Prononcim i Kryetarit të PD pas takimit me Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian z.Knut Fleckenstein
“E kam nënvizuar që prej shtatorit se opozita kërkon të jetë në Kuvend, por në një Kuvend që funksionon sipas ligjit dhe Kushtetutës, që nuk i shkel dhe nuk i nëpërkëmb ato; në një kuvend i cili përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë dhe jo interesat e grupeve kriminale.
Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi. Mendoj se i vlen rezultatit që presim jo vetëm ne si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë: një parlament mirëfunksional ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit, ligjet, e ku fjala e lirë nuk kërcënohet dhe as nuk dhunohet nga përfaqësues të krimit të organizuar”.
Dekriminalizimi i Kuvendit dhe rikthimi i jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian të Shqipërisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot Eurodeputetin Knut Fleckenstein, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe një nga dy të ngarkuarit e Parlamentit Europian për të ndihmuar në kapërcimin e krizës politike parlamentare në vendin tonë.
Zoti Basha e falenderoi zotin Fleckenstein për përpjekjet e tij dhe për rolin pozitiv e ndihmën konkrete që ai dhe Eduard Kukan po japin në misionin e ngarkuar për zgjidhjen e krizës parlamentare në vend.
Qytetarët shqiptarë dhe opozita nuk mund të pajtohen as me përdorimin e një grupi të strukturuar deputetësh me rekorde të krimit të organizuar, për të dhunuar, kërcënuar dhe shuar fjalën e lirë të opozitës në Kuvend dhe as me eliminimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare nga mazhoranca përmes shkeljes flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, theksoi zoti Basha. Dekriminalizimi i Parlamentit nuk është bamirësi ndaj opozitës, por domosdoshmëri për Shqipërinë, për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe për rikthimin e jetës parlamentare.
Opozita përshëndet dhe mirëpret angazhimin dhe asistencën e Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Europian për një marrëveshje politike shumicë-opozitë që do ti hapë rrugë dekriminalizimit të Kuvendit dhe rikthimit të jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore, janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.