Deputetë të Partisë Demokratike dhe drejtuesit e Departamenteve zhvilluan sot një bashkëbisedim me studentët e drejtësisë, në lidhje me rëndësinë që ka ndërgjegjësimi për efektet dramatike që sjell në shoqëri dhuna në familje. Dënohet neglizhenca e qeverisë, në projekte dhe fonde
Deputetët demokratë dhe drejtues të departamenteve të Partisë Demokratike, organizuan një audiencë me studentë të Fakultetit Juridik, Universiteti Luarasi, në lidhje me dhunën në familje. Takimi i titulluar ‘’Të gjithë bashkë kundër dhunës për një Shqipëri europiane’’, synoi ndërgjegjësimin dhe trajtimin ligjor të dhunës në familje.
Dekani i Universitetit z.Dariel Sina, tha se takime të të tilla janë të një rëndësie të veçantë nisur nga përballja dhe shkëmbimi i opinioneve mes parlamentarëve dhe studentëve veçanërisht për tema të nxehta si ajo e dhunës.
Kryetarja e Komisonit të Çështjeve Sociale, Vokshi, tha se Universiteti mbetet gjithmonë një mjedis ideal për trajtimin e çështjeve sociale dhe me ndjeshmëri të lartë si ajo e dhunës ndaj gruas dhe në familje.
‘’Ju si studente duhet të nxisni edhe më tepër frymën e dialogut, pjesëmarrjes, jo vetëm në kurrikulat akademike por dhe ato në tema shoqërore. Pse jo të promovoni audienca në aulën universitare për çështjet e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe problematika të çështjeve të grave dhe barazisë gjinore, në takime me deputetë, politikanë, intelektualë dhe anasjelltas brenda në Parlament”.
Vokshi tërhoqi vëmendjen se vetëm nga statistikat zyrtare rezultojnë një mijë raste dhunimi të grave dhe fëmijëve më tepër se viti i kaluar, ndërkohë që qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond në buxhet për ngritje qendrash rehabilitimi apo programe riaftësimi per viktimat e dhunës.
Partia Demokratike hartoi një amendim buxhetit për trajtimin e grave te dhunuara por kjo ra në vesh të shurdhët dhe në mospërfillje, tha Vokshi. Ajo solli në vëmendje se mentaliteti i dhunës zotëron brenda në Parlament ku kandidate për deputete spostohen nga lista për t’ia lenë vendin burrave të fortë të politikës.
‘’Studentet duhet edhe më shumë të përfshihen në nisma vullnetarizmi në ndërgjegjësimin e shoqërisë kundër dhunës ndaj grave. Eksperiencat evropiane veçanërisht ato britanike dëshmojnë për një sukses të madh të përfshirjes së të rinjve në fushatë sensibilizimi dhe të vetë grave që të mos heshtin ndaj dhunës. Nuk është turp të denoncosh, të dëshmosh. Heshtja vret. Zëri i grave të dhunuara është ndërgjegjia e shprishur e secilit prej nesh, mashkull apo femër qoftë. Evropa nuk mund të na pranojë me dhunë dhe liri e të drejta të cënuara njerëzore. Një model shoqërie të tillë s’mund ta afrojë dhe ta pranojë asnjë civilizim evropian”.
Deputetja Mesila Doda tha se nëse një grua nuk fuqizohet në politikë dhe në ekonomi, shoqëria do të dështojë. Zonja Doda shpjegoi lobimet e forta që deputetet demokrate kanë bërë në Kuvend për çështjen e kuotimit në listat fituese për gratë që konkurrojnë në politikë. Në këtë frymë, tha ajo, ne kemi kërkuar amendim të Kodit zgjedhor që 30% të jetë kuotim real dhe jo trukim i partive për të marrë mbështetjen e tyre.
Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, tha se beteja kundër dhunës nuk duhet të jetë beteja e grave për gratë por dhe e burrave dhe e gjithë shoqërisë pasi dhuna ndryshon familjen, deformon ekuilibrat brenda saj dhe të vetë shoqërisë.
Zonja Bregu ngriti me shqetësim heshtjen e institucioneve më të larta të drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme, KLD dhe vetë Ministria e Brendshme në kërkesën për informacion mbi vendimet e dhëna nga gjyqësori për gratë e dhunuara dhe për rolin që ka policia si palë në proces në përfaqësimin dhe mbrojtjen e viktimave në rastin kur gratë tërrheqin padinë.
Nuk ka ndjeshmëri dhe përgjegjësi në trajtimin e dhunës me bazë gjinore nga sistemi drejtësisë dhe institucioneve, tha ajo.
Në takim u fol për amendimet që i nevojiten Kodit Penal kundër dhunës me zhvillimet marramendëse të mediave sociale në komunikimin njerëzor. Duke iu përgjigjur interesimit të madh të studentëve për trajtimin më dinjitoz social që shteti duhet ti bëjë viktimave të dhunës deputetet i propozuan studentëve, juristë të ardhshëm, të propozojnë vetë amendime ligjore dhe ti depozitojnë në Kuvend.
Deputetja Jorida Tabaku duke iu përgjigjur pyetjeve mbi diskriminimin në paga të grave tha se femrave në Shqipëri u privohen shanset për të konkurruar në poste drejtuese në kompani biznesi apo instutucione, pengesë që ndikon dhe tek pagat. Zonja Tabaku tha se deputetët demokratë do paraqesin amendime ligjore për strehimin dhe punësimin profesional të grave në nevojë dhe kryefamiljare, si mundësi për jetë më të mirë për to dhe fëmijët. Ajo tha se motoja botërore kundër dhunës këtë vit ka qenë 50 me 50 që do të thotë se kjo kauzë kërkon angazhim të barabartë të burrave dhe grave për një shoqëri të zhvilluar.
Pjesëmarrës në panel, drejtues të departameneteve në Partinë Demokratike Tritan Shehu, Bashkim Shehu dhe Ervin Salianji, theksuan nevojën e ndryshimit të trajtimit të grave të dhunuara në komisariatet e policisë, nevoja për prezencën e psikologëve në mjediset e rendit dhe gjykatave si dhe trajtimit më profesional nga ana e shtetit i cili nuk shton qendrat pritëse për gratë e dhunuara.
Zoti Salianji tha se skandali i fundit i dërgimit të një nëne me fëmijën e mitur në komisariat, thyen të gjitha normat dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.
Drejtuesit e departamenteve i bënë apel qeverisë të fokusojë vëmendjen tek integrimi shoqëror dhe ekonomik nëpërmjet hapjeve të vende të punës të grave të dhunuara e jo të shtojë buxhetet për rritjen e numrit të policëve.