Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike në 24 vjetorin e themelimit: Liria dhe përgjegjësia, gjeneza jonë dhe rruga e Shqipërisë europiane
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike dhe opozitës, drejtues të Partisë Demokratike dhe pushtetit vendor,
Shkëlqësi ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar përfaqësues të medias, përfaqësues të besimeve fetare,
Miq dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot për të kremtuar një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë – themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
24 vjet më pare, ne shqiptarët bashkë me Partinë Demokratike nisëm procesin e pakthyeshëm të Shqipërisë së lirë, demokratike dhe europiane. Ne u ndamë nga e kaluara e hidhur, nga diktatorët dhe ideologjitë e së keqes. Fituam të drejtat tona dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e kombeve të lira. Sot është rasti të kujtojmë me krenari se jemi pjesë e kësaj trashëgimie, se i kemi rrënjet tona në mobilizimin më të madh të lirisë dhe ndryshimeve demokratike në historinë e kombit shqiptar
Me gjithë zemër i uroj jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve: Gëzuar 24 vjetorinë e lirisë, gëzuar themelimin e Partisë Demokratike. Gëzuar në veçanti, të dashur demokrate dhe demokratë në mbarë vendin, ju që jeni ekzistenca, jeta, trupi dhe shpirti i kësaj partie. Gëzuar të dashur simpatizantë dhe qytetarë të lirë të vendit që ndani ndër vite fatin tuaj, arritjet dhe shpresat e jetës tuaj me vlerat dhe misionin e Partisë Demokratike.
Si çdo komb që respekton historinë, edhe ne i kthehemi rrënjëve të lirisë tonë si një burim i pashtershëm vlerash, forcë dhe frymëzimi. Ne kujtojmë ato tre ngjarje të shënuara të dhjetorit 1990, sepse janë të lidhura në një trinitet, siç lidhen dielli, rrezja dhe drita.
• Me 8 dhjetor shpërtheu Lëvizja Studentore;
• Me 11 dhjetor lëvizja mori përmasa popullore dhe imponoi pluralizmin politik;
• Po atë mbrëmje, duke u gdhirë 12 dhjetor, shqiptarët themeluan dhe shpallën partinë e parë politike të tipit perëndimor, me një program thellësisht demokratik dhe pro europian.
Në lidhjen e tyre organike secila prej tri ngjarjeve madhore ka veçorinë e saj.
• Lëvizja studentore me idealizmin dhe kurajon e saj mposhti frikën dhe krijoi një lidhje të fuqishme me qytetarët dhe intelektualët e Tiranës.
• Pluralizmi i diktuar nga ky bashkim krijoi gjithëpërfshirjen dhe izoloi nomenklaturën komuniste që sundonte për afro gjysëm shekulli.
• Krijimi i menjëhershëm i Partisë Demokratike jetësoi pluralizmin e vërtetë dhe i mbylli dyert manipulimeve të regjimit për një pluralizëm fasadë.
Studentët dhe intelektualët vendosën menjëherë në mbrëmjen e shpalljes së pluralizmit për krijimin e një partie të madhe popullore, për krijimin e Partisë Demokratike. Ky ishte një moment që ndryshoi rrjedhën e historisë. Partia Demokratike u bë zëdhënësja e revoltës popullore antikomuniste.
Në një kohë rekord themeluesit hartuan programin e parë, programin e lirisë që ngritën peshë një popull të marrë peng nga shtypja dhe dogmat. Pa mjete, pa financa, pa përvojën dhe literaturën e nevojshme demokratike, mes shumë veshtirësish dhe pengesash, themeluesit ndezën pishtarin e demokracisë në mbarë Shqipërinë. Ata u përballën me partinë-shtet dhe me shtetin policor, vranë frikën me guximin e tyre. Këta heronj të gjallë të demokracisë organizuan brenda një kohë të shkurtër një parti politike nga njëri cep i vendit në tjetrin, ndërtuan alternativën e parë perendimore të Shqipërisë dhe e udhëhoqën me mençuri atë drejt suksesit.
Ne kthehemi çdo vit për ta ritreguar këtë histori dhe nuk biem kurrë në përsëritje. Kështu ndodh gjithmonë me gjenezën e një rilindje të vërtetë, që është provuar e tillë në dritën e produktit të saj. Ajo nuk konsumohet kurrë, jeton në nderimin e brezave, udhëton me ta, udhëton me ne. Kjo është gjeneza e Partisë Demokratike.
Duke u kthyer në ato ditë dhe muaj të fillimit, ne konstatojmë me krenari se Partia Demokratike përcaktoi lirinë si substancë të antikomunizmit.
• Partia Demokratike lindi si parti e lirisë dhe atdhetarisë.
• Partia Demokratike përqafoi përgjegjësinë politike e qytetare në vend të aventurizmit politik;
• Partia Demokratike zgjodhi tolerancën në vend të luftës së re të klasave, zgjodhi gjithëpërfshirjen në vend të diferencimit idelogjik, krahinor apo fetar, zgjodhi dashurinë në vend të urrejtjes.
Partia Demokratike u rrit duke luftuar për këto vlera. Ajo u ngrit si forcë e kalimit paqësor të vendit në demokraci ndonëse përballej me diktaturën me të egër të Europës.
Këto janë vlerat e ADN-së sonë, e identitetit tonë si forcë politike. Studentët, intelektualët, themeluesit dhe nismëtarët e Partisë Demokratike nga qendra në bazë i nxorrën nga shpirti i tyre liridashës, i përftuan në përballjet epike me rregjimin e kohës, madje edhe në përballjet për diversitetin e mendimeve brenda llojit. Me këto vlera dhe përmes tyre fitoi demokracia, fitoi Shqipëria. Me këto vlera dhe përmes tyre Partia Demokratike lindi e madhe dhe mbeti e madhe.
Kundërshtarët tanë politikë të së majtës dhe veglat e tyre janë përpjekur gjithmonë të përbaltin përmes mashtrimit këtë pasuri kombëtare. E kanë kot. E vërteta e Lëvizjes Studentore, sikurse ajo e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë është shkruar në arenë, me akte, me vepra, me vlera, me arritje që vendi dhe shoqëria shqiptare nuk i kishin njohur kurrë më pare dhe sot i nderojnë me respekt.
Këto ngjarje do të mbesin monumente të kurajos civile dhe ndërgjegjes demokratike shqiptare.
Në çdo përvjetor historia kërkon heronjtë e saj. Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë sonte ata që nuk i kemi më midis nesh:
• Azemin të parin, prisjësin dhe heroin e Lëvizjes Studentore, themeluesin dhe drejtuesin e lartë të Partisë Demokratike;
• Kujtojmë dhe nderojmë tre themelues të tjerë, anëtarë të kryesisë së parë të PD-së, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin dhe Ali Spahinë;
• Kujtojmë me dhimbje akoma të freskët më të fundit e këtij panteoni politik Sokol Olldashin dhe Ferdinand Ponen.
Emra të tjerë demokratësh që nuk jetojnë më, kalojnë në këtë çast në mendjen e secilit prej nesh. Nderim dhe mirënjohje për të
gjithë. Janë ndarë nga jeta, por nuk janë ndarë prej nesh. Na mungojnë fizikisht, por na frymëzojnë të gjithëve me shembullin e tyre, na japim kurajo dhe besim për të shkuar përpara.
Duke kujtuar protagonizmin konstant të Partisë Demokratike në të gjitha ngjarjet e mëdha të të demokracisë, nderimi dhe mirënjohja ime u drejtohet sonte gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga ai dhjetorit të vitit 1990 tek ai i dhjetorit të vitit 2014. Ne të gjithë bashkë, jemi familja e madhe demokrate në shtëpinë e madhe të lirisë, që ka bërë histori e do të vazhdojë të bëjë histori pozitive vlerash në këtë vend.
Kemi fatin të kemi mes nesh shumë prej themeluesve të orës dhe vijës së parë, protagonistë të ndryshimit dhe udhëtimit europianoperendimor të Shqipërisë të këtyre viteve. Nderim dhe mirënjohje në radhë të parë për liderin historik të Partisë, Sali Berishën, i cili më shumë se askush ka meritën historike që e mbajti të madhe dhe të fortë Partinë Demokratike, e mbajti alternativë në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Me Doktor Berishën dhe themeluesit e tjerë të spikatur, Partia Demokratike është më e fortë, më e bashkuar, më e urtë dhe më e mençur. Themeluesit, qëndrestarët, vazhduesit dhe të rinjtë janë një trup i vetëm politik, janë pjesë e së tërës që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën. Kjo është Partia Demokratike.
Me këtë trashëgimi të vyer ne po rindërtojmë forcën tonë politike. Një vit me parë:
• Ne folëm për sfidat e ringritjes përmes analizave realiste dhe zgjedhjeve të lira në parti.
• Ne folëm për reflektim dhe korigjim, për bashkim dhe ribashkim, për hapje dhe përtëritje.
• Ne folëm për shndërrimin e Partisë Demokratike në shtëpi të madhe të lirisë.
• Ne folëm për gjenerimin e demokracisë pjesëmarrëse, mbështetur tek parimet e konsultimit, transparencës dhe llogaridhënies të përhershme para qytetarëve dhe em qytetarët shqiptarë.
• Ne folëm për konsolidimin e një opozitë të fortë dhe ballore, të mbështetur në fakte, argumente dhe sigurisht në doktrinën tonë politike si forcë e qendrës së djathtë.
Sonte, një vit më pas, ringritja e Partisë Demokratik është një realitet. Zgjedhjet e reja, bashkimi, hapja dhe përtëritja janë në një proces dinamik i pandalshëm.
“Partia Demokratike- Shtëpi e Lirisë”, nuk është një sllogan por një realitet. Demokracia pjesëmarrëse është bërë një alternativë e prekshme për ata që kanë më shumë nevojë më shumë se kushdo tjetër, për qytetarët. Takimet dhe bashkëbisedimet tona të hapura me ta, me konsultimet me grupet e interesit, propozimet tona politike dhe protestat masive popullore që kemi drejtuar janë pasqyrimi i zërit të Shqipërisë së vërtetë.
Opozitarizmi ynë ndaj qeverisë ka venë në fokus çështje madhore që lidhen:
• me shkeljen flagrante të kontratës me zgjedhesit nga kjo qeveri;
• me dhunimin e shtetit ligjor,
• me minimin e themeleve të demokracisë;
• me kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë, politikës dhe administratës së lartë shtetërore;
• me përkeqësimin e thellë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të qytetarëve.
Dekriminalizmi i Kuvendit është për ne kushti i domosdoshëm për funksionimin e tij si një institucion i fjalës së lirë, i debateve të shendetshme dhe dialogut të nevojshëm në të mirë të vendit. Kemi sakrifikuar e po sakrifikojmë për këtë objektiv jetik për demokracinë- kemi ndëprerë marrëdhëniet me Kuvendin – një masë inekstremis për një virtyt inekstremis, por jemi të vetëdijshëm se qytetarët shqiptarë pa përjashtim e çmojnë, madje edhe vetë kundërshtaërt tanë politikë do ta çmojnë lart vlerën e betejës tonë kur partitë të vendosin bashkarisht flakjen e mekanizmit që promovon trafikantë dhe kontigjentë të krimit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresojmë se kjo ditë nuk është larg.
Bashkë me 24 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ne kremtojmë edhe Nisjen e Re që ishte deviza jonë politike e këtij viti. Nisja e re po maturohet dhe do vazhdojë pa u ndalur. Ne përfaqësojmë të ardhmen e këtij vendi dhe shqiptarët presin shumë prej nesh.
Bashkimi, rinovimi, demokracia pjesmarrëse nuk janë një proces i mbaruar por një rrugëtim i përhershëm. Ndonëse ndihemi më të bashkuar se kurrë në historinë tonë politike, kjo nuk mjafton. Bashkimi bën fuqinë dhe ky proces nuk do ndalet.
Me ketë rast, në ketë ceremoni përkujtimi dhe kremtimi, kur demokratët ndihen më të bashkuar se asnjeherë tjetër më parë në historinë e tyre të përbashkët, unë i bëj thirrje përsëri dhe i shtrij përsëri dorën vëllazërore të pajtimit, mireseardhjes dhe respektit në shtëpinë e hapur të demokratëve cilitdo që për një arsye a tjetër mungon akoma në ribashkimin tonë apo ndihet zemërthyer për arsye që do të duhet dhe do t’i shterojmë duke punuar së bashku për qëllimin e përbashkët, për Nisjen e re, për alternativën e re, për fitoren. Nuk ka vend për ndasi. Të bashkuar do ngremë një alternativë të re, alternativën fituese për demokratët dhe gjithë shqiptarët.
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj.
Shqipëria po kalon momente të vështira. Shumë nga arritjet 24 vjeçare janë vënë në pikëpyetje. Shoqëria është në pragun e mbijetesës. Zëri i Shqipërisë reale na thërret. Ne e dëgjojmë dhe duhet t’i dalim zot.
Ky vend na ka thirrur gjithnjë për punë të mëdha dhe ne i jemi përgjigjur. Koha po afron sërisht. Ne po përgatitemi. Ne po hapemi, po shtrihemi në çdo familje shqiptare. Kemi nevojë të bashkohemi me këdo që ka besuar ndonjëherë apo beson sot tek Partia Demokratike. Të hapur dhe bindes edhe për më skeptikët.
Ne po përfaqësojmë sot interesat e shumicës morale dhe numerike të shqiptarëve. Ne duhet të mbrojmë të gjithë ata që ndjehen të harruar, të braktisur, të shpërfillur. Ne duhet të jemi me ata që nuk përmbushin dëshirat legjitime për një jetë më të mirë. Lidhja jonë e re duhet të kalojë kufijtë tradicionale të ndarjeve politike.
Një falenderim të zjarrtë u drejtoj sot të rinjve që kanë vërshuar në Partinë Demokratike. Ju jeni forca më e madhe lëvizëse e kësaj shoqërie. Idealizmi dhe optimizmi juaj është shpresa e ndryshimit të madh.
Në emrin tim por dhe në emrin e të rinjve demokratë ftoj sot çdo të ri të Shqipërisë të na bashkohet. Ejani në Partinë Demokratike. Merrni përgjegjësi në forcën e lirisë, të atdhetarisë, tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe europianizmit. Ne jemi mbështetja e idealeve, shkollës, punës dhe sipërmarrjes. Ejani t’i vini shpatullat një lëvizje kombëtare që po konturohet. Ejani në lëvizjen më të madhe në histori për vlera, mirëqënie dhe Shqipëri europiane e perëndimore.
Të dashur miq,
2015 do të jetë viti i 25 vjetorit të rilindjes së madhe demokratike të Shqipërisë dhe popullit shqipta
r. Ju ftoj ta presim me dinjitetin e një vendi të lirë.
Do të jetë viti i udhëtimit në historinë e sakrificave dhe përpjekjeve shqiptare për liri I ilustruar në projektin tonë “drejt lirisë”. Do të jetë viti i modernizmit të mëtëjshëm të Partisë Demokratike, viti i daljes së saj fuqishëm në pahun e kohës dhe shpresave të shqiptarëve si alternativa e re e zhvillimit dhe prosperitetit të tyre.
Ky vit i ri politik do e gjejë Partinë Demokratike më të fortë, më të organizuar, dhe më të rinuar se më parë. Ne po pergatitemi t’i prijmë përballjes së re të shqiptarëve me oligarkinë.
24 vjet më parë ne mposhtëm të keqen, dhe mund ta mposhtin kudo që shfaqet. Forca jonë qendron tek idealet dhe trashegimia që po u lëmë brezave. Jetën tonë politike duket se e ndjek si bekim dhe urdhër i shenjtë deviza: të shohim të ardhmen, ta arrijmë atë, ta bëjmë të sotme dhe trashëgimi të brezave. Kjo është Shqipëria jonë, kjo është Partia Demokratike – forca e endrrës, besimit dhe suksesit për të gjithë.
24 vite më parë ne ëndërruam një vend të lirë, e besuam dhe e bëmë. Në dy dekada Shqipëria është e lirë dhe më e begatë se kurrë më parë në histori. Por sfida dhe endrra vazhdon…
• Ne duam Shqipërinë e lirisë dhe mirëqënies për të gjithë;
• Ne duam ekonominë e fortë dhe punësim për shqiptarët;
• Ne duam një vend ku çdo shqiptar nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim realizon ëndrrën e tij;
• Ne duam Shqipërinë moderne dhe Europiane.
Ky është misioni ynë, kjo është sfida jonë si demokratë, qe me ndihmën e shqiptarëve dhe të Zotit, do ta bëjmë realitet.
Rroftë Partia Demokratike!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Gëzuar!