Drejtuesi i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Boci denoncon kursin e Edi Ramës që përjashton nga e Drejta Kushtetuese për Arsimin e Lartë 40 përqind të studentëve. Rritja e tarifave financiare tjetër akt armiqësor ndaj studentëve, dhe favorizim i klientelës private. Protesta e tyre është e drejtë dhe do të mbështetet nga qytetarët.
Edi Rama nuk po tërhiqet nga kursi i tij i mbrapshtë, i politikës agresive, madje armiqësore me studentët.
Megjithëse kërkesat e studentëve janë të drejta e legjitime, Edi Rama po rezufon të dëgjojë zërin e tyre.
Nga njëra anë, studentët po shtrëngohen të paguajnë 40 përqind më shumë tarifën e shkollimit, në një kohë kur varfëria e papunësia po thellohet në mënyrë dramatike, por më e keqja Edi Rama ka vendosur të heqë në mënyrë arbitrare të drejtën kushtetuese për arsim të lartë, për 40 përqind të studentëve.
Ulja e kuotave për master me 40 përqind, është thjesht përjashtim me dhunë e 40 përqind të studentëve që kanë mbaruar nivelin e parë, nga e drejta e tyre themelore për arsimin e lartë.
Të përjashtuarit nga Edi Rama, që janë mijëra studentë, gjenden sot në udhëkryq, pasi kanë investuar 3 vite të jetës së tyre, dhe kursimet e prindërve, për një gjë që nuk vlen fare në tregun e punës.
Studentët që kanë mbaruar 3 vitet e bachelorit, por që nuk lejohen nga Edi Rama të vazhdojnë studimet për nivelin e dytë të masterit, janë pa profesion, pasi mundësitë për punësim me këtë nivel arsimor janë zero.
Ky vendim i Ramës është në dëm të interesave të mijëra studentëve e familjeve të tyre, por është një vendim që favorizon klientelën e tij, pasi këta të rinj do të jenë të detyruar të hyjnë në borxhe të mëdha financiare për të plotësuar shkollimin tek privatët.
Ministria e Arsimit gënjeu publikisht dy ditë më parë.
Tarifat për studentët janë rritur me rreth 40 përqind. Kuotat për studentët për nivelin master janë ulur po ashtu me 40 përqind. Kjo është e vërteta.
Por studentët s’do ta lejojnë të keqen. Ne dhe qytetarët e vendit, do të jemi në protestë bashkë me ta për kauzën e tyre të drejtë.