Deklarata për mediat e kryetarit të PD: 

Me kënaqësi të veçantë dëshiroj të përshëndes sot nënshkrimin dhe miratimin e Rezolutës për normalizimin dhe  dekriminalizimin e  Kuvendit të Shqipërisë.

Do të kemi një demokraci  funksionale dhe të shëndetshme, të mbështetur në vlerat dhe virtytet më të mira, apo një pseudodemokraci,  një kartel, ku ligjin e bën krimi i organizuar dhe  një grusht oligarkësh që mendojnë vetëm për sundimin dhe pasurimin e tyre ?!

Kjo ka qenë dhe mbetet akoma pyetja kyçe që gjëmon e kumbon si  gjëmë.  Ky ka qenë udhëkryqi ku e vuri shoqërinë shqiptare  gjashtë  muaj më parë shumica Rama-Meta në lajthitjen për të qeverisur pa opozitë, ose me një opozitë fasadë, duke e përjashtuar nga ligjvënia e cilësuar, nëpërmjet trafikut të deputetëve, duke i mohuar të drejtën kushtetutese hetimit parlamentar, dhe së fundi duke hedhur në veprim  repartin e dhunës  për  t’i mbyllur gojën opozitës, për t’i marrë asaj edhe mjetin e fundit, fjalën e lirë.

Pa asnjë dilemë se e vetmja alternativë për Shqipërinë dhe shqiptarët është demokracia funksionale e modelit europian, Partia Demokratike dhe opozita vendosën gjashtë muaj më parë ndërprerjen e marrëdhënieve me Kuvendin, si një veprim i domosdoshëm për të ekspozuar qartë dhe bindshëm në sytë e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar të vërtetën tronditëse,  të një Kuvendi të kriminalizuar  me vetëdije nga krerët e mazhorancës aktuale.

Ne mbrojtëm Kuvendin duke shpallur papajtueshmërinë tonë absolute me kriminalizimin e tij. Ne kërkuam dhe propozuam një marrëveshje politike, për ç’montimin deri në burmën e fundit të mekanizmit që promovon kontingjente të krimit të organizuar në Kuvend dhe në çdo institucion tjetër publik, me bindjen e plotë se kjo nuk ishte e nuk mund të jetë një çështje e zakonshme e interesit partiak të një pale, por një çeshtje madhore e demokracisë, kauzë jetike e shqiptarëve. Ne e ndërkombëtarizuam problemin kur pamë se shumica po bënte veshin të shurdhër. Ishte kjo përpjekje, e gjatë dhe e vendosur, që solli më në fund marrëveshjen dhe rezolutën e miratuar sot në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo rezolutë përfaqëson kuadrin e qartë të parimeve  dhe angazhimeve të përbashkëta shumicë-opozitë për dy çështje kyçe:

Së pari, për normalizimin e jetës parlamentare përmes zbatimit sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rishikimit të rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore bazuar në praktikat  më të mira  ndërkombëtare.

Së dyti, për të punuar sëbashku, në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Europian për dekriminalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera të qeverisjes.

Rezoluta ka mbështjen e plotë të përfaqësuesve të  grupeve  më të mëdha të Parlamentit Europian, Partisë Popullore Europiane dhe Partisë Socialiste Europiane. Zbatimi i Rezolutës po kështu do të monitorohet  prej tyre në vazhdimësi. Në vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo është një ngjarje më rëndësi të madhe për jetën politike, parlamentare dhe shoqërore të Shqipërisë.

Frytet e saj do të duken  menjëherë dhe në vijimësi, në vartësi të  seriozitetit, shpejtësisë dhe cilësisë së zbatimit të masave të gjithëpranuara për të garantuar sovranitetin e plotë të ligjeve kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe sidomos për dekriminalizmin e Kuvendit dhe institucioneve  të shtetit, për  eliminimin njëherë e mirë të praktikave që mundësojnë vërshimin e krimit në këto institucione, kapjen dhe kapitullimin e tyre.

Si nismëtarë të këtij zhvillimi, që paralajmëron goditjen dhe fundin e një kancerogjeni shumë të rrezikshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, dua të shpreh mirënjohjen time të pakufishme për qytetarët  shqiptarë, që kanë  ndarë me ne këtë shqetësim madhor dhe na kanë mbështetur pa rezerva në këtë betejë.

Falenderoj nga zemra me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë dhe partnerët tanë europianë dhe amerikanë, zotërinjtë Kukan dhe Fleckenstein në veçanti, që ndihmuan me përkushtim të madh për arritjen e kësaj marrëveshje  dhe  do të vazhdojnë të na mbështesin për zbatimin e saj.

Kalimi nga qëndrimi i përbashkët i shprehur  në rezolutë,  tek veprimet e përbashkëta, duke përshtatur praktikat më të mira me asistencën e Bashkimit Europian, është hapi  i ri që duhet të hedhim tani, pa humbur kohë, me qëllim që dekriminalizimi të mos mbetet deklarativ, por të kthehet në akt dhe të jetë një proces pa ngecje deri në finalizim.

Ne jemi të vetëdijshëm se rezoluta nuk është fundi, por vetëm fillimi i punës dhe përpjekjeve për  zbatimin  e saj. Thënë ndryshe, është fillimi i fundit për kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo institucioni tjetër.

Partia Demokratike dhe opozita janë në  Kuvend për ta vazhduar  këtë betejë dhe për ta çuar deri në fund, tashmë me një mbështetje të plotë qytetare dhe ndërkombëtare dhe me një dokument parimesh dhe angazhimesh detyruese për shumicën dhe opozitën. Beteja nuk do të jetë e lehtë, por ne jemi të vendosur dhe optimistë se do t’ja dalim. Shqipëria e vlerave dhe virtyteve  është misioni ynë. Me ketë rast dua t’i siguroj të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë zëri i tyre në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, do të vazhdojë të jetë në sintoni të plotë e të përditshme me Shqipërinë në protestë, do të vazhdojë t’u prijë protestave popullore përballë gjendjes gjithnjë e më të përkeqësuar ekonomike dhe shoqërore në vend.

Vendi ka rrugëdalje, ka zgjidhje nga qorrsokaku ku ndodhet, dhe ne jemi më të vendosur se kurrë për ti realizuar ato.

 Faleminderit.