Deputeti Bogdani denoncon paaftësinë e Kryeministrit për të lobuar. Ndërkohë që shteti serb ishte vënë në lëvizje, Edi Rama shkruan statuse, harxhon miliona për lobistë personalë, dhe ka prioritet vizitën në Beograd.

Kryeministri shqiptar shpenzon miliona dollarë për lobizëm personal, miliona lekë për udhëtime turistike në SHBA, u jep qindra mijë euro miqve të vet pronarë mediash për organizime konferencash, por nuk gjen asnjë minutë kohë e asnjë qindarkë për të lobuar për Shqipërinë e kombëtarën tonë për vendimin në UEFA.

Ndërkohë, kryeministri serb u telefonoi të gjitha kancelarive dhe homologëve të vet për të lobuar, për t’u shpjeguar çfarë ndodhi dhe duke luajtur rolin e viktimës. Ndërsa kryeministri ynë tentoi të hiqej më europian se europianët, duke insistuar të zhvillojë vizitën në Beograd, aty ku u fishkëllye himni ynë kombëtar, aty ku u kënduan kore ‘vritini shqiptarët’, aty ku heronjtë e kombëtares u dhunuan në mes të fushës.

Ndërkohë që makineria e diplomacisë serbe u vu në lëvizje menjëherë dhe mbyti mediat ndërkombëtare me shtrembim faktesh, kryeministri ynë u mjaftua me disa statuse në facebook dhe disa cicërima në twitter.

Kjo padrejtësi e vendimit të UEFA vjen jo vetëm si rrjedhojë e lobimit serb, por edhe si mungesë e angazhimit të shtetit tonë. Ky  absurditet vendos shenjën e barazimit mes mllefit, racizmit dhe dhunës serbe dhe heronjve të kombëtares sonë.

Ky vendim vlerëson dhunën dhe racizmin, por vlerëson edhe qendrimin e Ramës që inisistoi për vizitën në Beograd dhe nuk e denoncoi fuqishëm atë akt të shëmtuar, sikur të mos kish ndodhur asgjë, e sikur të kishte barazi mes palëve. Ndaj edhe UEFA e kishte të lehtë të vendoste barazinë.

Duhet që këto ditë deri në shqyrtimin në apel, Kryeministri dhe diplomacia shqiptare ta marrin seriozisht çështjen e të lobojnë të paktën sa homologët e tyre serbë. Të bëjnë të pakten sa 1 e milionëta e asaj që bënë lojtarët tanë në fushë.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, 24 Tetor 2014