Deklaratë e Albana Vokshit: “Si dhunues sistematik i grave, Edi Rama dhunoi dhe dje imazhin e grave dhe vajzave, me një provokim të ulët pa asnjë lidhje me realitetin dramatik të sëmundjes”.
Çdo vit në Shqipëri 250 gra humbin jetën nga kanceri i gjirit. Qeveria nuk ka planifikuar asnjë lekë për kujdesin shëndetësor për gratë. Nga premtimet e gënjeshtërta për shëndetësinë falas, Kryeministri vjen me buxhetin e shtuar të reklamave, duke nxjerrë gratë në dritaret e godinës qeveritare, pak a shumë si një plagjaturë “Red Light” në Amsterdam.
Si dhunues sistematik i grave, Edi Rama dhunoi dhe dje imazhin e grave dhe vajzave, me një provokim të ulët pa asnjë lidhje dhe mesazh me realitetin dramatik të sëmundjes.
Kanceri i gjirit prek cdo vit 500 gra në Shqipëri, një kërcënim serioz për jetën e gjysmës së popullësisë së vendit.
Statistikat rriten, ndërsa shumë gra në pamundësi ekonomike nuk mund të kryejnë vizitën e përvitshme të mamografisë.
Aparaturat e mamografisë mungojnë në shumë qytete të Shqipërisë. Gratë në fshat nuk kanë asnjë mbështetje nga autoritetet shëndetësore për t’iu mundësuar vizitën e mamografisë.
Manipulimi i publikut me mjekësi falas nga Rilindja po sjell pasoja të rënda dhe në trajtimin e tumorit të gjirit. Me avancimin e sëmundjes, grave të prekura nga kanceri i gjirit nuk i’u mundësohet përkujdesje shëndetësore as në periudhën terminale. Madje, nga strukturat kompetente të mjeksisë ka reduktime të ndjeshme të invaliditetit tek pacientët me tumor në gji, një e drejtë kjo e cënuar rëndë jo vetëm nga ana mjekësore por edhe njerëzore.
Fshesa e spastrimeve në administratë ka shënuar dhe raste tragjike të largimit të grave me kimioterapi.
Në pavionin e Onkologjisë mungojnë medikametet dhe njerëzit vdesin në radhë për kimio-terapinë.
Kjo është gjëndja e shëndetësisë, ky është bilanci i Edi Ramës me këtë fenomen tronditës.
Ndaj, është turpëruese kur sheh Kryeministrin e vendit tend që paguan mijëra euro për të dhunuar gruan duke e trajtuar si objekt, në lagjen “kryeministrore”, njëlloj si në Amsterdam, dhe nuk paguan asnjë qindarkë për t’iu mundësuar një jetë dinjitoze grave të prekura nga kanceri i gjirit.
Kjo sjellje fyese e Kryeministrit, është një tjetër dëshmi se ku shkon buxheti për shëndetin e grave.
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 24 Tetor 2014