Drejtues të Partisë Demokratike dëgjojnë banorët e zonës, prona e të cilëve po prishet pa transparencë, pa procedurë, pa ligj
Partia Demokratike i është bashkuar sot protestës së banorëve të Komunës Hudënisht në Pogradec të cilët protestojnë kundër prishjes në masë të ndërtesave të tyre, në shkelje të ligjit dhe të drejtës themelore, sicc është ajo e pronës. Deputeti Edmond Spaho, kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut, Ervin Salianji dhe zyrtarë të PD-së së degës denoncuan publikisht prishjen e këtyre ndërtimeve në mungesë të plotë transparence, pa njoftuar banorët dhe për më tej pa dhënë llogari për projektin që kërkohet të investohet në këtë komunë.
“Jemi sot në zonën e Hudënishtit, në mbështetje të banorëve. Prej katër ditësh e ngrenë zërin, dalin përditë në protestë nga mëngjesi në darkë, por asnjë përfaqësues nga qeveria nuk vjen që ti takojë dhe tu japë shpjegim se përse shtëpitë e tyre duhet të prishen, përse banesat e tyre pronë private apo qoftë edhe disa biznese në disa raste, duhet të prishen dhe për qëllimin e kujt po prishen. Sot kam me vete akt-marrëveshjen që ka bërë Komuna e Hudënishtit me Ministrinë e Zhvillimit Urban, sipas të cilës pronat e këtyre banorëve të këtyre qytetarëve prishen për shkak të një projekti që do ta financojë qeveria dhe që e ka komuna. I kërkojmë sot komunës por edhe qeverisë, të nxjerrin projektin mbi bazën e të cilit prishen shtëpitë e këtyre banorëve, ta bëjnë publike këtë projekt. Në rast se nuk kanë ndjekur linjën normale që komuna ta ketë derguar në ministrinë e linjës dhe ministria ta çojë në qeveri për t’i shpronësuar sipas një interesi publik dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, atëhere kryetari i komunës duhet të shkojë për ndjekje penale, sepse kërkojnë t’ua prishin shtëpinë dhe tu marrin të drejtën e pronës që është e drejta më e rëndësishme që e keni të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj”, tha Salianji.
Kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut tha se INUK nuk po respekton asnjë normë ligjore në prishjen e këtyre ndërimeve, madje në mungesë të plotë të dokumentacionit, banorët janë njoftuar me copa letrash me shkrim dore të firmosur nga drejtori rajonal i INUK.
“Kanë ardhur t’ua shkatërrojnë dhe t’u bëjnë presion pa asnjë dokument të ligjshëm, duke mos u lënë mundësinë të shkojnë në gjykatë. Dua t’u tregoj një rast se si funksionon qeveria si një bandë mafioze. Kjo është shkresa që drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor të Korçës i ka dërguar një banori për t’i prishur banesën. Me këtë shkresë, duke mos respektuar asnjë procedurë dhe asnjë ligj, qeveria kërkon t’ju marrë pronën, t’ju marrë jetën në fakt. Shkresa si këto qytetarët mund të bëjnë pafund. Prandaj i bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë që të vijë këtu me banorët. Banorët e kësaj zone nuk janë armiqtë e qeverisë, nuk janë armiqtë e askujt, janë banorë të cilët me mund e sakrifica kanë ndërtuar këto banesa dhe këto prona. Të vijnë dhe t’i dëgjojnë dhe t’u japin zgjidhje në përputhje me ligjin dhe në zbatim të ligjit, jo t’u bëjnë presion. Mos guxojë qeveria dhe te mos i shkojë nëpërmend që mund t’u bëjë presion nëpërmjet policisë, shefit të komisariatit, apo kujtdo bande tjetër që e përdor për qëllime përfitimi dhe për qëllimet e veta”, deklaroi Salianji.