Edi Paloka publikon faktin se autori i vrasjes së katërfishtë ka qënë person i shpallur në kërkim nga policia me 26 prill të këtij viti. Xhuvani nuk u ndalua sepse kishte mbrojtjen e Kryeministrit
Sot ka ndodhur një krim i tmerrshëm, që mori jetën e katër qytetarëve.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera viktimave dhe gjendet pranë dhimbjes së tyre.
Ne inkurajojmë drejtësinë të veprojë me forcën më të madhe të ligjit.
Dorëheqja si deputete e mamasë së autorit të krimit këtë mbrëmje, është një gjest për t’u vlerësuar, ndonëse mbarë opinioni publik e kërkonte këtë me ngulm gjatë gjithë ditës.
Por është e refuzueshme deri në neveri melodrama e shpifur e luajtur nga Edi Rama, i cili rreket që edhe në këtë orë dramatike, kur katër familje janë në zi të thellë, të bëjë demagogji, të përfitojë nga rasti për të sulmuar opozitën, dhe të lajë duart nga përgjegjësia e rëndë morale dhe politike që është sot dhe gjithë ditën e tija dhe vetëm e tija për këtë vrasje të paralajmëruar.
Me paramendim, me një fjalim të shkruar e të lajmëruar që paradite, Edi Rama i diferencon qytetarët e këtij vendi, duke treguar dashuri, përvuajtje, e konsideratë për prindërit e autorit, që janë miqtë e tij, dhe duke lënë në një qoshe e në përcmim 4 viktima, familjet e të afërmit e tyre, të cilët në retorikën e tij të gjatë morën vetëm një rresht.
Në vend të dedikimit përdëllyes për familjen e autorit, Edi Rama duhet të përgjigjet për një fakt që ai e di shumë mirë, për një fakt që nxjerr zbuluar përgjegjësinë e tij për këtë krim, një fakt që po ia risjellim në vëmendje publikut.
Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër.
Eshtë shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria, përpara se të shpallej në kërkim. Sic u shpall në mbrojtje edhe kur iu kundërvu me armë forcave të policisë gjatë operacionit në Lazarat, një fakt i dëshmuar nga vetë Drejtori i Policisë së Gjirokastrës në mediat televizive.
Nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës.
Nëse Edi Rama nuk do ti bëhej mburojë recidivistit të dënuar për vrasje,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria ku kriminelët e lidhur me Edi Ramën kanë imunitet e bredhin lirshëm me pistoletë në brez edhe pse janë në kërkim,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria e të tjerëve që bien viktima të fëmijëve të pushtetit,
-Shqipëria ku policia i merr shpirtin qytetarëve të zakonshëm për një tullë, apo për një faturë energjie që nuk e paguajnë dot se s’kanë bukë të hanë
-po ku nderohen banditët e lidhur me qeverinë apo të dënuarit e sjellë deri në Kuvend si deputetë nga Edi Rama,
-atëherë krimi i sotëm mund të ishte evituar.
Rrethanat e krimit të ndodhur janë objekt hetimi i drejtësisë, por ka disa rrethana të tjera që duhet tja themi sot hapur njëri-tjetrit.
Në Shqipëri është instaluar një oligarki e përzier me bandat, si pjellë e aleancës me krimin që lidhi Edi Rama para zgjedhjeve.
Shqiperia nuk do të ketë paqe po nuk shpëtoi nga kjo mynxyrë. Sa më gjatë të sundojë kjo e keqe aq më të mëdha do të jenë dëmet që do të shkaktojë ne jetët dhe shpirtrat e njerëzve dhe mbarë shoqërisë. Tani është koha të reagojmë.