Deklaratë e deputetes Tabaku, ku denoncohen efektet shkatërruese në ekonominë e vendit dhe në atë familjare të; rritjes së taksave, të mosuljes së cmimit të naftës si kudo në botë, rënies së konsumit dhe skemës rrënuese të pensioneve
Mungon entuziasmi i fillimit të vitit të ri në këtë janar, sepse ky Janar i ka gjetur qytetarët dhe bizneset në një situatë më të vështirë se asnjëherë më parë.
Viti 2015 për Biznesin filloi me taksa të rritura, me çmim të rritur të energjisë.
Të gjithë, do të paguajmë 25 përqind më shumë për energjinë elektrike, ndërsa Bizneset do të paguajnë 33 përqind më shumë duke ndikuar kështu në rritjen e çmimeve të produkteve.
Shqiptarët, falë taksave të reja do të paguajnë më shumë për karburantet edhe pse në Bursat ndërkombëtare çmimi i naftës është më i ulëti i 7 viteve të fundit. Ne sot paguajmë 1000 lekë taksa për çdo litër karburant. Në vendin fqinj Maqedoni karburanti tregtohet 15% më lirë, në vendet e BE kjo shifër varion deri në 30 përqind më lirë, ndërkohë që në Shqipëri për shkak të kësaj qeverie, është e pamundur ulja e mëtejshme e çmimit. Rama u përkujdes që për të dytin vit rradhazi taksën e qarkullimit ta rrisë me plot 120 lekë duke e çuar këtë taksë në 350 lekë për litër dhe karburanti përbën rreth 10% të pagës bruto mujore.
Jemi shndërruar kështu në vendin lider në rajon dhe në Europë, për çmimin e karburantit që rritet jo si pasojë e bursës por si pasojë e taksave qeveritare ndaj tij.
Viti i Ri, i gjeti bizneset me tatim fitim të rritur në 15% për të gjitha llojet e të ardhurave, nga fitimi, qeraja, depozita renta. I gjeti qytetarët përsëri me taksa të rritura e me cmime më të larta.
Të dhënat e fundit të Instat janë vërtetë shqetësuese duke qënë se norma e inflacionit është 0.7%, duke treguar një rënie të përgjithshme të konsumit për produktet kryesore dhe kjo pikërisht në periudhën festive. Kjo rënie e kërkesës konsumatore dhe rënie e konsumit janë si efekt i drejpërdrejtë i rritjes së taksave të vitit të kaluar.
Rritja e taksave sigurisht që ka patur efekt dhe në realizimin e të ardhurave nga ana e qeverisë, ku në nëntor për herë të parë drejtoreshat e tatimeve dhe doganave nuk na bënë paradën mujore të konferencave për shtyp, duke qënë se të ardhurat ishin të paktën 30 milionë usd më pak se plani dhe pothuajse sa nëntori i vitit të kaluar kur taksat ishin të ulura.
Që nga 1 Janari i këtij viti, shqiptarët janë futur në një skemë pensioni ku vetëm 5% e tyre do të trajtohen me pekule ndërkohë që shumica e shqiptarëve do të digjen nga skema e cila do tí sigurojë atyre të ashtuquajturin Pension Social që do të jetë dy herë më i vogël se pensioni minimal i djeshëm.
E gjithë kjo vështirësi ekonomike, që shumë shpejt mund të shkojë në një mbijetesë për shumicën e shqiptarëve që iu premtua parajsa, është vetëm pjesa e parë e dhuratës të një kryeministri i cili nuk di të jetë ekonomist, por vetëm piktor. Mbase, nga ky vit e tutje do tí duhet të mbajë në xhep jo vetëm lapsa por edhe një makinë llogaritëse. Dhe pazarin të fillonte ta bënte atje ku e bëjnë 95% e shqiptarëve.