Deklaratë e Grida Dumës mbi shkeljet ligjore dhe skemën e ngritur nga Ministri Veliaj për të përfituar nga paratë e taksapaguesve
Afera 394 milionë lekëshe për interesat e qeveritarëve është një dëshmi tronditëse e trajtimit të financave të shtetit si fond privat, e injorimit total të ligjit dhe procedurës.
Paratë i jepen përfaqësuesit të Ministrit Veliaj, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë, cka do të thotë shpenzohet i gjithë fondi limit. Nuk kursehet asgjë nga taksat e qytetarëve.
Paratë i jepen klientelës qeveritare në shkelje të ligjit, pasi shoqëria nuk plotëson kushtet kryesore teknike. Kompania 8 mujoreshe e Veliajt nuk paraqet dot as bilancin e vitit të shkuar dhe nuk e ka as në objektin e saj dekorimin e qytetit.
E gjitha kjo bëhet pa asnjë droje, as nga ana formale, përfituesi nuk bën kujdes të fshehë adresën e zyrës, që është i njëjti apartament me kompaninë e vëllait të Erion Veliajt.
Po një analizë e kujdeshme, të con në përfundimin se kemi të bëjmë me një mekanizëm të ngritur enkas për të përfituar, për t’u pasuruar shpejt e shpejt.
Personi që zyrtarisht administron EAG, nuk është rastësisht aty, por pjesë e kalkulimeve të ftoha. Ka qënë aktiv në fushatën e zgjedhjeve të Partisë Socialiste, ka punuar në Kryeministri në ngritjen e websiteve.
Ka kaluar provat e besnikërisë ndaj ai përdoret për tenderin 394 milionë lekë me një firmë që ka vetëm 8 muaj e krijuar. Dhe për shërbimet e ofruara, përfaqësuesi i Veliajt ka marrë bekimin për të qënë edhe kandidat për AMA-n.
Ndërsa vendi është në terror burgosje për dëme dhjetëmijë lekëshe, një kompani e Veliajt merr 394 milion me një dorë për zbukurime. Ja për cfarë përdoren taksat e shqiptarëve, për pasurim dhe për karrierë, nën drejtimin e Ministrit, me mbrojtjen e Kryeministrit.
Ky është pushteti dhe interesat që ndjek kasta e Ramës, teksa vendi është zhytur në varfëri, papunësia ka arritur kulmin, cmimet janë rritur, taksat shtohen, dhe e ardhmja me këtë qeveri është e errët e pashpresë.