Deputeti Luciano Boçi denoncon prishjen selektive të ndërtimeve dhe paraqet raste konkrete te favorizimit të klientelës qeveritare
Edi Rama po dëshmon cdo ditë se qytetarët e vendit nuk janë të barabartë para ligjit.
Ligji nuk vepron njësoj dhe zbatohet sipas dëshirave, interesave dhe lidhjeve që kanë njerëzit me Kryeministrin.
Prishjet selektive të ndërtimeve, shembja e pasurisë, e mundit e djersës, e bukës së gojës për disa, me një të rënë të lapsit, dhe lejimi për miqtë e qeverisë po ndodhin ditën për diell në sytë e të gjithë qytetarëve.
Po i tregojmë sot publikut tre raste tipike të bujarisë së Kryeministrit, ku ligjin e bën Maliqi.
Në këtë foto, dallojmë një lokal përballë Inxhinierisë së Ndërtimit, që i ka mbijetuar shembjes. Të gjithë godinat e tjera janë rrafshuar. Vetëm kjo ka mbetur. Qytetarët janë dëshmitarë të dy standarteve të Edi Ramës.
Kjo shtesa këtu, përballë Maternitetit të Ri, është pa leje, dhe ka zënë hapësirë publike. Nuk është shembur sepse pronari i saj është i lidhur me Edi Ramën dhe ligji nuk bën më efekt.
Ky lokali këtu po hedh shtat në një zonë të qytetit të Shkodrës, ku nuk është ndërtuar asnjëherë. Po lejohet sepse është marrë në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës, mik me Edi Ramën.
Ka me dhjetra e qindra raste të tjera në Shqipëri, të lejimit të ndërtimit pa leje, të moszbatimit të ligjit njësoj për të gjithë.
Qytetarët janë të revoltuar nga trajtimi preferencial që bën Edi Rama.
Partia Demokratike i fton qytetarët të protestojnë dhe të kundërshtojnë me cdo mjet aktet e bandës së zuzareve, që u heqin bukën e gojës të pamundurve, dhe lënë pas gërmadha me urdhërin e Kryeministrit, dhe po me urdhërin e tij lejojnë sarajet e miqve në mes të qytetit, në bregdet e kudo.
Partia Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve për të ndalur këtë dhunë mafioze të kapobandës Kryeministër, i cili po shkel me këmbë mundin e djersën e shqiptarëve, në kohën kur papunësia është rritur, taksat janë rritur, cmimet janë rritur, dhe varfëria ka pllakosur vendin.
Ky është Edi Rama dhe standardet e tij. Nëse je kriminel të mbron e të bën deputet, nëse ke një dyqan që mban familjen, të hedh në rrugë.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 23 Tetor 2014