Deputeti Ristani bën 4 pyetje publike për Kryeministrin në lidhje me mbrojtjen e kreut të organizatës kriminale të drogës nga deputetët e shumicës.
Ka një fakt publik sot.
Edi Rama është vënë në mbrojtje të organizatorit të trafikut të drogës nga zona e Vilunit drejt Italisë.
Edi Rama ka ndaluar aksionin e Policisë, ka hedhur poshtë punën e gjatë të shërbimeve shqiptare dhe shteteve fqinje, duke mos lejuar arrestimin e kreut të organizatës mafioze.
Eshtë Edi Rama, sepse ky imunitet që ka krimi sot, buron nga Kryeministri që ka ngritur sistemin e personave të paprekshëm, që i ka dhënë pushtet mbi ligjin disa deputetëve të tij, të cilët në të vërtetë drejtojnë trafikun e paligjshëm.
Kur deputetë të Edi Ramës fusin në makinë, dhe shpëtojnë trafikantin nga aksioni i Policisë, kemi në realitet instalimin e sistemit mafioz. Kemi kapjen e shtetit nga mafia.
Këtë fakt sot e dinë gjithë shqiptarët, të cilët, kanë drejtuar gishtin nga Edi Rama.
Dhe cfarë bën Kryeministri, sulmon opozitën që denoncon rënien e shtetit, vënien e tij në shërbim të krimit.
Këto marifete të ulëta, nuk e nxjerrin në dritë Edi Ramën dhe nuk e shpëtojnë dot nga pyetjet;
Kush janë deputetët që ofrojnë imunitet për kriminelët dhe i shpëtojnë ata nga aksioni i Policisë?
A ka mes tyre, deputet që ndiqet nga organet ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian për vepra të rënda penale?
Cila është marrdhënia që Edi Rama ka me këta deputetë?
Cilat janë interesat që i bëjnë këta deputetë të dalin mbi ligjin, mbi rendin, mbi shtetin?
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 23 Tetor 2014