Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni përkujtimore, të organizuar nga grupimi i dhjetorit 90,

Të dashur të rinj e të reja,

Zonja dhe zotërinj,

Përfaqësues dhe drejtues të opozitës politike të Partisë Demokratike,

ish studentë të Dhjetorit, të përndjekur politik, intelektualë, qytetarë të Tiranës.

Si çdo vit, edhe këtë vit të gjithë sëbashku, përkujtojmë këtu në Tiranë dhe mbarë vendin, një ngjarje të shënuar të historisë së re të Shqipërisë. Si sot 24 vite më parë, më 20 shkurt  të vitit 1991, Tirana, qytetarët e saj, rrëzuan përmendoren e diktatorit Enver Hoxha, simbolit të diktaturës më të egër në Europë.

Si çdo komb që respekton kthesat e mëdha historike, ne rikujtojmë sot momentet e rilindjes së vërtetë të Shqipërisë së viteve ’90, dhe përkulemi me mirënjohje dhe nderim të thellë para heronjve të atyre ditëve që ndryshuan përgjithmonë jetët tona.

Ne nderojmë studentët e Dhjetorit që nxorën para gjyqit të kohës dhe para gjyqit të historisë figurën e diktatorit Hoxha dhe kërkuan pa kushte e me çmimin e sakrificave deri sublime, si greva e urisë, heqjen e emrit të tij nga Universiteti i Tiranës. Ne nderojmë Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, që ngriten në këmbë solidaritetin e madh mbarëqytetar me studentët. Ne nderojmë me mirënjohje dhe respekt të veçantë qytetarët e Tiranës, burrat dhe gratë e  20 shkurtit, që sfiduan frikën dhe dhunën policore të regjimit, vërshuan në sheshin “Skënderbej” dhe rrëzuan përmendoren e diktatorit.

Ky akt trimërie civile dhe patriotike lartësoi Shqipërinë dhe shqiptarët në sytë e botës së lirë e cila u mahnit me kronikat e një populli të ngritur në këmbë. Kjo ngjarje historike i tregoi kujtdo se ndryshimi ishte i vërtetë dhe i pakthyeshëm. 20 shkurti tregoi se Tirana dhe Shqipëria e hodhën diktatorin dhe nuk do të lejonin përpjekjen për rilindjen e tij në demokraci.

Demokratët e 20 shkurtit – studentët, sindikalistët, qytetarët, politikanët, intelektualët – morën vendimin e madh të prishnin në embrion hibridin që synonte ta shndërronte në farsë demokracinë shqiptare.

Demokracia nuk mund të shartohet me asnjë element të diktaturës, aq me pak me simbolin e saj. Ky është mësimi i 20 shkurtit. Eshte një mësim i vyer që udhëton në kohë nga një brez në tjetrin. Është një mësim që përcakton vijën ndarëse të Shqipërisë së re demokratike nga Shqipëria e vjetër hoxhiste dhe reminishencat e saj.

Sot, njëzët e katër vite më vonë, demokratët, qytetarët e Tiranës dhe mbarë vendit kanë arsye të ndihen krenarë për aktin historik të rrëzimit të përmendores së diktatorit Hoxha. Atë ditë nuk u hodh vetëm një shtatore bronxi, por një model i të keqes, një mishërim i doktrinës ç’njerëzore të shtypjes, të dhunës, të luftës së klasave, të shpronësimit dhe kolektivizimit, të izolimit, të varfërisë proverbiale, të mohimit absolut të çdo lirie dhe të drejte njerëzore. Sepse Hoxha ishte kreu i së keqes që u mori qytetarëve pronë, liri dhe besim në Zot.

E kujtojmë 20 Shkurtin, se kjo datë ndan dy modele qeverisje, dy botë, dy rrugë për të ardhmen e vendit – ne që shikojmë dhe mësojmë nga modeli i demokracive perëndimore dhe të tjerë që shohin nga modeli lindor dhe stalinist i Hoxhës.

Sepse ka ende nga ata që vazhdojnë të ushqejnë adhurim për abuzuesit e pushtetit, adhurim për frikën, për agresionin dhe për dhunën. Modelet represive të së shkuarës vazhdojnë të frymëzojnë pushtetarë me karakter të dobët dhe pa busull morale. Ushtrimi i pushtetit në dy vitet e fundit tregon se modeli i diktatorit fle në kokat e idhtarëve të tij. Përdorimi antiligjor i pushtetit, dhuna ndaj qytetarëve, urrejtja dhe dhuna ndaj kundërshtarëve politik dëshmojnë vazhdimësinë e së keqes. Festimet e 70 vjetorit të instalimit të regjimit komunist dhe glorifikimi i Hoxhës, tregojnë admirimin për modelin represiv të pushtetit. Siç thotë Gandi, “veprimet janë demonstrime të mendimeve tona”. Shqiptarët sot drejtohen nga njerëz që kanë idhuj të gabuar, që mendojnë dhe veprojnë si ata.

Asnjëri prej nesh nuk harron e nuk duhet të harrojë  se  ndërsa në një Shqipëri të lirë, anëtare e NATO-s dhe kandidate në Bashkimin Europian, hoxhizmi,  diktatura  dhe ideologjia komuniste nuk mund të kthehen  si qëmoti, qeveria e idhtarëve të pushtetit absolut   bën çmos   të kthejë  hoxhizmin si praktikë sundimi  në  një formë tjetër.

Në formën e oligarkisë, që me forcën e pushtetit dhe parasë duan të vënë nën kontrollin e tyre gjithçka, deri fjalën e lirë dhe zgjedhjet e lira. Që kanë vetëm një synim: të pasurohen për vete me çdo mjet, deri duke bërë aleanca dhe ortakëri me krimin e organizuar, të çimentohen në pushtet si oligarkë, nuk ka rëndësi si jetojnë, si mbijetojnë, si mundohen, si vuajnë  dhe çfarë mendojnë shqiptarët.

Kjo  është  qeveria Rama-Meta. Kjo është oligarkia Rama-Meta. Qeveria aktuale është për të gjithë ne këtu sot, për të gjithë shqiptarët që kanë busull liritë, ligjin dhe punën e ndershme, një devijim i madh dhe i pabesë nga akti i 20 shkurtit 1991.

Rama-Meta është në thelbin e veprimit të saj një qeveri neohoxhiste, që nuk mund të sjellë Enverin, por ka sjellë asfiksimin e ekonomisë, goditjen e pronës dhe lirive të qytetarëve, monopolet, taksat e larta, tendencat për eleminim të opozitës, arrogancën dhe arbitraritetin e shkollës së vjetër antidemokratike. Është qeveria që frikëson, dhunon dhe plaçkit pasuritë publike dhe individuale për interesa vetjake dhe klanore.

Regjimi i një grushti njerëzish mbi ligjin dhe Kushtetutën, që me pushtet dhe para kontrollojnë gjithçka, është rreziku më i madh që i kanoset vendit. Rrezikohet fjala e lirë, mediat, zgjedhjet dhe konkurenca. Rrezikohet prona, biznesi, puna dhe shkolla. Rrezikohet shteti ligjor dhe vetë demokracia. Aleanca e politikës me krimin e organizuar rrezikon  t’i kthejë shqiptarët në qytetarë te robëruar të Europës. Ky rrezik është sot kërcënimi më i madh për Shqipërinë.

A do mund ta kthejnë këta Shqipërinë nga orientimi perëndimor në atë lindor? A do kenë sukses? Kjo varet nga ne. Nese nuk i vëmë kufijtë së keqes, rrezikojmë të na përsëritet.

Devijimi apo jo i Shqipërisë nga aksi i vlerave demokratike varet nga ne, qindra mijë shqiptarë që hodhëm përmendoren e diktatorit, nga të gjithë ne që për dekada punojmë ta bëjmë Shqipërinë si Europa, e në veçanti nga rinia shqiptare, drita europiane e syrit të kombit shqiptar.

Prandaj është e rëndësishmë të kujtojmë 20 shkurtin. 24 vjet më parë në hodhem përmendoren, sot duhet të ç’rrenjosim përgjithmonë rilindjen e modelit të diktaturës. Enver Hoxha dhe nipërit e tij politike,
manjakë abuzivë të pushtetit, nuk duhet të jenë pjesë e modeleve tona të qeverisjes.

Më shumë se kurrë duhet të besojmë sot në vlerat demokratike, të besojmë në fuqinë e  bashkimit të qytetarëve të lirë si në 20 shkurt 1991, të besojmë tek forca e shembullit që  kjo ngjarje ju përcjell brezave.

Sot është koha të hedhim tutje modelin hoxhist të idhtarëve të pushtetit absolut.

•sot është koha të luftojmë terrorin mbi shqiptarët;

•është koha të luftojmë kriminalizimin e politikës;

•është koha të luftojmë për të drejtat dhe liritë;

•është koha të punojmë për dinjitet dhe mirëqenie për çdo shqiptar.

•është koha ta çojmë Shqipërinë përfundimisht në Europë

Së bashku, të çlirojmë Shqipërinë nga e keqja, të kthejmë vendin në rrugën e zhvillimit.

Rroftë liria.

Zoti e bekoftë Shqipërinë.


Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në përkujtimin e 20 shkurtit 1991, 20 Shkurt 2015