Propaganda qeveritare nuk mund të zëvendësojë krizën ekonomike që ndjejnë dhe përjetojnë shqiptarët sot.

Kryeministri përsëri u krekos se ekonomia shqiptare po rilind, koncept ky që ndoshta ne e mendojmë ndryshe dhe qytetarët po e provojnë se çfarë do të thotë.

Duke u përpjekur të fshihet pas realitetit të Rënies së Rritjes Ekonomike, z.Rama nuk arrin të dallojë se në tremujorin e parë të këtij viti kërkesa për mallra dhe shërbime në treg ishte përafërsisht 200 milionë dollarë më pak nga sa ekonomia është e aftë të furnizojë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë flasin se hendeku midis prodhimit të mundshëm edhe atij real është thelluar së tepërmi këtë vit, kështu që nuk kemi një rritje natyrale të ekonomisë, por një thellim të krizës.

Qeveria e cila përpiqet të fshihet pas ndonjë të dhëne statistikore që të dalë faqebardhë në sy të publikut, nuk sheh se të ardhurat për 95% të qytetarëve kanë rënë sërish duke i detyruar ata të ulin konsumin ose të rrisin borxhin, edhe atëherë kur bëhet fjalë për konsum në limitet mbijetesës.

Sot një në 3 shqiptar është i zhytur në borxhe për konsumin e përditshëm, dhe ky është një efekt i drejpërdrejtë i paketës fiskale.

Sot, papunësia ka shkuar në nivelin alarmant 17%, kryesisht në sektorët e industrisë e ndërtimit që duhet të ishin shtyllat e ekonomisë.

Kriza, që maskohet si rilindje e ekonomisë, nuk ka prekur vetëm të tashmen por edhe të ardhmen duke qenë se fëmijët që vijnë nga familje që kanë të ardhura poshtë 40% për nga niveli i mirëqenies, kanë shkëputur këtë vit marrëdhënien e tyre me shkollën.

Me sa duket qeveria që premtoi se do të trajtonte në mënyrë të barabartë të gjitha shtresat sociale ka menduar që të kontribuojë në shtresat që e përfaqësojnë atë më së miri në kuvend.

Ne nuk harrojmë se dje në opozitë, Rama e cilësonte krizë të thellë rritjen ekonomike me 3% dhe vlerësimin “BB”, ndërsa sot u dashka të jemi të lumtur dhe optimist kur ekonomia ka rënë me 3 përqind nga premtimi i qeverisë dhe kemi një vlerësim “B+”.

Në vend që ta shohim ekonominë përmes statuseve nga arena e mediave sociale, ne kërkojmë nga qeveria që të ulet e të përpiqet për të nxjerrë nga bataku ku ka futur vendin. Duke i kërkuar që të ulë në mënyrë të menjëhershme taksat dhe të rikthejë një regjim miqësor për bizneset e të përballueshëm nga qytetarët si e vetmja mënyrë për të kaluar këtë emergjencë kombëtare.


Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku,  11 Tetor 2014