Kryetari Grupit Parlamentar, Paloka deklaron se faktet e lidhjes së Ministrit të Brendshëm me grupin kriminal, kanë tronditur mbarë opinionin publik. Vetëm Edi Rama hesht prej dy ditësh. Kryeministri nuk mban përgjegjësi, lejon aktivitetin e bandës, i ofron asaj favore, dezinformon, dhe zhduk provat për interesa të saj.
Faktet tronditëse, të bëra publike, tregojnë qartë se banda e armatosur që terrorizoi Tiranën në përplasje të përgjakshme dy netë më parë, është e lidhur me qeverinë dhe ushtron aktivitetin kriminal me dijeni dhe mbrojtjen e saj.
Oficeri i policisë është në shërbim të bandës.
Anëtari i bandës hyn dhe del nga zyra qendrore e Partisë Socialiste.
Të gjithë strukturat e qeverisë ishin dje në dispozicion të kreut të bandës, që nga shërbimet spitalore e deri tek shoqërimi i tij në banesë.
Ka të dhëna shumë shqetësuese, se policia ka kryer kontrolle në banesat e biznesmenëve, të cilët janë gjobitur nga banda kriminale.
Pra Ministri i Brendshëm e di që miku i tij vë gjoba, dhe ai nuk bën asgjë për të mbrojtur viktimat, por u sulet viktimave, për interesat e bandës.
Pati dje dezinformim të vazhdueshëm dhe mungesë transparence, në favor të bandës.
Këto ngjarje të rënda kanë ndodhur në 24 orët e fundit, që kanë tronditur mbarë opinionin publik, dhe gjithë qytetarët e vendit.
Vetëm Edi Rama hesht.
Asnjë fjalë, asnjë reagim.
Ky aktivitet kriminal ndodh sigurisht në dijeninë e tij të plotë.
Rama ka përfituar nga shërbimet e bandës gjatë fushatës zgjedhore, në blerjen, e në marrjen me forcë të votave.
Tani, ai po i kthen bandës favoret, duke i ofruar shërbimet e tij.
E lejon të vërë gjoba e të terrorizojë biznesmenët e qytetarët.
U jep oficerë policie në dispozicion për t’i dhënë siguri dhe mbrojtje.
Kujdeset për bandën në cdo drejtim që armët të mos gjenden, provat të mos gjenden, që kreu i saj të mos qëndrojë më shumë se disa minuta në zyrat e Drejtorisë së Policisë.
Këto janë të vërtetat e kësaj qeveria.
Kështu sundon oligarkia në pushtet.
Me bandat, nga bandat për bandat.