Partia Demokratike dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pavlefshmëri. Deputeti Ristani flet para medias
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese që ka të bëjë me konstatimin dhe shpalljen të pavlefshme të një pjese të ligjit për Policinë e Shtetit. Ka të bëjë me të ashtuquajturën Byronë e Hetimit. Kjo strukturë, Byroja e hetimit, ngrihet në Ministrinë e Brendshme nga ministri i Brendshëm, pra nga Kryeministri, dhe ka për detyrë të hetojë veprat penale në fushën e korrupsionit. Eshtë një strukturë e cila merr shërbimet ekskluzive të Prokurorisë së Shtetit dhe në këtë mënyrë është konceptuar dhe organizuar. Kjo është një goditje e rëndë, në zemër të sistemit demokratik. Eshtë një goditje e rëndë sepse shkel parimet kryesore kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që kanë të bëjnë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që kanë të bëjnë me ekskluzivitetin e Prokurorisë për zhvillimin e hetimeve në këtë vend. Për ta thënë më thjeshtë, imagjinoni që njerëz të emëruar nga Ministri i Brendshëm pra nga Kryeministri, do të hetojnë korrupsionin në Ministrinë e Brendshme, do të hetojnë korrupsionin në Kryeministri apo në agjensitë afër Kryeministrit. Habi e madhe për të gjithë se si do të hetohet korrupsioni nga të emëruarit e Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit. Eshtë diçka që ne do e ndjekim deri në fund dhe shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të zbatojë ligjin duke e shpallur antikushtetues këtë gjëmë të madhe të këtij pushteti”.