Zonja dhe zotërinj,

Edi Rama gënjeu dje publikisht, kur tha se paska krijuar 81 mijë vende të reja pune për një vit. Ky është i vetmi kryeministër në Europë  që vetë i prodhon, vetë i njofton, vetë i propagandon  më bujë gënjeshtrat e tij të trasha. As nuk skuqet, as nuk e vret mendjen për faktin se arritjet e tij imagjinare nuk kanë asnjë konfirmim në realitetin e jetës së përditshme gjithmonë e më të vështirë të shqiptarëve, në treguesit në  stanjacion dhe recension të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, por vetëm demagogji që tashmë është thelbi i qeverisjes së tij propagandistike.

Vetëm në qeverisjen propagandistike “Rama-Meta” vendet e punës  rriten vrullshëm, ndërkohë që po sipas të dhënave zyrtare, ekonomia shënoi një rënie prej -0.61% në tremujorin e dytë të vitit, në vazhdim, në  krahasim me një vit më parë; sektorët me rënien me të madhe janë pikërisht ato që sjellin dhe garantojnë qëndrueshmërinë dhe punësimin: industritë, ndërtimi dhe transporti, etj, ku  rëniet janë dyshifrore. Ndërkohë sipas statistikave zyrtare, vetëm në tremujorin e dytë 22 mijë shqiptarë humbën vendet e tyre të punës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Shifër që me siguri është më e lartë se kjo shifër zyrtare.

Mijërat e Ramës janë “punësuar” në hava, në letrat e tij të bakallit dhe ky është cinizmi më i madh. Papunësia në rritje dhe shpunësimi masiv i shqiptarëve janë dy nga plagët më të mëdha të kohës që jetojmë, plagë që nuk po kurohen me zgjidhje sipas premtimeve të Edi Ramës në fushatë, por që po thellohen edhe më shumë me gënjeshtrat e tij të trasha e të patretshme.

Për fat të keq, kryeministri i vendit po tregon se nuk ka ndërmend të reflektojë, të shohë realitetin në sy, të dëgjojë protestën e përditshme dhe reale të qytetarëve të vendit.

Mashtrimi masiv i Edi Ramës është një tjetër lajthitje halucinante. Vetëm në bunkerin e tij të ri mund të ketë vende pune e parajsa si ato që ai  deklaron.

Nuk ka punë për të rinjtë, nuk ka punë për të diplomuarit, nuk ka punë në fshat, nuk ka punë për fermerët, nuk ka punë në qytet, nuk ka punë askund. Edi Rama nuk ka hapur as edhe një vend të ri pune që ditën që ka ardhur në pushtet por ka bërë shkatërrimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës me politikat e tij të gabuara, arrogante dhe të paligjshme.

Të vetmet vende pune që Edi Rama i paguan me taksat e shqiptarëve, janë numri i madh i shërbëtorëve politikë në Kryeministri për të sulmuar me normë ditore opozitën në rrjetet sociale, për të intimiduar dhe nënshtruar median, numri i madh i policëve që ka shtuar se i duhen për shtetin policor, numri i madh i xhandarëve të INUK-ut, se i duhen atij për të shembur e shkatërruar selektivisht pronat e atyre që nuk janë në oborrin e tij politik apo nuk shtrojnë xhepat e korrupsionit të rilindur qeveritar në këtë sektor.

Edi Rama nuk ka krijuar asnjë mundësi punësimi. Në realitet, nuk ka ndihmë për fermerët, nuk ka investime në sektorët strategjikë, nuk ka asnjë kantier të ri ndërtimi.

Me taksat e reja që ka vendosur, edhe më shumë shqiptarë do të humbin vendet e punës dhe plagët e mëdha do të përkeqësohen më tej.

Ndaj Shqipëria është në protestë. Ndaj protesta nuk ndalet. Partia Demokratike e ka detyrim t’u prijë dhe do t’u prijë protestave shesh më shesh, rrugë më rrugë,  kudo në Shqipëri.

Por Partia Demokratike dhe opozita nuk do të mjaftohen vetëm me  denoncimin e së keqes dhe me  organizimin e protestave qytetare. Sot pasdite, në orën 17.00, Grupi Parlamentar i PD-së do të paraqesë e argumentojë publikisht 31 amendamente për paketën e re fiskale dhe projektbuxhetin e ri. Këto amendamente synojnë të korigjojnë me sa është e mundur në situatën aktuale, kursin e marrë të përkeqësimit të  sigurtë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve.

31 amendamentet tona synojnë lehtësimin nga një anë të barrës fiskale nga kurrizi i qytetarëve shqiptarë dhe mosprivilegjimin në anën tjetër  të klientelëve të paracaktuar të qeverisë.

Synojnë frenimin e luksit qeveritar në kurriz të shqiptarëve dhe destinimin e parave publike për zgjidhje që mbështesin sipërmarrjen prodhuese, punësimin, bujqësinë, arsimin dhe shtresat në nevojë.

Protesta popullore e të shtunës ishte një shans që iu dha qeverisë për të reflektuar, shans të cilin qeveria po e shpërdoron më një verbëri të pashembullt.

Amendamentet e opozitës janë një tjetër shans tjetër për të evituar më të keqen. Do të donim që qeveria të mos e shpërdorojë edhe këtë shans me verbëri të pashembullt.

E ka thënë At Zef Pllumi: qorri më i  madh nuk është ai që nuk sheh  nga sytë, por ai që nuk sheh nga mendja.

Faleminderit!


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 26 Nëntor 2014