Miku e donatori i Edi Ramës, ndërtuesi Ardian Nela shkel 4 ligje, dhunon planin rregullues të Tiranës, dhunon vendimin e KRTRSH së 2004 kur Lame ishte sekretar, dhe vazhdon i qetë ta cojë deri në fund shkeljen brutale të ligjeve pasi objektet po përfundojnë ndonëse ka një vendim prishje prej disa muajsh nga inspektoriati i Bashkisë. INUK ka shkatërruar pronën e ligjshme të mijëra qytetarëve, por nuk prek vilat e paligjshme të mikut të Edi Ramës, vetëm 2 km larg zyrave të qeverisë.
A e dini ku gjendet rezidenca qeveritare e Presidentit të Republikës, në këtë foto?
Nuk është asnjëra nga këto dy ndërtesat këtu. Eshtë kjo këtu në cep që mezi duket. Dy vilat luksoze që shohim janë të oligarkut të Edi Ramës.
Keto janë dy ndërtime të paligjshme brenda Parkut të Madh të Liqenit. Sipas ligjeve në fuqi në parqe nuk lejohet as të jepet leje zhvillimi dhe as të legalizohen objekte ndërtimi. Për më tepër, parqet, zonat arkeologjike dhe vija bregdetare janë të vetmet raste ku INUK ka tagër të veprojë pa pritur asnjë njoftim nga pushteti vendor.
Në këtë rast, Inspektoriati Ndërtimor vendor ka vendosur prishjen e këtyre objekteve.
Pse nuk prishen? Pse INUK bëhet SNUK?
Arsyen e kësaj paligjshmërie kriminale tek Parku i Madh i Liqenit, duhet ta kërkojmë në Surrel.
Lidhja e pronarit të këtyre objekteve me Edi Ramën është e njohur dhe ka themele e mure të forta.
Shkelësi i ligjit tek Parku i Madh i Liqenit, është ndërtuesi i sarajeve të Surrelit. Kursimtari Edi Rama me 3000 euro kursime jete përfitoi saraje, të vlerësuara sipas ekspertëve me mbi 1 milionë euro vetëm vlerë betoni. Për pasojë, Edi Rama e shpërblen donatorin e tij duke e lejuar të kafshojë mushkëritë e qytetit, si të ishte prona e vet.
Jemi vetëm 2 kilometra larg zyrave të qeverisë, por ligji këtu nuk vepron. Ligji nuk është i barabartë.
Ndërkohë që ndërtues-financues i Edi Ramës është i paprekshëm, janë me mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që gjenden sot mbi gërmadhat e pasurisë së tyre të ligjshme, të bërë hi nga INUK-u që sillet si bandë e paligjshme. Janë me mijëra, qytetarët e pamundur që kishin banesën e jetës së tyre, ose një dyqan që mbanin familjen, që nuk e kanë më sot, për shkak të paligjshmërisë së bandës INUK. Ndërsa ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës, shkel 4 ligje, dhunon planin rregullues të Tiranës, (dhunon edhe vete vendimin e KRTRSH se 2004 kur z. Lame ishte sekretar i KRTRSH) dhe vazhdon i qetë ta cojë deri në fund shkeljen brutale të ligjeve, sic mund të dallohet lehtë mes fotove të fillimit të Nentorit 2014 ku objektet janë pa dyer, pa dritare dhe pa grila, dhe fotos së sotme ku objektet po përfundojnë ndonëse ka një vendim prishje në fuqi prej disa muajsh.
Edhe sa ligje të tjera duhet të shkelë ky oligark që të funksionojë shteti ligjor?