Kryetari i Partisë Demokratike takohet me banorë që vuajnë nga papunësia, nga varfëria. Takohet me prindër që nuk dërgojnë dot fëmijët në shkollë. Takohet me qytetarë që marrin bukën me listë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Durrës. Z.Basha është njohur me shqetësimet e banorëve për rënien e fuqisë blerëse, pamundësinë për të përballuar nevojat më elementare, papunësinë që sa vjen dhe rritet, prishjet abusive të banesave, mbifaturimet e energjisë, mungesën e subvencioneve, e shtrenjtimin e shërbimeve shëndetësore.
“Jeta jonë këtu është skandal fare”, thotë një banor.
“Punë jo, taksat të larta, çmimi i energjisë ngrihet kurse ne s’kemi lekë të hamë bukë sot”, shprehet një qytetar.
“Ç’të bëj unë me këto tani? Të marr bukë, drita, ujë apo…?!”, ankohet qytetari.
“Si mund të paguaj korrentin unë pa punë, si mund të paguaj ujin pa punë unë?”
“Jam vetë i gjashtë, 3 fëmijë kam në shkollë. Kam marrë borxh me çu fëmijët në shkollë e s’kam ku me i marrë. I kam fëmijët edhe pa bukë sot”, shprehet një banor i revoltuar.
“Të tre çunat në shtëpi, pa punë. Edhe unë, edhe gruaja pa punë. Tashti, 11 veta ku po jetoj unë?”
“Ky tha që do bëjmë subvencionim për bujqësinë. Asnjë send, karburanti fare, njerëzve u ka thënë do bëj subvencionim. Për blegtorinë fare. Tha do bëjmë legalizime falas, ka bërë shkatërrime falas, jo legalizimet”, pohon një banor i Durrësit.
“Tha legalizimi falas. Pse nuk tha letrat janë falas? Kush po i bo për 100 mijë lekë letra, 200 mijë lekë letra?” “Mashtroi për shërbimin shëndetësor. S bëri asgjë”, ankohet një qytetar.
“Na ka shtri ratë, na ka vu këmbën në fyt dhe është tu na marrë shpirtin”, proteston një qytetar.
Qytetarët janë ankuar për pamundësinë e tyre për të blerë edhe bukën, çka ka sjellë rritje të borxheve dhe listave nëpër dyqane. Një tjetër banor i tha z. Basha se është detyruar t’i ndërpresë fëmijës shkollën e lartë, për shkak të pamundësisë për të paguar tarifat e dyfishuara në universitete. Fajtore për këtë situate, kryetari i Partisë Demokratike, bëri rritjen e taksave. Qeveria nuk ka reflektuar për impaktin e tyre por ka vendosur t’i rrisë sërish ato, – deklaroi Basha.
“Përpara 23 qershorit dilte nëpër ca dyqane, thoshte kaq, kaq, lista është aq. A e di ky zotni që lista nuk është me aq por është katërfishuar”, rrëfen një qytetar.
“Me pa listat nëpër dyqane, ti do thuash, do vësh duart në kokë dhe si puna ime, që unë nuk jam as sakat shqyqyr Zotit as shurdh po s’kam ku me shku”.
“E kam një fëmijë në shkollë të lartë, sivjet s’kam mujt me e çu për punë të pagesës. U rritën tarifat e shkollës 160 vjet, 270 mijë sivjet”, ankohet një prind.
Basha: Nuk ka asnjë arsye tjetër që ekonomia shqiptare të jetë në këtë gjendje përveç rritjes së taksave dhe pasigurisë juridike që ka krijuar me dhunën dhe arbitraritetin e saj. Tani do i rrisë prapë. Çdo kryefamiljari i kërkohet të paguajë 670 mijë lekë në vit më shumë taksa, ndaj protesta e 22 nëntorit ndryshe nga çdo protestë tjetër nuk është protestë politike, është protestë ekonomike.