Deputetja Tabaku denoncon efektin shkatërrues që do të ketë rritja e çmimit të energjisë për 75 % të familjeve shqiptare dhe për biznesin.
Siç është bërë tashmë zakon, në ditët e fundit të vitit, qeveria u dhuroi shqiptarëve një dhuratë për vitin e ardhshëm; rritjen e çmimit energjisë elektrike!
Nga 1 janari i vitit 2015 shqiptarët do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Ato shtresa në nevojë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuara e kushdo që ishte i mbrojtur deri më sot, falë qeverisjes socialiste do të paguajnë 9.4 lekë/ këh në vend të 7.7 lek / këh (dhe kjo pa TVSH). Plot 24 përqind më shumë!
Dje propaganda qeveritare po përpiqej të na mbushte mendjen se çmimi mesatar është më i ulët! Unë nuk e di se cilit shqiptar i intereson çmimi mesatar. Askujt nuk i duhet se sa ka qenë mesatarja. Por të gjithë me një aritmetikë të thjeshtë, e kemi të qartë që nga viti i ardhshëm 75% e familjeve shqiptare do të paguajnë 24% më shumë.
Të qartë e kanë edhe qytetarët të cilët me të drejtë prisnin nga qeveria heqjen e TVSH-së për energjinë e si këmbim të votës së besuar ajo u dhuroi rritjen e çmimit të energjisë.
Akoma më të qartë, për fat të keq, e kanë ato nevojtarë që i besuan taksimit progresiv të qeverisë, dhe sot 97% e tyre po mbajnë mbi shpatulla taksat e rritura.
Të qartë e ka dhe qeveria, që po përpiqet të shpikë gjithçka për të mos thënë të vërtetën. Shqiptarët do të paguajnë më shumë nga Janari për energjinë elektrike, ashtu siç sot paguajnë më shumë për taksa. Shqiptarët do të jenë më të varfër nesër se sot, sepse shteti po dështon të luajë rolin e tij social. Sepse shteti për shkak të paaftësisë po zgjedh rrugën më të lehtë, atë të ngopjes me taksa qytetarëve.
Shqipëria reale është shumë ndryshe nga ajo virtuale, ku duket se kalon kohë së fundmi kryeministri dhe stafi i tij.
Miku i biznesit pasi u përkujdes në rritjen e taksave për shumicën prej tyre, tashmë krenohet se nuk kemi më një taksë të sheshtë prej 10% por e kemi prej 15%. Po u shton dhe një barrë tjetër mbi to, rritjen e çmimit të energjisë. I cili, do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e produkteve dhe njëkohësisht në kostot e biznesit. Duke shtrenjtuar akoma më tej jetesën! Duke i hapur rrugën kështu një tjetër viti të vështirë dhe depresiv!
Për bizneset e mëdha rritja e cmimit të energjisë është 11.8% ndërkohë që ka sektorë si Industria rritje me 33% e Bujqësia rritje me 35%.
Në ç’do vendim që kjo qeveri merr filozofia është e qartë! Kush shpenzon më pak paguan më shumë, kush shpenzon më shumë paguan më pak!
Kryeministri që ka dëshirë të ndërtojë Republikën e tij brenda mureve virtuale, duhet të kuptojë se shqiptarët e kanë të pamundur të jetojnë nën këtë trysni që dita ditës po bëhet më e vështirë për t’u përballuar. Dhe qytetarët do të dalin nga kjo spirale krize, do ta ndalin të keqen të bashkuar në protestë.