve të tyre që ndjekin dhe kanë ndjekur prej kohësh me shqetësim thellimin e zullumit antidemokratik në Shqipëri, i bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të vëzhgojnë nga afër këtë proces kriminal të rënies së shtetit dhe policisë në duart e mafias së lidhur drejtpërdrejt me pushtetin.
Dorëzimi me duart e veta të dëshmitarit kyç të mbrojtur nga drejtësia, nga Edi Rama, është po kështu dorëzimi i çdo garancie që ka dhe duhet duhet të ofrojë një qeveri për rendin dhe sigurinë, dhe qytetarët e këtij vendi.
Pyetje: A do të pranoni ofertën e Kryeministrit Rama për të bashkëpunuar me maxhorancën?
Basha: Cështja, skandali që denoncojmë sot mendoj se flet vetë. Kemi kërkuar për rikthimin e normalitetit politik në vend, për rikthimin e parlamentarizmit në vend, asgjë më shumë se sa na ofron Kushtetuta e vendit, gjykatat e vendit, standardi i praktikuar tashmë në Shqipëri. Dhe smund të pranojmë asgjë më pak. Kërkohet një ndjesë publike për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, por në veçanti për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe zbatimi i tyre i menjëhershëm pa debat, pa diskutim. Kërkohet një ndjesë publike për përgjegjësitë kryeministrore, për dhunën e organizuar, siç e pa çdo shqiptar në Kuvend nga ai, përmes strukturës së dhunës të sjellë aty nga ai kundër opozitës. Kërkojmë ngritjen e një instrumenti i cili do të nxjerrë jashtë Kuvendit të inkriminuarit, njerëzit e dënuar për trafiqe e vrasje, dhe që do të parandalojë futjen e tyre në Parlament në të ardhmen. Kërkesat tona janë të qarta, janë publike. Kryeministri, ka jo një javë, por 8 javë që i bën bisht përgjegjësisë dhe i bën bisht përgjigjes. Jemi ne që presim përgjigje nga ai. Dhe jo e kundërta.