Deklaratë e Enno Bozdos mbi vendimin e fundit të qeverisë, që prek shumicën e qytetarëve që konsumojnë deri në 300 kw orë në muaj

Ministri Financave deklaroi dje nga Uashingtoni se çmimi i energjisë do të rritet.

Fasha mbrojtëse deri në 300 kw/orë në muaj për shtresat në nevojë do të hiqet, dhe cmimi i aplikuar me pas do të jetë një çmim i mesatarizuar. Sot shumica e popullsisë shpenzon deri në 300 kw/orë në muaj.

Në praktike, kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët do të paguajnë më shumë, e në veçanti do të paguajnë ata konsumatorë që shpenzojnë deri në 300 KW. Praktikisht, këta konsumatorë janë shtresat më të varfra e në nevojë të popullsisë, janë pensionistet, të papunët, gratë kryefamiljare, studentet dhe familjet e reja, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar. Pra, do të goditen rëndë të varfrit dhe ata me të ardhura të pakta.

Ministri i Financave nuk pati guximin ta deklaronte këtë gjë në Tiranë. Ai zgjodhi Washingtonin sepse kryeministri por edhe ministrat i kishin garantuar shqiptaret në Tiranë, se cmimi energjise nuk do të rritej. Shqiptaret morën sigurinë e plotë nga Rama se energjia nuk do të preket. Shqiptarët madje morën premtimin nga Rama, para zgjedhjeve, se cmimi energjisë do të ulej ndjeshem. Sot, pas një viti qeverisjeje, Rilindasit bënë pikërisht të kundërtën, rritën cmimin e energjisë.

Opozita e ka paralajmeruar prej kohësh këtë skenar. E kemi paralajmëruar kur kemi denoncuar megaskandalin e “Aferes CEZ”, ku qeveria Rama fali 500 milionë euro fatura të papaguara, madje i dhuroi atyre edhe 95 milionë euro të tjera. Pa llogaritur këtu faktin se qeveria hoqi dorë nga 3 miliardë USD dëme, që kompania i ka shkaktuar shtetit shqiptar.

Sikur kjo aferë e Edi Ramës të mos kishte ndodhur, rritja e çmimit nuk do të ishte e nevojshme, sepse këto para të falura nga qeveria, do të investoheshin në infrastrukture për ta bërë të mundur permirësimin e treguesve të kompanisë së shpërndarjes.

Fakti është se Rama në opozitë premtoi ulje të cmimit të energjise, ndërsa sot pasi i ka falur CEZ-it 600 milionë euro, ua faturon këtë gjë familjeve shqiptarë, e vecanerisht të varfërve dhe shtresave në nevojë. Rritja e çmimit të energjisë do të jetë gjithashtu goditje e rëndë edhe për ekonominë, veçanërisht në këtë recesion që e ka mbërthyer atë.

Ne i kërkojmë maxhorancës të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin, sepse shqiptarët nuk duhet të paguajnë një rritje cmimi për të cilin ata kanë paguar tashmë; sepse gjysma e energjisë në rrjet vidhet dhe për këtë nuk ka përse të penalizohen pikërisht qytetarët korrekt dhe të ndërgjegjshëm.


Deklaratë e Enno Bozdos, 12 Tetor 2014