Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjës, Murrizi, denoncon abuzimet dhe përfitimet qindramilionëshe që bëhen me peshkimin në lagunën e Karavastasë, me një sipërmarrje të paligjshme dhe të paregjistruar, por e mbështetur nga kryetari i Bashkisë Kokoneshi dhe deputeti Braçe.
Ka afro një vit, qysh nga muaj mars i vitit 2014 që laguna e Karavastasë me një sipërfaqe prej 4300 hektarë administrohet në mënyrë private dhe klandestine pa asnjë lloj dokumenti financiaro–ligjor nga kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi, me militante të Partisë Socialiste i përkrahur nga deputeti Erion Braçe. Bazuar kjo në një vendim qeverie Nr.238 dt/23.04.2014, vendim qesharak, abuziv, evaziv dhe haptasi për të vjedhur me ligj dhe pa lënë gjurmë. Kjo lagunë konform ligjeve në fuqi, ka qënë dhënë në përdorim nga Ministria e Mjedisit, Kompanisë IT SHPK deri në vitin 2017. Është pezulluar me urdhrin Nr.58 dt/25.02.2014 para se të dalë VKM.
Kjo firmë ka pasur të punësuar me kontrate vjetore 32 punëtorë të përhershëm, dhe të deklaruar në bilancin financiaro-tatimor mbi 700 kuintal peshk të zënë në vit. Prodhimtaria e kësaj lagune në historikun 25 vjeçar rezulton mbi 1000 kuintalë për çdo vit ose e shprehur në lekë 500-800 milionë lekë në vit. Problemet civile midis kompanise IT shpk dhe Ministrisë së Bujqësisë janë problem që nuk na interesojnë ne si opozite dhe zgjidhja e tyre bëhet në rrugë gjyqësore konform ligjeve në fuqi. Pyetja që shtrojmë ne si opozitë është se:
1-Aty punojne rreth 50 punonjës militante të PS të pasiguruar dhe pa asnjë lloj kontrate individuale ose kolektive, pra në të zezë. A e di Ministri Veliaj këtë fakt?
2-Kjo ndërmarje nuk është marrë në dorëzim zyrtarisht nga Bashkia Divjakë dhe nuk ka asnjë vendim të Këshillit divjake mbi këtë aset.
3-Nuk është e rregjistruar si ndërmarje apo lloj tjetër formë organizimi kompania që ushtron aktivitet financiar në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier .
4-Nuk rezulton asnjë lloj dokumentacioni financiar që të provojë se sa prodhim është marrë, sa është shitur, me çfarë çmimi dhe ku janë arkëtuar të ardhurat e realizuara nga shitja e peshkut për afro një vit. Pra bëhet fjalë për mbi 500 milionë lekë dhe asnjë lekë i derdhur në arkën e shtetit në formë tatimi.
5-Nuk ekziston asnjë lloj shkrese zyrtare që bën pronarë të kësaj lagune Bashkinë Divjakë. Atëherë me ç’të drejtë ky Kryebashkiak është bërë Padrino i saj duke caktuar militante dhe njerëz të afërm të tij për t’u marrë privatisht me këtë pasuri publike.
6-Na ky lloj administrimi abuziv haptazi korruptiv, pa asnjë lloj përgjegjësie konkrete para dy javësh dy djem të zonës humbën jetën në lagunë, duke gjuajtur peshk. Për llogari të kujt, ku ishin të regjistruar si peshkatare këta fatkeqë?
7-Ka dy procese penale për rrahje të dy qytetarëve që peshkojnë, nga disa militante të PS që gjoja ruajnë lagunen. Në emër të kujt gjuajnë këta qytetarë dhe në emër të kujt rrahin këta militante të PS që ruajnë biznesin Braçe-Kokoneshi?
Për të gjitha këto i bëj thirrje Prokurorisë së Rrethit Gjyqsor Lushnjë të fillojë hetimin për të zbardhur këtë aferë të pastër korruptive me mbi 500 milionë lekë të vjedhura, si abuzim i pastër me mbeshtetje politike, përpara se të arrestojë dhe të lërë në burg qytetarë hallexhinj si i ndjeri Qamil Zela, që kurrë nuk ia provuan fajësinë e deri sa e çuan në vetvrasje për fatura energjie.