Deputeti Bumçi dënon aktet e dhunës dhe shprehjet ksenofobe anti-shqiptare. Beogradi të distancohet e të japë mesazhet e fqinjësisë së mirë

Ndeshja e futbollit mes kombëtares tonë dhe asaj serbe mbrëmë në Beograd ishte një rast i humbur nga fqinji ynë për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës.

Po ashtu, një rast i humbur për të dëshmuar vizion europian dhe vullnet për të ecur përpara.

Që në nisje, u tregua mosrespekt për himin tonë kombëtar nga tifozeria serbe, u mbajtën kore raciste, dhe u manifestuan akte dhune ndaj përfaqësueses shqiptare.

Eshtë për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arene të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve anti-shqiptare.

Partia Demokratike e dënon dhunën e ushtruar dje në stadiumin e Beogradit ndaj lojtarëve tanë të kombëtares.

Ne i kërkojmë autoriteteve serbe të hetojnë rastet e agresionit në kundërshtim me rregullat e UEFA-s, dhe të vënë para ligjit përgjegjësit.

I kërkojmë Beogradit të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje, dhe të japë sot mesazhet e duhura për bashkëpunim, për fqinjësi të mirë, e për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian.

Ndërkohë, Partia Demokratike përgëzon lojtarët tanë të kombëtares, që shkuan në Beograd për të luajtur futboll, dhe ia dolën të mbrojnë deri në fund jo vetëm vlerat sportive, por dhe simbolin kombëtar.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, 15 Tetor 2014