Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun dënon skemën e Kryeministrit, larg realitetit që nuk njeh gjendjen dhe vështirësitë ekstreme të qytetarëve dhe familjeve ne vend. E vetmja zgjidhje, falja e kamatvonesave, pezullimi i faturave abuzive, dhe shqyrtimi i ankesave të abonenteve.
Edi Rama po provon çdo ditë se nuk e njeh realitetin dhe vështirësitë ekstreme ku jetojnë shqiptarët.
Kryeministri që po e zhyt në varfëri çdo vatër, çdo familje të vendit, del dhe thotë se shqiptarët i paskan paratë për të paguar energjinë, por nuk duan ta paguajnë atë.
Paguajeni në dorë, thotë dhe ai do tregohet bujar, do u falë 80 përqind të kamatës.
Kjo është skema e tij për pagesat, një skemë hiç më pak se sa kriminale.
Kryeministri i akuzon qytetarët, të cilët mbijetojnë çdo ditë, se i paskan paratë të fshehura diku, po thjesht nuk duan të paguajnë energjinë.
Shqiptarët, z.Rama nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë!
Nuk kanë me se të paguajnë, sepse ke mbyllur dhe nuk ke krijuar asnjë vend të ri pune!
Shqiptarët nuk kanë mese të paguajnë, sepse faturat që kanë vendosur xhelatët e tu të OSHEE-së, janë abuzive, janë kriminale. Dhe dhjetë herë më shumë janë abuzive dhe kriminale kamatvonesat mbi to.
Shqiptarët, falë këtij kryeministri kanë humbur 22 mijë vende pune, falë këtij kryeministri hasen sot me çmime të rritura, me taksa të rritura, dhe me të njëjtën pagë e pension, pavarësisht se jetesa është shtrenjtuar.
Ndaj gjoja-skema e paraqitur dje është vetëm hedhje hi syve.
Nëse kryeministri i ka sytë e zënë, nga qeverisja me klientët e për klientët e tij, mbarë opinioni publik e sheh qartë se ky është një marifet i papranueshëm, për të kaluar radhën.
Shqiptarët, z.Rama nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë.
Kjo është një lojë e paturpshme që ky kryeministër luan me popullin e tij. T’u marrësh kacidhen e fundit qytetarëve, t’u marrësh dhe lirinë duke i arrestuar e burgosur, kur nuk u ka mbetur asgjë pos shpirtit, është thjesht sjellje prej gangsteri.
Hajdutëria e energjisë, afera më korruptive e kohëve moderne, më e madhja në gjithë rajonin, ndarja e 600 milionë eurove me kompaninë CEZ, nuk mbulohet duke zhvatur nga xhepat e shqiptarit të thjeshtë. Një ndarje ku me siguri ka hisen e tij dhe kryeministri, si autor i gropës më të madhe financiare që i është krijuar vendit dhe pasurisë publike.
Ka vetëm një zgjidhje, falje të kamatvonesave, pezullim të faturave abuzive, shqyrtim të shpejtë të ankesave të abonentëve.
Errësira që ka mbjellë kjo qeveri në shtëpitë e qytetarëve është kriminale.
Por shqiptarët dalin në dritë, dhe e treguan këtë me 22 nëntor!
Do ta tregojnë sërish!
Ne jemi me ta, dhe protesta nuk ndalet derisa të ketë drejtësi.
Derisa e keqja të marrë udhët.
Deklaratë e Sekretares për Marrëdhënien me Publikun, Grida Duma, 3 Dhjetor 2014