Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se tërheqja e qeverisë dhe pranimi i kërkesës së opozitës për shlyerjen e detyrimeve me këste të përballueshme, ishte lëvizje e detyruar nga protesta e qytetarëve. Basha përsërit kërkesën për faljen e kamatvonesave mbi faturat abuzive, pezullimin e pagesave për faturat e ankimuara, dhe trajtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve.
Protesta e fuqishme e qytetarëve kundër arbitraritetit të qeverisë, e detyroi Edi Ramën të kthehet nga kursi i tij i marrë, i ndëshkimit kolektiv, i burgosjes së qytetarëve për shkak të pamundësisë për të shlyer faturat e larta dhe abuzive të energjisë elektrike.
Edi Rama nuk u la qytetarëve asnjë alternativë tjetër përpos qelisë së burgut, asnjë mundësi, nuk hapi asnjë vend pune, por mbylli me dhjetëra mijë të tillë, nuk krijoi asnjë mundësi për familjet që mezi ushqejnë fëmijët.
Ne, opozita, Partia Demokratike kërkuam në mënyrë të përsëritur, që qeveria të aplikonte një sistem ku t’u jepte mundësi qytetarëve të shlyenin detyrimet e tyre me këste të përballueshme. Kërkuam shansin që detyrimet e ligjshme të paguheshin me këste të përballueshme dhe të arsyeshme.
Por Edi Rama insistoi në kursin e tij të marrë, duke u shtrënguar qytetarëve të vendit lakun në fyt. Kërkoi t’u marrë edhe kacidhen e fundit, por kur u mori dhe kacidhen e fundit dhe qytetarëve u mbeti vetëm shpirti, i plasi edhe në burg, me aksione policore banditeske që nuk kursyen as gra, kryefamiljarë, e vajza të mitura.
Dhe teksa tundte kërbacin mbi qytetarët e pamundur, vetë ai, Edi Rama, solli në krye të OSHEE-së, hajdutë të pashembullt të energjisë, persona më precedentë penalë, militantë të verbër pa asnjë arsimim, të zhytur në abuzime e korrupsion, te cilët nëpërmjet abuzimit me mbifaturim apo vendosjes se faturave aforfe, sollën mundësi reale mospagimi nga qytetaret.
Tërheqja që bëri sot Edi Rama nga kursi i tij i marrë është një lëvizje e detyruar nga bashkimi i zërit të qytetarëve në protestën e madhe popullore të 22 nëntorit.
Nuk është një zgjedhje e tij, të jemi të qartë. Zgjedhja që bëri Edi Rama, ishte e kundërta, ishte kundër zërit të qytetarëve, kundër kërkesave të përsëritura të tyre dhe të opozitës.
Ai refuzoi të dëgjonte shqetësimin e tyre, refuzoi të dëgjonte zërin e tyre, derisa u përball me protestën e madhe të 22 nëntorit në Tiranë. I gjendur përballë sovranit që nuk e mban dot me policë, sado ti shtosh ata, ai u detyrua të sprapset.
Prandaj, kjo është një fitore e qytetarëve. Eshtë një fitore e bashkimit të zërit të qytetarëve në protestë.
Por deri tani, zgjidhja e plotë dhe përfundimtare është ende larg.
Sot dua të përsëris propozimin e Partisë Demokratike:
-për faljen e të gjithë kamatvonesave të debitorëve të energjisë elektrike të akumuluara ndër vite si pasojë e abuzimit me faturën e energjisë elektrike nga ana e shtetit.
-Pezullimin e pagesës së faturave, për të gjithe rastet për të cilat ka një ankimim si mbifaturim, pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të këtyre faturave dhe mosnderprerjen e energjisë për qytetarët.
-Ngritjen e një sistemi verifikimi të shpejtë për të gjitha ankesat e akumuluara për këtë çështje, për t’i kthyer përgjigje në kohë qytetarëve dhe për të shmangur në kohë pagesat dhe akumulimin e faturave abuzive dhe kamatvonesave.
Partia Demokratike i inkurajon qytetarët dhe çdo familje në vend, të shlyejnë detyrimet e njohura dhe të pakontestuara të energjisë elektrike.
Por ne nuk do të lejojmë për asnjë moment eksperimente kriminale mbi shoqërinë, mbi qytetarët, pabarazinë para ligjit, dhe dhunimin e të drejtave themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Kjo e sotmja është një arritje e demokracisë, e protestës dhe bashkimit të zërit të qytetarëve si fuqi supreme dhe e papërballueshme nga çdo qeveri. Ky është mësimi sot.
Protesta jonë e drejtë, protesta e qytetareve do të vazhdojë derisa të gjitha kamatvonesat të falen e të eleminohen nga sistemi i faturimit bashkë me faturat abuzive.
Vetëm protestat do ta ndalin planin e çmendur të Edi Ramës për rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave dhe përkeqësimin e mëtejshëm të ekonomisë, që është futur tashmë në recensionin Rama-Meta, përmes politikave të tyre të papërgjegjshme.
Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2 Dhjetor 2014