Deputetët demokratë analizojnë pasojat dramatike që do sjellë buxheti në shëndetësi, në çështjet sociale e në shtresat në nevojë. Banorët e Bregut të Lumit rrëfejnë mjerimin ku ndodhen.

Deputetët demokratë të Komisionit parlamentar të çeshtjeve sociale dhe shëndetësisë, u mblodhën sot në zonën e Bregut të Lumit  me pjesëmarrjen e banorëve të minibashkisë 8, 9 dhe 11. Në takim merrnin pjesë dhe ekspertë të pavarur të shëndetësisë dhe kryetarët e minibashkive.

Kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha se buxheti 2015 është hartuar pa transparence pa dëgjuar asnjë zë të qytetarëve apo grupeve të interesit. Zonja Vokshi tha se opozita në drejtimin e kryetarit Basha po zhvillon takime në cdo qytet me grupe sociale për të zbërthyer buxhetin e krizes dhe varfërisë së shqiptarëve.

Banorët të cilët morën pjesë në takim shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me heqjen e energjisë elektrike.

– Jam e papunë dhe më kanë hequr dritat, tha një grua, vajza ime e vogël mëson pa drita, shtoi ajo.

– Unë jam vetë i shtatë në familje, i vetëm punoj, shitës ambulant. Si do t’i rris fëmijët e mi, mendon ky shtet për ne apo jo?-tha një tjetër banor.

– Kam faturën që më vjen edhe pse nuk kam drita, u ankua një grua. Më vjen fatura aforfe, kjo është tmerr ç’po na bën kjo qeveri, theksoi një grua pa të ardhura ekonomike të cilës ia kanë prerë energjinë.

Në takim u shprehën shqetësime edhe në sektorin e shëndetësisë.

– Kam vajzën sëmurë dhe askush s’e ka parë në spital, tha një nënë e shqetësuar pas neglizhencës së treguar ndaj saj.

Sektori i shëndetësisë është në pikën më të dobët. Mjekësia është hani i zi i korrupsionit dhe Rama e Beqja janë arkitektët e kësaj krize, tha zonja Vokshi. Monopoli i ilacceve është tenderuar nga klinetë pranë qeverisë duke sjellë ilaçe më të shtrenjta, vërehet mungëse e madhe e ilaçeve në spitale. Njerëzit në nevojë nuk kanë akses tek shërbimet shëndetësore, shtoi ajo.

Ish ministri i shëndetësisë Tritan Shehu tha se Buxheti 2015 nuk sjell prespektivë për shëndetësinë dhe fondet janë minimale në nivelin  2, 8 % te GDP-së.

Premtimet e Ramës për shëndetësi falas  janë iluzion dhe gënjeshtër. Rama nuk ka guxim të thotë që shëndetësia është falas pasi është e papërballueshme. Ndërkaq ekspertët theksuan se ilaçet e rimbursuara janë reduktuar ndjeshëm për të sëmurët kronikë dhe se listat e rimbursimit favorizojnë kompanitë e qeverisë. Ekspertët thanë se ndërkohë që investimet e Rilindjes në 2014 dhe 2015 për shendetësinë janë zero në dy vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike kanë kapur mbi 100 milion dollarë.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se qeveria e Ramës po rëndon buxhetet familjare me 460 milion dollarë taksa që do paguhen direkt nga nevojtarët.

Kjo qeveri, tha zonja Tabaku, nuk mban përgjegjësi për njerëzit në nevojë dhe i diskriminon ata duke i prerë listat e ndihmës sociale. Ky buxhet nuk ofron vende pune nuk ndihmon as biznesin që të hapë vende të reja pune.

Nga një vend me taksa të ulëta konkurues tani nga Shqipërise po i ikin bizneset. 200 lek rriten pensionet nderkoh që çmimet janë galopante. 700 lek rimbursimi për energjinë ndërkohë që fatura rritet 2800 lek, shtoi ajo.

Deputeti Myqerem Tafaj tha se papunësia e të rinjve po kalon mbi 50 përqind. ‘’Ne e lame 13 përqind papunësinë, keta po e çojnë 20 përqind. Kanë goditur biznesin privat me taksa te larta dhe ai nuk përballon hapje të vendeve të reja, tha zoti Tafaj. Gjatë takimit deputetët dëgjuan problemet e shumta të banorëve ku të rinjtë që kishin mbaruar studime edhe jashtë Shqipërisë përballen me papunësine dhe show-n e qeverisë për kinse hapjen e zyrave të punës.

– Pensionistët ngritën zërin për fatura aforfe të energjisë dhe fatura të larta ilaçesh.

– Një nënë e papunë tha se nuk paguante dot ilaçet e vajzes dhe faturat e kamat vonesat e energjisë.

– Një invalid tha se i ishte hequr nga e drejta e invaliditetit.

Banorët ngritën dhe problemin për braktisjen që u ka bërë qeveria dhe shpërfilljen në ndërtimin e një shkolle dhe qendër ambulance në Bregun e Lumit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Nëntor 2014