Kreu i Departamentit të Energjisë, Zana Guxholli, dënon faktin që Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë, korrupsionin galopant që ka instaluar në sistem, për lënien e gjysmën së vendit në errësirë në netët e ndërrimit të vitit, për administrimin që i bën sektorin me debitorë, hajdutë të energjisë e persona me precedent penalë.
Edi Rama zvarriti sot propagandën e tij boshe për energjinë, dhe sulmoi sërish opozitën, por nuk mbajti asnjë përgjegjësi për korrupsionin galopant që ka instaluar në këtë sistem, me përvetësim deri në 7 milionë euro me një tender, nuk mbajti asnjë përgjegjësi për faljen ose ndarjen e 600 milionë eurove me kompaninë CEZ, fatura të njohura, nuk mbajti asnjë përgjegjësi për caktimin në krye të kësaj ndërmarrjeje të hajdutëve të pashembullt të energjisë, personave nën hetim për tendera, e deri tek njerëz me precedent penalë.
Bën bilance e paradë Edi Rama por nuk thotë asnjë fjalë që e la gjysmën e vendit dhe gjysmën e qytetarëve në errësirë në netët e ndërrimit të vitit.
Ka mbushur burgjet me fukarenj që s’kanë mundësi të paguajnë dhe vetë ka vënë drejtorë debitorë deri në 38 milionë lekë, energji të papaguar.
Kemi këtu, një prej drejtuesve kryesorë të OSHE-së për Tiranën, i caktuar nga Edi Rama nga lidhjet e vjetra të Bashkisë. Armand Zhuka, debitor ndaj shtetit me 190 mijë lekë. Taksa të papaguara që nga vitit 2011. Ky është modeli i Edi Ramës me të cilin administron energjinë.
E gjithë kjo propagandë boshe nuk e shpëton dot Edi Ramën nga rritja që i bëri cmimit të energjisë me 24.5 përqind për mbi 75 përqind të qytetarëve. Ai që premtoi se do ta ulte cmimin e energjisë, me uljen e TVSH në 14%, e rriti atë dhe sot nuk thotë asnjë fjalë për këtë barrë të re që i ka vënë pjesës më të pamundur të qytetarëve duke nisur nga ky muaj.
Qytetarët e vendit, të bashkuar si asnjëherë më parë, me 22 nëntor i kërkuan Edi Ramës të hiqte dorë nga rritja e cmimit. Po ai refuzoi ta dëgjonte zërin e tyre.
Me pacipësinë e një mashtruesi profesionist, u tha shqiptarëve se nëse cmimi rritej ai do të dilte në protestë. Cmimi u rrit dhe protesta po vjen. Kësaj radhe nuk do të ketë bunker që do shmangë përballjen e tij me protestën e qytetarëve.