Zëdhënësja Nebiaj dënon sulmet politike dhe shpreh vullnetin e Partisë Demokratike për transparencë. Kredia e marrë në vitin 2009 u vlerësua nga FMN si arritje e qeverisë dhe shpëtoi financat nga kolapsi

Në kohën kur ekonomia është në rënie dhe gjithë treguesit e saj janë përkeqësuar, qeveria nuk merr asnjë masë, por zgjedh të sulmojë opozitën.

Në vend se të rishohë politikën me taksat, të mos i rrisë, por t’i reduktojë ato, në vend se të heqë dorë nga asfiksia që po i bën biznesit, qeveria zgjedh të sulmojë opozitën.

Qeveria zgjedh të sulmojë opozitën, me një shpresë të dëshpëruar se do të largojë vemendjen nga kriza e thellë që ka mbuluar vendin, nga largimi i përditshëm i investitorëve.

Por akuzat politike ndaj kundërshtarit, nuk e zgjidh problemin që kanë sot pensionistët e Shqipërisë të cilët po paralizohen nga rritja e cmimit të energjisë.

Këto akuza nuk hapin asnjë perspektivë për rininë e vendit, të lënë krejtësisht pas dore nga qeveria.

Kredia e marrë në vitin 2009 është vlerësuar në atë kohë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si arritje e qeverisë shqiptare. Kredia parandaloi rënien e financave të vendit në kolaps. Dhe me përmirësimin e kushteve në tregjet financiare botërore, kjo kredi u zëvendësua me një kredi shumë më të lirë pa u mbushur viti.

Akuzat politike për kundërshtarin, nuk janë zgjidhje për papunësinë në rritje, për rritjen e cmimeve, për rënien kritike të forcës blerëse, për mungesën e investimeve në vend, për moshapjen e asnjë vendi të ri të punës, për mungesën e besimit tek e ardhmja.

Akuzat politike për kundërshtarin shprehin verbërinë e qeverisë, dhe largimin e saj përfundimtar nga realiteti i dhimshëm i nevojave urgjente që kanë qytetarët e vendit.

Partia Demokratike është e hapur për cdo hetim dhe fton organet kompetenete të bëjnë transparencë deri në fund.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 16 Tetor 2014