Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e njeh raporterin për Shqipërinë, z.Fleckenstein, me zhvillimet shqetësuese në vend. Qeveria po nxit paligjshmëri dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, në një takim ku u diskutua mbi zhvillimet shqetësuese në vend.
Z.Basha tha se cdo ditë e më shumë bëhet i nevojshëm dekriminalizimi dhe ngjarjet e fundit në Tiranë, nxorën zbuluar lidhjet qeveritare të një bande të rrezikshme kriminale.
Kryetari i Partisë Demokratike e informoi z.Fleckenstein për paligjshmërinë me të cilën qeveria po cënon të drejtën e pronësisë së qytetarëve, duke shembur objektet në zotërim të ligjshëm, në kundërshtim me procedurën ligjore, duke u mohuar pronarëve ankimimin gjyqësor.
Basha e njohu eurodeputetin me arbitraritetin që po manifeston qeveria me aksionet policeske ndaj qytetarëve të pamundur, cka ka sjellë shpesh pasoja dramatike në humbje jete, dhe në ndëshkime të papranueshme me errësirë edhe në ditët e ndërrimit të viteve për mijëra qytetarë të vendit.
Paligjshmëria që po nxitet nga qeveria, tha Basha, ka sjellë një shkelje masive të të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e administratës.
Edhe një herë, z.Basha e denoncoi ndarjen teritoriale, si një hartë të interesave elektorale të dyshes Rama-Meta, kundër interesit kombëtar. Basha theksoi se nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë.
Basha tha se qeveria vazhdon me qasjen e njëanshme jo për të sjellë reformë në drejtësi, por për ta kapur atë, duke mos e futur në korsinë europiane, të gjithpërfshirjes, të qëndrueshmërinë e marrjes së konsensusit e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë.