Deputeti Halimi vlerëson nismën e Presidentit për tryezë. “Reforma duhet të garantojë rrugën europiane. Jo në korsinë e emergjencës, siç është kryeministri, që kërkon ti bëjë ndërhyrjet sot, t’i botojë sot, të hyjnë në fuqi natën, t’i shkarkojë gjyqtarët sot, t’i vendosë njerëzit e tij sot”.
Halimi: Në përgjigje të interesit të mediave për reformën në drejtësi, për tryezën për reformën në drejtësi e cila do të mbahet ditën e hënë, e thirrur nga Presidenti i Republikës, po bëj me dije se opozita do të jetë e pranishme dhe përshëndet këtë tryezë duke e konsideruar si formatin e duhur për mënyrën se si duhet të hartohet një strategji për një reformë në drejtësi, për të arritur në ato pritshmëri që ka publiku për një sistem gjyqësor të pavarur nga politika, të përgjegjshëm para ligjit, dhe jo të korruptuar. Sigurisht efiçent dhe sa më transparent. Këto janë çështje shumë të rëndësishme në të cilat duhet të ecë reforma në drejtësi dhe opozita gjykon se formati i tryezës së thirrur nga Presidenti plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Europian dhe nga parnerët ndërkombëtarë, për një reformë në drejtësi e cila të jetë gjithëpërfshirëse, konsensuale dhe të garantojë kornizën europiane në të cilën duhet të ecë reforma. Pra ky është një format i duhur dhe ne kemi besimin se nën udhëheqjen e eksperizës ndërkombëtare kjo reformë mund të ecë përpara, mund të vazhdojë në progresin e saj, sigurisht duke mbajtur të paprekur pavarësinë e sistemit gjyqësor nga politika, jo nga ligji. Nëse reforma do të bëhet në Parlament siç edhe u nis keq nga qeveria, me paketën personale të drejtësisë, ajo precipiton as më shumë dhe as më pak, por vetëm në zëvëndësimin e disa njerëzve për të kapur sistemin e drejtësisë. Për të kapur politikisht drejtimin e sistemit të drejtësisë.
Pyetje: Cili duhet të jetë formati sipas jush i reformës në drejtësisë?
Halimi: Formati ku duhet të ecë reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirja. Dhe kjo përfshin të parët aktorët e drejtësisë. Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se reforma nuk mund të jetë e sukseshme në qoftëse nëse nuk marrin pjesë të gjitha palët. Dhe palët nuk duhet të kuptohen vetëm palët politike, opozita dhe qeveria, gjithpërfshirje do të thotë të marrin pjesë së pari aktorët e sistemit të drejtësisë; prokurorët, gjyqtarët, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, avokatët, noterët, të gjithë. Ky është koncepti i gjithëpërfshirjes. Pra duhet të marrim të gjitha palët, jo vetëm ato politike. Duhet ta marrin të gjitha palët. Palët politike po e po, por jo vetëm palët politike. Nuk mund të jetë vetëm një konsensus mes palëve politike, por duhet të jenë para së gjithash e mbi të gjitha, me aktorët e sistemit të drejtësisë. Duhet të jetë konsensuale dhe kur themi konsensuale është shumë e rëndësishme sepse reforma në drejtësi duhet të jetë jetëgjatë. Çfarë kuptimi ka nëse një reformë bëhet sot dhe do të jetë vetëm për një mandat qeverisës, ndërkohë qeveria e nesërme do t’i zhbëjë. Ndaj kur Bashkimi Europian kërkon që reforma në drejtësi duhet të jetë konsensuale, sigurisht i mëshon faktit që këto reforma duhet të jenë jetëgjata përtej mandatit në qeverisje. Duhet të jetë gjithpërfshirëse, konsensuale, por duhet të jetë nën udhëheqjen e ekspertëve ndërkombëtarë të BE-së. Përse duhet të jetë nën udhëheqjen e ekspertëve ndërkombëtarë? Sepse ekspertët ndërkombëtarë duhet të përcaktojnë kornizën europiane ku duhet të ecë reforma. Kornizë e cila nuk duhet të shkelet nga qeveria. Duhet të garantojë rrugën europiane, të mos ecim në korsinë e emergjencës, siç është kryeministri kur thotë korsi emergjence për reformën në administratë, korsi emergjence për drejtësinë. Duhet t’i bëjë sot, duhet t’i botojë sot, natën, të hyjnë në fuqi, t’i shkarkojë sot, t’i vendosë njerëzit e tij sot.
Pyetje: Ju keni një sërë kushtesh të tjera. Do të ktheheni në Parlament qoftë vetëm për reformën në drejtësi apo vetëm me ato kushte?
Halimi: Ne gjykojmë që reforma në drejtësi duhet të bëhet në tryeza publike me gjithpërfshirje. Ajo që do të diskutohet është hartimi i një dokumenti strategjik. Ju nuk keni parë ndonjë dokument strategjik të qeverisë, ka kaluar një vit. Ju nuk keni një dokument strategjik të qeverisë për reformën në drejtësi. E vetmja strategji që paraqet kryeministri me paketën e verës, ishte, të heqim anëtarët e KLD-së, t’i zëvendësoj me njerëzit e mi, për t’u rilindur, për t’u rikthyer në modelin e vitit 2005. Ju kujtohet, në drejtimin e të gjithë gjykatave ishin ministrat e drejtësisë, zv/ministrat e drejtësisë, anëtarë të gjykatave të larta dhe të gjykatave kushtetuese, ishin deputetë të Partisë Socialiste. Kjo Parti Socialiste ishte edhe atëherë. Ky model qeveritar që ne e bëjmë reformën në drejtësi vetëm kur ta kemi nën kontroll, nuk është kushtetues, nuk është europian dhe është i papranueshëm për opozitën. Ndaj, këto tryeza janë të rëndësishme sepse duhet të përcaktojnë pikat e përbashkëta ku bien dakort të gjitha palët. Nuk bëhet fjalë vetëm për forcat politike por bëhet fjalë para së gjithash dhe mbi të gjitha për aktorët e sistemit të drejtësisë.
Pyetje: A do të shkoni me propozime?
Halimi: Patjetër që do të shkojmë me propozime konkrete. Do të jenë sipas axhendës së shpërndarë nga Presidenti, do të jetë një paraqitje nga kryetarët e forcave politike dhe aktorëve të sistemit të drejtësisë dhe më pas do të vazhdojmë me panelet, panele të cilat do të përbëhen nga ekspertë dhe sigurisht që në këto panele ku do të jenë deputetë të opozitës, do të paraqesim pikat tona se si ne shohim një drejtësi e cila të jetë e pavarur nga politika së pari, sepse për ne, armiku kryesor që kanos sistemin e drejtësisë është kapja politike dhe pastaj korrupsioni dhe me rradhë. Të gjitha këto pika do të shpalosen në tryezën e ditës së hënë e cila shpresoj që të arrijë në ato pritshmëri që ka edhe BE, në rrugën europiane të Shqipërisë.