Thellohet skandali i fondeve publike që përfiton kompania disa mujoreshe e krijuar dhe e rritur nga qeveria Rama. Specialistja e prokurimit kundërshtoi procedurën, njeriu i Veliajt e kërcënoi me largim nga puna. Specialistja iu drejtua me ankesë me shkrim Edi Ramës ku denoncoi korrupsionin, por nuk mori përgjigje.
Skandali korruptiv me kompaninë qeveritare EAG, thellohet edhe më shumë me faktet e reja që dalin në dritë.
Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit, me presione e kërcënime sistematike, që të firmosë procedurën e paligjshme, sepse paratë i duheshin kaluar me cdo kusht kompanisë EAG.
Drejtuesja e Agjensisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Erion Veliaj, ka vendosur t’i kalojë 25 milionë firmës, me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur, dhe ndërkohë produkti ekzistonte.
Pra thjesht duheshin sajuar letrat që EAG të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë.
Specialistja e prokurimit, Luiza Gjonaj, ka kundërshtuar drejtoreshën, duke i thënë se kjo është e paligjshme.
Por njeriu i Veliajt, Ina Verzivolli ka insistuar, dhe e ka shantazhuar me largim nga puna zonjën Gjonaj nëse nuk do të firmoste që paratë të shkonin për EAG-në.
Në këto kushte, specialistja i drejtohet me një ankesë Ministrit Veliaj dhe Kryeministrit Rama, duke u bërë të ditur shkeljet dhe abuzimin që po ndodhte në agjensi.
Kemi këtu letrën që zonja Gjonaj i ka dërguar Edi Ramës dhe ministrit të tij Veliaj.
“Kryetarja e Agjensisë na vendosi para urdhërit për të filluar procedurën e prokurimit, pa shpallje paraprake”, shkruan Gjonaj.
“7 ditë para se të nxirrej urdhëri për fillimin e procedurës, kryetarja e agjensisë e kishte vendosur se cila kompani private do të fitonte, madje produkti ishte prodhuar ndërkohë”, shkruan Gjonaj në ankesën drejtuar Ramës.
“Kjo mënyrë veprimi, në shkelje të cdo lloj norme ligjore, duke detyruar punonjësin me të gjitha format për të firmosur procedura fiktive, duke paracaktuar fituesin për të prodhuar mallra e shërbime që paguhen nga institucione, s’është gjë tjetër vetëm përfitim i paligjshëm”, i shkruan Ramës dhe Veliajt, specialistja.
Po sigurisht, asnjë përgjigje nuk erdhi nga Edi Rama. As nga Erion Veliaj. Nuk mund të ketë përgjigje, sepse EAG është krijuar, është rritur dhe po pasurohet cdo ditë, me bekimin e qeverisë.
Kjo kompani qeveritare që zotërohet nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, ka arritur në 8 muaj të marrë 520 milionë lekë nga shumë zyra e agjensi qeveritare, pra është majmur me taksat e shqiptarëve.
Kjo është shëmbëlltyra e kësaj qeverie.
Teksa qytetarët varfërohen cdo ditë, humbasin cdo ditë vendet e punës, biznesi i qeveritarëve me taksat e shqiptarëve rritet dhe llogaritë e tyre bankare fryhen.
Kjo e keqe po sundon sot në Shqipëri.
Por qytetarët do ta ndalin përpara se të jetë vonë.