Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani denoncon rritjen e pasigurisë për qytetarët shqiptarë.
Rendi dhe siguria për shqiptarët vazhdojnë të jenë në ditët më të këqia.
Plumbat e kriminelëve, që sipas Kryeministrit Rama, vazhdojnë të lajnë hesapet në pritje të rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, kanë shkaktuar 2 të vdekur dhe 1 të plagosur, dje në Shkodër dhe 1 të plagosur në Tiranë.
Ndërkohë, po dje, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në aksidente automobilistike.
Partia Demokratike, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar të tërheqë vëmendjen e atyre që kanë mënd dhe kanë përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë, që të përqendrojnë punën e Policisë së Shtetit, pikërisht te detyra parësore, parandalimi dhe goditja e krimit, sidomos krimit të organizuar.
Ndërkohë, dordomuzët me dajak në dorë, po kryejnë formalitetet dhe po i marrin shpirtin të pamundurve duke iu shkatërruar shtepitë dhe duke lenë në errësirë qindra familje të varfëra.
Hapni mëndjen dhe mendoni, pushtetar pseudorilindas, hapni veshet dhe sytë dhe perceptoni, skamja dhe mjerimi që po mbillni, dhuna dhe padrejtësia, janë faktorë që shtojnë krimin.
Kthimi i Shqipërisë në një burg të madh, nuk është zgjidhja për një popull që synon prosperitetin në familjen Europiane.
Po i detyroni shqiptarët ti kthehen eksodeve masive sepse po e ktheni Shqipërinë 25 vjet pas, por hapni mendjen dhe mendoni, pseudorilindas, etërit tuaj nuk e patën fundin të lumtur.