Deputetja Tabaku denoncon skemën cinike e abuzive të shpërblimeve që ka vendosur kryeministri për fundvitin. Kothere e ndarë sipas preferencave të tij dhe interesave elektorale.
Në përpjekje për të larë, sadopak gjynahet e një viti në keq-qeverisje, mazhoranca po përtyp cinizmin e radhës duke shpërndarë atë që deri dje e ironizonte. Kryeministri Rama ka vendosur t’i japë vetëm një kategorie të caktuar nënpunësish dhe qytetarësh një shumë parash si për të krijuar përshtypjen se është një qeveri sociale.
Duhet t’i rikujtojmë mazhorancës së sotme se nga 2005 deri në 2012, në shpërblim janë përfshirë të gjitha kategoritë sociale në nevojë. Ndërkohë që qeveria e rilindur dhe sociale pasi mori një vit pushim u caktoi vetëm 18 miliardë lekë shpërblime vetëm një kategorie të caktuar. Ndërkohë që vetëm shpërblimi i fundit i fundvitit ai i vitit 2012 ka qënë në vlerën 32 miliardë lekë.
Siç edhe na lajmëroi Kryeministri nga foltorja e Parlamentit, filozofia e shpërblimit të këtij viti ka qenë e bazuar në preferencat e tij.
Kjo filozofi shpërblimi e ka shndërruar në lëmoshë shpërblimin e djeshëm të pensionistëve dhe në kothere shpërblimin nga fondi i veçantë për administratën.
Shpërblimi i premtuar nga Rama prej 2 mijë lekësh për pensionistët është lëmoshë po të krahasohet me shpërblimin prej 5 mijë lekësh që ata kanë marrë deri në 2012, ndërsa shpërblimi i administratës nga fondi i veçantë është kothere për ata që marrin fletë lavdërimi në krahasim me shpërblimet deri në 2 paga që merrnin nënpunësit civil për kontribute gjatë vitit dhe 10 mijë lekë për festat e fundit të vitit.
Fjalimi i z. Rama, është një autokritikë që ai dhe mazhoranca i bëjnë vetes së tyre për opozitën e djeshme duke konfirmuar se:
Së pari, Politika e shpërblimeve deri në 2012 paska qënë e drejtë dhe po përpiqet që ta zbatojë edhe ai;
Së dyti, megjithëse një qeveri e djathtë shpërblimet e fundit te vitit nuk ishin diskriminuese si të Ramës sepse u jepeshin të gjithë pensionisteve njëlloj pa i ndarë në çifte dhe kryefamiljarë, dhe të përndjekur apo veteranë si edhe të gjithë nënpunësve;
Ndonëse Rama u tërhoq nga talljet e dikurshme për shpërblimet, Partia Demokratike i shikon me mosbesim premtimet e tij dhe i kërkon atij të garantojë dhënien në kohë të shpërblimeve të premtuara, duke qënë se janë të vonuar dhe veprimet e thesarit sipas ligjit janë mbyllur.
Gjithashtu i kërkojmë Kryeministrit që të na shpjegojë shpërblimin me 5 mijë lekë për veteranët e luftës mbi moshën 65 vjeçare. A është ky shpërblim si pasojë e prapashtesës veteran apo si pasojë e faktit se këto persona janë pensionistë?!
Njësoj si të përndjekurit politik, që pasi i gënjeu me shpërndarjen e kësteve dhe rritjes së dëmshpërblimit të tyre vazhdon t’i gënjejë me një lëmoshë që po ua jep si pensioniste e jo si të përndjekur!
Pasi rriti kuotat e Arsimit të Lartë Publik me rreth 30%, dhe pasi mori nga xhepat e familjeve shqiptare që kanë fëmijë mbi 8 miliardë lekë, qeveria ka menduar të shpërblejë cinikisht studentët më të mirë me një shumë prej rreth 5 mijë lekësh.
Ndërkohë që premtimi për Shëndetësi Falas, mbetet në sirtarët e një programi të cilit i kanë humbur fletët, qeveria ka vendosur që të shpërblejë vetëm një grup të caktuar mjekësh. Të cilët nuk e dimë mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur, përderisa asgjë nuk është bërë transparente. Në të njëjtën mënyrë ka vendosur të shpërblejë vetëm një grup policësh duke i trajtuar kështu mjekët dhe policët, e jo vetëm, si disa të nënës e disa të njerkës.
Mazhoranca, ka vendosur që shumën e parave të cilat nuk ia shpërndau shtresave në nevojë t’i përdorë për të shpërblyer një pjesë të shtresave në nevojë dhe nxënësit e dalluar sipas përcaktimit Kryeministror. Shuma prej 1.1 miliard lekësh është rialokuar nga zëri i buxhetit për Shtresat në Nevojë dhe po përdoret për shpërblimet e fund vitit. E sikur të mos mjaftonte kjo, arnimi i shpërblimit këtë vit ka vazhduar kalimin e 700 milionë lekëve nga fondi i kontigjencës në atë të shpërblimeve. Duke qenë kështu e para mazhorancë që përdor fondin në fjalë si mbushje për shpenzimet.
Kryeministri i cili në kohën kur qe në opozitë përqeshte shpërblimet e mazhorancës dhe evokonte pagën e 13 të, i ka hequr nga goja e nevojtarëve pagesat, kështu që qeveria të duket bujare me një pjesë të shqiptarëve, sigurisht atyre shqiptarëve që ajo mendon që e meritojnë.