Zëdhënësja Nebijaj i kërkon prokurorisë të hetojë shpejt e të vërë para ligjit autorët e porositësit e atentatit ndaj gazetarit Çani, i cili ka investiguar mbi vrasjen mafioze të bankierit Santo, aferën korruptive me CEZ, kontrabandën e naftës së Albpetrol, e shumë dëshmi tronditëse që kanë prishur humorin e qeverisë.   

Atentati i organizuar ndaj gazetarit Artur Çani është një dëshmi e realitetit që jetojmë sot ku bandat mafioze në vend po fitojnë cdo ditë e më shumë pushtet.

Me Edi Ramën, bandat mafioze në vend, kanë arritur deri aty sa të tentojnë ekzekutimin e një gazetari që guxon të flasë, të denoncojë, të tregojë të vërteta tronditëse.

Artur Çani nxorri në publik dëshminë e qytetarit që kishte dijeni për vrasësit e bankierit Santo, dëshmi që implikoi drejtuesit më të lartë të Policisë dhe segmentet qeveritare.

Me emisionin e tij ai ka denoncuar afera skandaloze të qeverisë, si ajo me 8 milionë euro te kompanisë CEZ.

Çani ka denoncuar kontrabandën e naftës së Albpetrolit të Koco Kokëdhimës, një skandal me përmasa të jashtzakonshme.

Gazetari investigues ka një seri emisionesh, që kanë prishur në mënyrë të përsëritur humorin e qeverisë.

Kanë prishur humorin e një qeverie që është në bashkëjetësë të plotë me krimin.

Atentati i organizuar ndaj gazetarit është një alarm për rendin, dhe tregon se pasiguria është ulur këmbëkryq. Një mesazh i qartë, primitiv e kriminal që bandat mafioze me krahë të ngrohta qeveritare i bëjnë kujtdo që guxon të flasë.

Asgjë më shumë nuk kanë regjimet dhe sistemet autoritariste e kriminale në botë, se sa kjo përmasë që ka tashmë dhe vendi ynë me Edi Ramën Kryeministër.

Një rastësi fatlume, e ka shpëtuar gazetarin Artur Çani nga atentati mbrëmë.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë me energji dhe shpejtësi. Të zbulojë autorët dhe porositësit. Ti shkojë deri në fund këtij mekanizmi kriminal. Atentati ndaj gazetarit është atentat ndaj fjalës së lirë, ndaj demokracisë, ndaj gjithë vlerave evropiane që Shqipëria aspiron.

Partia Demokratike inkurajon gazetarin Çani në misionin e tij, dhe ne e përgëzojmë për kurajon e shprehur edhe pas kësaj ngjarje, kur deklaroi se nuk do të heqë dorë nga puna e tij, nga investigimi dhe kërkimi i të vërtetës.

Ne jemi në krah të medias së lirë, dhe nuk do ta lëmë të keqen të sundojë.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 2 Dhjetor 2014