Deputeti Halimi denoncon aktin e fundit të dyshes Rama – Meta. Delegacionet e përhershme pasqyrojnë sipas Kushtetutës e Rregullores së Kuvendit, përbërjen e Parlamentit
Edi Rama dhe Ilir Meta dëshmuan sërish se arroganca me Kushtetutën dhe drejtimin e parlamentit janë projekti i tyre për eleminimin e hapësirave parlamentare për opoziten dhe shndrrimin e parlamentit në një oborr personal.
Përjashtimi i Partisë Demokratike nga delegacioni i përhershëm në Unionin Parlamentar Botëror, vërtetoi skenarin autoritarist të dyshes Rama-Meta për ta kthyer Parlamentin edhe zyrtarisht në një sistem oligarkik, ku zëri i opozitës nuk duhet të dëgjohet, ku opozita nuk duhet te përfaqësohet.
Ky skenar nisi me zhdukjen e konsensusit politik, me blerjen e dy deputetëve për të arritur shumicën arbitrare, u zhvillua më tej me arrogancën ndaj cdo propozimi të Partisë Demokratike, u konsolidua me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që i jepin të drejtë pakicës të hetonte qeverinë, dhe kulmoi me instalimin e skuadrave të dhunës për ti mbyllur gojën opozitës.
Vetëm një ditë pasi Bashkimi Europian, me instrumentin e tij më të rëndësishëm, raportin vjetor, i kërkon mazhorancës të instalojë dialogun e të krijojë kushtet që opozita të ushtrojë të drejtat e saj kushtetues, Ilir Meta dhe Edi Rama përjashtojnë Partinë Demokratike nga delegacioni i përhershëm në një prej institucioneve më të rëndësishme sic është Unioni Parlamentar Botëror.
E bëjnë këtë, në kundërshtim të hapur dhe injorim të Kushtetutes së vendit, e cila në nenin 75 pika 2, e detyron dyshen Rama Meta, të zbatojnë Rregulloren e Kuvendit, gërmë më gërmë e pikë për pikë. E bëjnë si gjithmonë me arrogancë duke shkelur në mënyrë flagrante atë që Kushtetuta u kërkon të respektojnë, Rregulloren e Kuvendit e cila në nenin 7, pika 3, e detyron kryetarin e Kuvendit që në përbërje të delegacioneve të pasqyrojnë përbërjen politike të Kuvendit. Përbërje e cila vjen nga vullneti i të përfaqësuarve, vullneti i sovranit.
Përbërje e delegacionit sipas Kushtetutes do të thotë hapësirë kushtetuese për opozitën e vendit. Këtë thotë qartë dhe troc Kushtetuta e Republikes, këtë e thotë qartë dhe troc Regullorja e Kuvendit, e zeza mbi të bardhë.
Por te jesh autoritarist dhe arrogant me Kushtetuten dhe ligjin, të kthesh parlamentin në një ambjent monopartiak, dhe monist në cdo drejtim, ku të gjithë lavdërojnë partinë e qeverinë, e thurin ditirambe për udhëheqësit, tërësisht të shkëputur nga realiteti, duke shkelur Ligjin Themelor, dhe eleminuar hapësirat demokratike të opozites, është të rrisësh akoma më shumë distancën nga rruga europiane dhe ta drejtosh vendin në rrugën e oligarkisë orientale dhe diktatorëve dritëshkurtër.
Ajo që pretendon Kryetari i Godinës së Kuvendit, është mjerane, pasi opozita ka refuzuar të jetë pjesë e qokave të Metës, ka refuzuar të shërbejë propagandën e tij për t’u dukur tek të huajt ai që në të vërtetë nuk është. Shpura që kërkon të ketë me vete Meta është një klonim artificial që nuk përfaqëson përbërjen politike sipas sovranit dhe Kushtetutës, por përfaqëson vetëm dhe vetëm propagandën që nuk e blen më askush.
Ta bëjmë të qartë për cdo shqiptar, se ajo që denoncon opozita, është përjashtimi anti-kushtetues, jo si lëshim i Ilir Metës e Edi Ramës, por si një e drejtë Kushtetuese që i takon opozitës së vendit, si e drejtë e cdo opozite në cdo vend demokratik dhe europian.
Por me këtë akt, antikushtetues, antieuropian dhe të paprecendent në këto 23 vite demokraci, Ilir Meta dhe Edi Rama po thellojnë arbitraritetin e pushtetit të tyre oligarkik, por harrojnë se sa të pabesueshëm dhe po aq qesharake janë bërë në sytë e cdo shqiptari, në sytë e cdo partneri.
Shihni se si është kthyer e enjtja e parlamentit, një prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re.
Ndaj në emer të Partisë Demokratike i bëjme thirrje dyshes Rama-Meta të heqin dorë nga shkelja me arrogancë e Kushtetutës së vendit, të dëgjojnë Brukselin që foli qartë, dhe ti japin opozitës atë që i takon: hapësirën kushtetuese parlamentare.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 12 Tetor 2014