Kyetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi sot banorët e Kavajës: Kavaja në protestë për punë e dinjitet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi sot banorët e Kavajës dhe dëgjoi nga afër shqetësimet e tyre.

Zoti Basha është njohur me problemet dhe kërkesat e  tyre që lidhen me papunësinë, rritjen e çmimeve, të taksave, shtrenjtimin e shërbimit shëndetësor, etj.

“Ky thotë 300 mijë vende pune i ka hapur, 600 mijë vende pune ky i ka blloku dhe shpija me leje, pa leje ky i rrëzoi te gjitha”, shprehet një banor i Kavajës.

“Më thanë të ka dal emri, je i pushum prej pune, pse jam pushu unë, kam 3 fëmijë. Çfarë duhet të bëj?”, pyet një banor.

“Pa punë, pa bukë,  rritje dritash, rritje taksash. Po kjo nuk paska qenë Rilindje, kjo paska qenë murtajë”

“Dakord të paguhen dritat, po me çfarë? Jam vet i pesti pa punë”, ankohet një qytetar.

Basha: Vetëm me një tender energjie marrin 7 milion euro. 600 milion ia fal CEZ-it vetëm me një dorë. Ku i merr këto lekë? Rrëmon pastaj në xhepat e shqiptareve t’u marri qindarkën e fundit njerëzve që s’kanë bukë me për të ushqyer fëmijët.

Fermerët e Kavajës i thanë zotit Basha se me shtrenjtimin që iu bë naftës nuk kanë më mundësi të punojnë tokën, ndërsa qeveria nuk u ka dhënë asnjë ndihmë. Zoti Basha ka ftuar çdo shqiptar që është prekur nga keqqeverisja, arroganca dhe paligjshmëria, t’i bashkohen protestës së 22 nëntorit në orën 12 ne sheshin “Skënderbej”.

“Çmimet janë rrit në stratosfere. Na vjen zor me u thënë njerëzve që hajde të punojmë tokën. Tokat janë djerr”, shprehet një fermer.

“Nafta ka vajt 2 mijë lekë. 2 mijë lekë unë s’mund ta marr këtë të plugoj tokën se unë jam pensionist jam me 140 mijë lekë”, ankohet një banor.

“Do bënte spitalet pa lek, ku asht more….i dyfishoi”

“Këto popullit po i pinë gjakun, po e shtrydh si limoni. Shtrydh shtrydh mbeti vetëm lëkura”.

“Ky popull nuk di ku të shkojë. Nuk di ku të qahet i ka shku thika mu në palcë”, pohon një banor i Kavajës

Basha:  Në orën 12-të në sheshin “Skënderbej” të gjithë bashkë me zërin tuaj, me zërin tonë për të drejtat tuaja, për të drejtat e fëmijëve tuaj, për bukën e gojës, për të ulur dhe jo për të rritur taksat, për te mos rritur çmimin e energjisë dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që mund të mendojë se luan me të drejtat tuaja dhe luan me popullin.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Nëntor 2014