Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ristani, denoncon alibinë që ka ndërtuar qeveria për Emiliano Shullazin, për përplasjen e përgjakshme me armë në mes të Tiranës. Ristani i bën thirrje prokurorisë të bëjë transparencë e të hetojë me profesionalizëm për interesin më të lartë publik.
Eshtë e qartë se qeveria, Edi Rama e Ministri i tij, kanë vendosur të mos bëjnë zë për një nga ngjarjet kriminale më të rrezikshme të kohëve të fundit, përplasjen e përgjakshme të bandave në mes të Tiranës.
Teksa heshtin, dhe nuk bëjnë transparencë, është e dukshme, se nga ana tjetër, qeveria po jep gjithë ndihmën e nevojshme për të lehtësuar rrethanat e bandës me të cilën ka lidhje, me të cilën bashkëpunon.
Eshtë fakt tani i pranuar edhe nga zyrtarët se kemi një alibi për Emiliano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur.
Të gjithë të dhënat tregojnë të kundërtën. Raportimi në media, informacionet që dalin nga burime të policisë dhe gjithë rrethanat e ngjarjes janë krejt të kundërta me ato që nxjerr Ministri i Brendshëm.
Çdo kush e ka kuptuar sot se Ministri i Brendshëm drejtpërdrejt dhe Kryeministri në distancë, po dezinformojnë qëllimisht që banda kriminale dhe kreu i saj, tia hedhin paq, pa asnjë orë burgu.
Partia Demokratike duke e konsideruar qeverinë dhe krerët e Policisë si të përfshirë në këtë histori, në asistencë të vazhdueshme ndaj bandës kriminale, i kërkon Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen e të nxjerrë përgjegjësitë.
Transparenca mbi këtë krim të rëndë në mes të qytetit, është me rëndësi të jashtzakonshme publike, dhe për interesat e qytetarëve.
Prokuroria është në thirrje për të vendosur ligjin, e fuqinë e Kushtetutës, të shkelmuar deri tani nga qeveria e Kryeministri për interesa kriminale.
Nëse banda kriminale e kreu i saj për shkak të lidhjeve që ka me Ministrin e Kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjtiha garancitë për rend e siguri publike në vend.
Nëse kjo ndodh, Emiliano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në Rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë.