Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot 24 kordinatorë kombëtarë, për cështje të caktuara të programit dhe veprimtarisë politike të Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar këtë si tregues të ribashkimit, hapjes dhe përtëritjes, z.Basha tha se kordinatorët janë një pasuri e madhe për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, janë përfaqësues të shquar të një brezi të ri që është fytyra, shpirti dhe mendja e Shqipërisë së re, e ardhmja e saj e re dhe e sigurt.
“E gjithë kjo është ndërkohë- nuk ka përse të mos e them- një shprehje e distancimit tonë pa kompromis, kundër promovimit nga shumica Rama-Meta në politikë, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën shteterore të injorancës më të paimagjinueshme për kohën që jetojmë, të spekullantëve që kanë blerë diploma për të përfituar poste drejtuese, të individëve me rekorde kriminale që pasi kanë dalë nga burgu apo vazhdojnë të jenë të skeduar nga policia si trafikantë dhe kontigjentë të krimit, kanë marrë detyra me peshë në gjithë piramidën e qeverisjes aktuale”, u shpreh Basha duke shtuar se kordinatorët e rinj me kualifikimin e tyre ata janë një fuqi e shtuar e forumeve të Partisë Demokratike, fuqi e dijes, fuqi e mendimit, fuqi e ekpertizës, fuqi e këshillimit, fuqi e veprimit politik.
Më poshtë fjala e Kryetarit Basha:
Mirdita, mirë se keni ardhur
Së pari dua të përshëndes gjithë të pranishmit këtu, të ftuarit e veçantë, përfaqësuesit e mediave Shqiptare, drejtuesit, krye redaktorët, gazetarët politikë, komentatorët, analistët, të gjithë qatetarët që na ndjekin përmes ekranit, dhe shpreh kënaqësinë time për rastin që na ka mbledhur: Prezantimin publik të një numër kordinatorësh kombëtarë për çështje të caktuara të programit dhe aktivitetit politik të Partisë Demokratike.
Para se të ndjekim së bashku një prezantim të tyre, më lejoni të pohoj me gëzim të madh se ky i sotmi është një tregues tjetër për ne si forcë politike se ribashkimi, hapja dhe ripërtëritja kanë bërë që në Partinë Demokratike të vërshojnë dhjetra dhe qindra intelektualë, njerëz të spikatur të moshave të reja, por jo vetëm, vajza dhe djem, burra, gra, të shkolluar, të diplomuar dhe të doktoruar me rezulate të shkëlqyera në Universitete me emër jashtë vendit dhe brenda vendit, të sprovuar si profesionistë të aftë në fushat e tyre përkatëse dhe të vendosur për t’i vënë njohuritë dhe aftësitë e tyre, përvojën e tyre, në shërbim të vendit përmes angazhimit politik në Partinë Demokratike.
Këta janë një pasuri e madhe për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Janë përfaqësues të shquar të një brezi të ri që është fytyra, shpirti dhe mendja e Shqipërisë së re, e ardhmja e saj e re, e sigurtë dhe Europiane.
Shqipëria u hap para dy dekadash. Rrugët u hapën, shkollat dhe universitetet u hapën, familjet shqiptare në tërësi e ngritën dijen në katedrën më të lartë të vlerave, duke sakrifikuar jo pak, duke sakrifikuar shumë për shkollimin e bijve dhe bijave të tyre.
Në historinë tonë 23 vjeçare të hapjes, investimi pa kursyer asgjë në shkollimin, në lartësimin e dijes brenda familjes shqiptare është një ndër aktet më madhështor dhe frymëzues, që nderon familjen dhe shoqërinë tonë, që duhet të vlerësohet dhe refleketohet siç e meriton, përmes njohjes së meritës dhe aplikimit të njohjes së meritës, apo siç quhet ndryshe meritokracisë në qeverisje, në drejtim, në eskpertizë, në ligjvënie, dhe në forumet partiake të të gjitha partive politike.
Shqipëria e re, Shqipëria demokratike e ka gjeneratën e Nisjes së re. Më të mirët në formim dhe në virtyte janë fati i saj.
Nga kjo elitë kanë dalë në të gjithë vendin shumë individë që kanë konkuruar për t’u zgjedhur në forumet e Partisë Demokratike, në kuvendet e degëve dhe në Kuvendin Kombëtar.
Disa kanë fituar, disa nuk kanë fituar, siç është në logjikën e garave të hapura, por nuk ka dyshim se në pikamje të angazhimit ata janë gjithmonë të fituar. Të gjithë gëzojnë respektin dhe mirënjohjen tonë, respektin dhe mirënjohjen time të thellë si Kryetar i Partisë Demokratike.
Pikërisht nga ky grup janë përzgjedhur kordinatorët që prezantoj sot. Me kualifikimin e tyre ata janë një fuqi e shtuar e forumeve të Partisë Demokratike, fuqi e dijes, fuqi e mendimit, fuqi e ekpertizës, e konsultimit, fuqi e aksionit tonë politik.
Janë një pasuri e shtuar e burimeve njerëzore të partisë, e drejtuesve dhe të zgjedhurve, një vlerë e shtuar e alternativës tonë për përgatitjen e së cilës këta koordinatorë do të japin kontributin e tyre të çmuar.
Unë dua të vlerësoj dhe t’i përgëzoj nga zemra të gjithë ata për rezultatet e arritura, rezultatet e larta akademike për masterat dhe doktoraturat e spikatura, për sukseset e derisotme në karrierën profesionale. Dua t’i falenderoj që kanë zgjedhur dhe kanë vendosur të kontribuojnë në Partinë Demokratike sot në opozitë dhe përmes Partisë Demokratike, nesër në qeverisjen e vendit.
Në vijim të përvojave më pozitive që ne kemi përjetuar si forcë politike, duam dhe jemi të vendosur të afrojmë dhe angazhojmë në Partinë Demokratike sa më shumë të rinj e të reja, intelektualë, ekspertë dhe specialistë të aftë e të përgatitur për të çuar përpara kauzën e demokracisë, zhvillimit, përparimit, dhe integrimit Europian të vendit.
Duam të bëjmë gjithçka. Gjithçka që varet nga ne për të realizuar një ndryshim themelor pozitiv në kulturën politike të vendit, duke promovuar pozitivitet dhe kulturë të bashkejetesës demokratike që mbështetet në pasurimin e zgjidhjeve dhe alternativave, në debatin e tyre të civilizuar, në respektimin e programeve të votuara dhe në zbatimin e tyre, dhe mbi të gjitha në sundimin e ligjit, në shtetin ligjor.
Si rregull, në botën e civilizuar Perëndimore, ku ka zgjidhje dhe punë konkrete ka më shumë debat të shendoshë dhe mirëkuptim, ndërsa ku nuk ka zgjidhje, por vetëm fjalë dhe propagandë ka fukarallëk dhe konflikt.
Partia Demokratike është e vendosur tu garantojë të gjithë hapësirën dhe mbështjejen çdo qytetari, njerëzve që prodhojnë dhe propozojnë ide dhe zgjidhje, që dinë ti vënë ato në jetë dhe në zbatim. Ne duam të sendërtojmë me veprime konkrete parimin e vyer të partive të familjes tonë, të partive popullore se mendja, ekspertiza dhe talenti janë pronë sa e individit aq edhe e shoqërisë. Pasuri sa e individit aq edhe e kombit.
Duam të japim mesazhin dhe shembullin, siç po japim sot, se propozimi ynë për qytetarët shqiptarë janë këto vlera, janë në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që e kanë kokën plot, që dinë dhe duan të kontribuojnë për Shqipërinë e re Europiane, bashëkohore dhe moderne, që kanë dhënë prova indivi
dualisht dhe vazhdojnë të japin çdo ditë prova se mund të marrin përgjegjësi dhe t’i përmbushin ato me cilësi të lartë.
E gjithë kjo është ndërkohë – nuk ka përse të mos e them – është një shprehje e distancimit dhe kundërsulmit tonë pa kompromis, kundër promovimit nga shumica aktuale në politikë, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën shteterore të injorancës më të paimagjinueshme për kohën ku jetojmë, të spekullantëve që kanë blerë diploma për të përfituar poste drejtuese, të individëve me rekorde kriminale që pasi kanë dalë nga burgu apo vazhdojnë të jenë të skeduar nga agjencitë e ligjzbatimit si trafikantë dhe kontigjentë të krimit, kanë marrë detyra me peshë në gjithë piramidën drejtuese të qeverisjes aktuale.
Kjo është një nga njollat më të mëdha dhe më të errta që kjo shumicë dhe bashkryetarët e saj i kanë vënë vendit me ardhjen e tyre në pushtet. Dhe kjo në kontrast të plotë me atë që thamë më parë. A thua se nuk janë në këtë vend, në Shqipëri ku familjet kanë hequr kafshatën e bukës dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë për të shkolluar dhe mundësuar edukimin sa më cilësor të fëmijëve, por sikur ky është vendi ku shkolla me e sukseshme e administratës publike është “shkolla” e spekullimit dhe e krimit.
Ne do ta heqim këtë njollë. Dhe shumë të tjera. Me çdo kusht. Me ndihmën dhe mbështetjen e rinisë dhe të familjeve shqiptare, me ndihmën e të gjithë qytetarëve që sot, me legjitimitet të plotë, kërkojnë të drejtën e tyre të patjetërsuershme për t’u drejtuar e për tu shërbyer nga njerëz të përkushtuar, të ndershëm, të edukuar, dhe të përgatitur.
“Struktura e dijes përcakton stukturën e pushtetit”, është një sentencë e vjetër sa civilizimi perëndimor. Aty ku injoranca ngjitet dhe dija flaket, aty ku forcën e ideve e zëvendëson ideja e forcës, aty ku stukturën e dijes e zëvendëson struktura e krimit, pushteti nuk mund të jetë tjetër veçse, i paaftë, i trashur dhe i kriminalizuar.
Bashkë me të gjithë shqiptarët ne duam të vendosim pushtetin që mbështetet piksëpari në dije të qëndrueshme dhe bashkëkohore, në mendje të zgjuara dhe të kohës, dhe në zemra të përkushtuara, shqiptare dhe Europiane.
Për të rifituar besimin e qytetarëve tanë, për të ecur të sigurtë drejt forcimit dhe fitores së Partisë Demokratike, e kemi të qartë, nuk është e mjaftueshme të formulojmë vetëm programe politike dhe propozojmë zgjidhjet më të mira që do të sillnin një ndryshim të ri pozitiv në jetën e shqiptarëve, por duhet të ndyshojmë edhe mënyrën e të menduarit dhe të bërit politikë. Duhet ta afrojmë atë tek qytetarët, duke e bërë konkrete, të prekshme, civile, të virtytshme, të komunikueshme, të vërtetë, dhe bashkëkohore, të mbështetur në problematikën reale me të cilat ndeshen qytetarët, por po kështu në vlera dhe dije. Për të gjitha këto, sfida jonë e madhe është identifikimi dhe angazhimi i më të mirëve.
Tre janë gjëra shumë të rëndësishme të identitetit tonë si forcë politikë, që duam t’i ndajmë dhe t’i zhvillojmë me gjithë të rinjtë dhe të rejat e vendit, me mbarë qytetarët.
Atdhedashuria, Liria, Përgjegjësia. Jetojmë në një botë të hapur, jemi një brez që u formua në shoqërinë e hapur, flas për brezim tim dhe të shumicës së kordinatorëve të rinj.
Hapja ka qenë dhe oportuniteti, privilegji ynë i jashtëzakoshëm që nuk e kanë pasur për shumë vite prindërit tanë. Aspirojmë integrimin Europian, punojmë për integrimin Europian me bindjen se integrimi Europian është rruga e duhur për më shumë paqe, siguri, zhvillim dhe mirëqënie për të gjithë shqiptarët.
Por e kemi të qartë se në Europë do të hyjmë e do të mbetemi me identitetin tonë kombëtar si materializimi i përjetshëm dhe i përditshëm i atdhedashurisë, që është jo vetëm shenja dalluese, por edhe pasuria jonë në këtë familje të madhe.
Liria, është lënda tjetër themelore e identiteti që edukojmë e kultivojmë me përparësinë e demokratit. Eshtë identiteti ynë politik si forcë e qendrës dhe qendrës së djathtë, sepse kemi lindur, jemi e do të mbetemi parti e Lirisë, e luftës dhe përpjekjeve për lirinë e çdo individi në veçanti dhe të gjithë qytetarëve në tërësi,.
Këto përpjekje, si çdo gjë tjetër, kanë pasur e kanë kurbën e tyre të ulje ngritjeve. Sot është koha që fjala liri të kumbojë me fort në shtëpinë tonë të Lirisë dhe në shoqërinë shqiptare.
Liria sigurisht ka nevojë për ligje. Koha ka treguar se liria punon në vetvete, ndërkohë që ligjet nuk punojnë dot pa lirinë.
Duke mbajtur lart kauzën e lirive, ne dimë e do të dimë të zhvillojmë akoma më mirë një vlerë tjetër të madhe të partive popullore, atë që quhet etika e lirisë, që ka për emër përgjegjesinë. Përgjegjësinë për të mbajtur e zbatuar në ekulibër të drejtat dhe detyrimet; përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të fortë dhe efikas, por që për detyrë të parë ka garantimin e lirisë, sigurisë, pronës dhe barazisë para ligjit si kushtet e nevojshme për investime, punësim e zhvillim ekonomik.
Atdhedashuria që na frymëzon e nuk do të rreshtë së frymëzuari, liria që punon e nuk do të rreshtë së punuari, përgjegjësia, përgjegjësia për të vazhduar për të bërë të mundur atë që konsiderohet e pamundur. Këto të treja, janë forca të mëdha në gjirin e shtëpisë sonë të lirisë që do ta çojnë përpara Shqipërinë Europiane.
Prezantimi i kordinatorëve kombëtarë