Kryetari i Partisë Demokratike i bën qeverisë apel nga Korca: Mos shkelni mbi djersën e shqiptarëve, durimi i popullit po soset
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dëgjuar nga afër shqetësimet e fermerëve ne Pojan, Zvezdë, Zëmblak, Tvoran, të cilët po përballen me një situate tepër të vështirë. Mijëra tonë prodhime bujqësore, si patate, qepe fasule, e molle, po u kalben nëpër magazina. Çmimi i naftës, i plehrave, i farërave, dhe i pesticideve është rritur, kostot e prodhimit janë më të larta se kurrë, ndërsa fuqia blerëse ka rënë. Fermerët shprehën shqetësimin për favorizimin që po u bëhet kompanive importuese të produkteve bujqësore. Po kështu, fermerët te cilët sot llogarisin miliona dëme, i bënë të ditur zotit Basha se nuk kanë marrë asnjë subvencionim. Në të gjithë qarkun e Korçës, theksuan ata, janë shpërndarë subvencione për katër personat te cilët merren me shitblerje toka.
“Të gjitha, dhe plehrat kimike dhe pesticidet janë rritur gati 15%. Premtuan që do të subvencionin prodhimin me skemat që bënë bujë por deri tani asnjeri s’ka marrë asgjë, unë kam 40 kuintal (fasule) gjendje në magazinë. Me çfarë te ardhurash do të mbjell unë për mot?”, shprehet një fermer.
Basha: Pse nuk shite këtë vit?
“kanë futur nga jashtë”
“Para tre vjetëve e andej kam marrë 10 milion në 6 dynym. Tashi vjen puna mbledhim supet,tani me çfarë lekësh do shkojmë ne të blejmë ato plehrat kimike, naftën si do ta marr që thotë ai ula naftën, çfarë nafte ka ulur, çmimi është 1780”, ankohet një fermer i zonës.
Basha: Në vend që të fabrikojë realitete nga ekrani i TV, të vijë dhe t’i shikojë vetë se çfarë ka bërë. Ja kjo është vepra e tij.
“T’i ndalojnë prodhimet që hyjnë që nga Italia e nga hyjnë, që ta shesë fshatari. Shumë investime që erdhën këtë vit ne qarkun e Korçës i morën katër vetë, te cilët shumë pak kanë të bëjnë me bujqësinë”, denoncon një fermer.
“Dvorani sivjet ka fundosur fare. Kemi vënë lekë nga xhepi dhe nuk e përballojmë dot jetesën”, pohon një banor i fshatit.
“Të tëra shpenzimet më kanë ikur në greminë bashkë me Edi Ramën, bashkë me autobuzin që doli fshat më fshat dhe qytet që na bëri ato premtimet. S’kanë bukë të hanë njerëzia që jeton nëpër fshatra e ju thoni shpenzime, as gjë bukë s’kanë të hanë”, pohon një banor.
“Kam paguar jo më pak se 5 milion lekë me ilaçe dhe tani s’po shitet malli, gjynah. Ku të ha bukë unë, të vete të vjedh. Atëherë qeveria të vërë dorë këtu të bllokojë doganat t’i shesë, pastaj t’i hapë”.
Basha i ka bërë thirrje qeverisë të reflektojë pa humbur kohë, të mbajë premtimet që dha për bujqësinë. “Njerëzve u ka ardhur laku në fyt,- tha zoti Basha, ndërsa qeveria ia doli që në një vit t’i kthejë fermerët 10 vite pas”. “Fermerët janë në krizë, bujqësia është para kolapsit”,- theksoi kryetari i opozitës. “Përgjegjësinë për naftën e ka qeveria, përgjegjësinë për çmimin e plehrave e ka qeveria, përgjegjësinë për importin që po bën kërdinë në mënyrë korruptive duke i lënë produktet tuaja të kalben në fushë, e ka qeveria. Përgjegjësitë e tyre do t’i mbajnë një për një. Shqiptarëve u ka ardhur laku në fyt dhe kjo qeveri nuk është më as socialiste, as liberale, por është qeveri oligarkike që mendon vetëm për veten e vet”,- deklaroi zoti Basha.