Kryeministri u kërkoi qytetarëve të denoncojnë tek ai dhe ministrat. Në rastin më të parë, Rama nuk shqyrtoi letrën me fakte e informacion për tenderin e Veliajt për EAG
Pak ditë më parë, dhe kjo është e freskët në arkivat e medias, Edi Rama u kërkoi qytetarëve t’i drejtoheshin atij për të denoncuar korrupsionin. U kërkoi qytetarëve që t’i drejtoheshin edhe ministrave për të denoncuar korrupsionin.
Ja ku kemi këtu ankesën e zonjës Gjonaj, specialiste në agjensinë e Veliajt, drejtuar Edi Ramës. Ankesë drejtuar edhe ministrit Veliaj. Zonja Gjonaj denoncon tenderin fiktiv, shkeljen e ligjit me motiv përfitimin, pra denoncon korrupsionin. Me fakte e me informacion konkret. Denoncon presionin e vazhdueshëm që drejtoresha e Veliajt i ka bërë për të firmosur që EAG të merrte para nga taksat e qytetarëve për një produkt e shërbim që ekzistonte.
Çfarë bëri Edi Rama me këtë ankesë të qytetares Gjonaj?! Asgjë. Sigurisht as ministri i tij. Edi Rama nuk i ka kthyer përgjigje specialistes Gjonaj sepse ai e ka lejuar korrupsionin të ndodhë.
Me Edi Ramën lindi, u rrit dhe po pasurohet kompania EAG, që i përket ministrit dhe stafit të tij të ngushtë. U tha qytetarëve me shkruani, denonconi korrupsionin. Ja ku e ka rastin konkret. I vetmi reagim ndaj këtij rasti të pastër korruptiv, ku agjensia e Veliajt i jep 25 milionë lekë EAG-së, është kërcënimi i vazhdueshëm ndaj specialistes që nuk u pajtua me shkeljen e ligjit dhe që u ankua tek Edi Rama.
Është e qartë se në momentin më të parë që u vu me provë, thirrja e Edi Ramës drejtuar qytetarëve për të denoncuar korrupsionin doli se është një ngrehinë e rremë, një flluskë e madhe boshe.
Mosreagimi i Ramës ndaj këtij rasti, ndaj këtij skandali ku është përfshirë ministri i tij dhe stafi i tij i ngushtë, është një mesazh i qartë për qytetarët. Mos denonconi korrupsionin, sepse korrupsioni jam vetë unë, thotë Edi Rama.