Deklaratë e Majlinda Bregut ku denoncohen bllokimet e njëpasnjëshme që i ka bërë Edi Rama projektit të Xhamisë së Madhe, si kryetar bashkie e si kryeministër

 

“E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshehni realitetin”. Eshte me vend kjo porosi nga Kurani i shenjte, për këdo harron të vërtetën e ndërtimit të xhamisë së Tiranës.

Nëse ka një përgjegjës sot për vonesën e ndërtimit të Xhamisë së Madhe, ai është Edi Rama.

Për 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u bë pengesë dhe bllokoi mundësitë për ngritjen e këtij objekti kulti, kaq të nevojshëm për besimtarët muslimanë.

Për 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai nuk i dëgjoi dhe nuk u konsultua as një ditë të vetme me përfaqësuesit e komunitetit, por tentoi t’u shesë atyre një projekt të dizenjuar në ateliene e interesave të tij, në kundërshtim me ligjet dhe me kodin etik të komunitetit musliman.

Dhe kur me ndryshimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, zëri i komunitetit u degjua, xhamia u pojektua, trualli u negociua sepse natyrisht akush nuk mund te pranoje të falet në një objekt kulti ku nuk është respektuar e drejta e pronësisë, shfaqet sërish Edi Rama që e bllokoi projektin.

Kjo është historia armiqësore e Edi Ramës me aspiratën e ligjshme të besimtarëve muslimanë. Një bllokues serial, sa herë që i jepet mundësia.

Sot bëri hipokritin, duke u lënë në dorë një copë letër. Por para se t’u thotë ja ku e keni,  duhet të thoshte  se tashmë cështja është në gjykatë, dhe projekti është vënë në rrezik, vetëm e vetëm për shkak të Edi Ramës dhe trilleve të tij personale.

Ai nuk mund të lajë duart me Xhaminë që e ka bllokuar prej 13 vitesh tashmë, 11 vite si kryetar bashkie e pothuaj dy vite si kryeministër. Nuk mund t’u lërë në derë besimtarëve një objekt të shenjtë kulti, me konflikt pronësie në mes.


 

Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, 27 Nëntor 2014