Deputeti Boçi denoncon faktin se drejtori i emëruar nga Rama në krye të OSHEE në Lushnje, që ka abuzuar me biznesin e tij, me 1 milionë e 600 mijë lekë energji të papaguar, vazhdon të jetë në detyrë

Qeveria mbron vjedhjen që i bën vetë energjisë, me gënjeshtra të ulëta.

Ne denoncuam me prova faktin se administratorët e qeverisë, të emëruarit e Edi Ramës, janë hajdutë të energjisë.

Rasti i drejtorit të OSHEE në Lushnje, që vidhte energji me biznesin e tij, dhe nuk e paguante duke qenë debitor me 1 milionë e 600 mijë lekë, është emblema e keqqeverisjes.

Të pamundurit, ata që nuk paguajnë dot 10 mijë lekë drita se nuk kanë punë, se nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët, kjo qeveri i con në burg. Ndërsa hajdutët e mëdhenj me biznese nga pas, Edi Rama dhe Ilir Meta i bëjnë drejtorë të energjisë.

Në vend të ndjesës dhe nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të këtij skandali, Edi Rama sulmoi opozitën.

Edi Rama mashtroi kur tha se drejtori i Lushnjes ishte shkarkuar nga puna një javë më parë.

Mediat zbuluan dje se drejtori i energjisë për Lushnjen, vjedhësi i 1 milionë e 600 mijë lekë energji, vazhon detyrën, dhe është në punë edhe sot që flasim.

Edi Rama nuk mjaftohet me emërimin e hajdutëve të energjisë si drejtorë të energjisë. Për ti mbrojtur kur kapen me presh në duar ai është gati të gënjejë, të mashtrojë dhe të shpifë.

Nuk ka reforma, por represion për qytetarët dhe favore për hajdutët dhe shkelësit e ligjit. Nuk ka shtet ligjor, por pashallëk të Ramës që i ndan shqiptarët në të nënës dhe të njerkës.

Ndaj shqiptarët janë të revoltuar. Ndaj protesta nuk do të ndalet.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 27 Nëntor 2014