Ajo që po kërkon këto ditë me paradat e tij të shplara propagandistike Edi Rama, është vota. E kishte harruar votën prej tetëmbëdhjetë muajsh por është kujtuar këto ditë, ndërsa po afrohet fushata e zgjedhjeve vendore. Në fakt ora e votës po afron. Ora e sovranit po afron.
Kjo do të jetë pa dyshimin më të vogël ora e gjykimit me votë për qeverinë e pabesive, mashtrimit dhe gënjeshtrës.
Edi Rama nuk ka shok në planet përsa i perket shkeljes së kontratës me zgjedhësit, shpërdorimit dhe dhunimit të votës me të cilën erdhi në qeveri.
Premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe e rriti atë. Askush s’e ka harruar, të gjithë e dinë, shumica dërmuese e vuajnë në kurriz.
Premtoi uljen e taksave dhe i ngriti ato në qiell. Askush s’e ka harruar, të gjithë shqiptarët paguajnë më shumë.
Premtoi shëndetësi falas dhe solli shëndetësinë e ilaçeve fallso si vetë politikën e tij. Të gjithë të sëmurët e vuajnë në trupin e tyre, të gjitha familjet e vuajnë në buxhetin e tyre.
Premtoi legalizime falas dhe i hëngri fjalët sa mori votën.
U përbetua me zë të lartë se edhe Enver Hoxha po të ngrihej nga varri nuk i shembte shtëpitë e qytetarëve. Askush s’e ka harruar, të gjithë e panë se u ngrit vetë në vend të Enver Hoxhës dhe rrafshoi qindra mijë shtëpi në proces apo në pritje të legalizimit, kursimet e jetës së mijëra shqiptarëve.
Premtoi treqind mijë vende të reja pune dhe ka mbyllur me mijëra me politikat e tij mbytëse për sipërmarjen e lirë. Askush s’e ka harruar, të gjithë mund t’i bëjnë vetë llogaritë.
Premtoi uljen e informalitetit në ekonomi dhe e ka dyfishuar atë. Të gjithë po shohin se me taksa dhe akciza të rritura këta mbledhin me pak të ardhura dhe kjo ka vetëm një shpjegim: kontrabandë, informalitet, korrupsion.
Premtoi përmirësim dhe solli vetëm përkeqësim në çdo sektor, në çdo fushë. Të gjithë e ndjejnë në xhepin e tyre, në pasigurinë e tyre.
Të nderuar deputetë,
Vëmendjen e Partisë Demokratike, të grupit tonë parlamentar dhe të opozitës në tërësi e kanë marrë me të drejtë ngjarjet e jashtëzakonshme të javëve të fundit – përmbytjet në Jug të vendit, vala e shpërthimeve me tritol në Tiranë, skandalet që s’kanë të reshtur në sektorin e energjitikës, në shëndetësi, gjendja ekonomike e rënduar e qytetarëve.
Në fakt është e pasaktë të flasim në Shqipërinë e sotme për ngjarje të jashtëzakonshme. Ato janë aq shumë dhe kaq të shpeshta sa, duke i parë të ndërthurura me skandalet, abuzivizmin, papërgjegjshmërinë dhe pashpirtësinë qeveritare, mund të flasim me plot gojën dhe bindje të thellë për gjendje emergjence kombëtare që nuk ka të bëjë vetëm me goditjet e motit të keq, por me qeverine e dështuar, me situatën e shthurur dhe jashtë kontrollit të rendit publik dhe sigurisë në vend, me krizën e thellë ekonomike, me varfërinë mbytëse, me shtrëngimin e lakut për qytetarët, fermerët dhe për sipërmarrjen.
Ka keq e me keq. Kjo shprehje e padëshirueshme është kthyer në sentencën e përditshme në fushën e rendit dhe sigurisë. Shpërthimet me tritol në mes të Tiranës, akoma pa autorë, akti i rëndë i rrëmbimit të personit në Fushë-Krujë, pa autorë gjithashtu, u pasuan menjeherë me grabitje banke në mes të ditës në Tiranë, grabitje me maska në Shkodër, grabitje me maska në Vlorë, tonelata droge që qarkullojnë në Shqipëri e përmes pikave tona kufitare drejt Europës. Grabitje biznesesh, dhunë dhe vjedhje.
Krimi i shumëzon me zero sukseset imagjinare të qeverisë dhe njoftimet demagogjike për beteja të fituara kundër tij.
E ka marrë vesh gjithë Shqipëria se dhomat e paraburgimit dhe burgjet janë mbipopulluar me njerëz të thjeshtë, por bandat e krimit të organizuar shëtisin lirisht, bëjnë ligjin, sulmojnë kur duan, pushojnë kur duan, për të filluar përsëri aktivitetet e tyre, sulmet e tyre tronditëse kundër ligjit, kundër qytetarëve e pronës së tyre. S’duan t’ia dinë fare a ka polici, a ka qeveri, a ka shtet.
Ç’të mbjellësh do të korrësh, thotë një fjalë e urtë. Kështu e ndërtuan që në fillim zotërinjtë e vetquajtur rilindas projektin e tyre për rendin dhe sigurinë, kështu e vazhduan dhe kështu po e vazhdojnë: duke u rrahur shpatullat individëve me rekorde kriminale dhe kontigjenteve të krimit, duke bërë pazare me ta, duke i promovuar në Kuvend dhe në poste të rëndësishme.
Harruan se, të keqes, po i dhe dorën, të merr krahun. Krimi i ka marrë anën kësaj qeverie. Sot, po të shohim me vëmendje statistikat, nuk është çudi të konstatojmë se në qeverinë Rama-Meta ka më shumë individë me rekorde kriminale në poste zyrtare, sesa ka, të arrestuar nga kjo kategori gjatë qeverisjes se tyre.
Lulëzon krimi i organizuar, por nuk mbetet prapa kriminaliteti që u nxin jetën njerëzve të thjeshtë. Në mbarë vendin në fshatra e qytete ka pllakosur një valë vjedhjesh nga gjëja e gjallë, tek makinat e banesat. Sot kërkesave të qytetarëve për të drejta ekonomike, u ka paraprirë kërkesa emergjente e legjitime për rend e siguri.
Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë katandisje pa precedent të rendit publik. Ne kemi denoncuar e do të vazhdojmë të denoncojmë me forcë shkaqet themelore të kësaj situate. Por nuk do të mjaftohemi me kaq.
Bashkë me shqiptarët që jetojnë në akthin e pasigurisë së jetës dhe pronës, bashkë me shoqërinë civile që nuk mund të pajtohet me ngritjen e krimit në pushtet, kërkojmë e do të kërkojmë me forcë largimin e shpejtë dhe me çdo kusht nga qeveria dhe qeverisja e vendit të zyrtarëve të lartë që janë në ortakëri me krimin e organizuar, me bandat dhe bandidët që terrorizojnë dhe plaçkisin vendin. Kjo është rruga tani për tani për të sjellë një ndryshim sado të vogël në fushën e rendit dhe sigurisë.
Por kjo qeveri nuk e lufton dot krimin. Nuk kemi më iluzione për këtë. Besojmë se as qytetarët nuk kanë më iluzione. Zgjidhja përfundimtare është largimi i saj. Ky është një mision i opozitës që do të synojmë ta përmbushim dhe do ta përmbushim bashkë me qytetarët e lirë shqiptarë.
Një problem tjetër madhor që po mblidhet si lak nga dita në ditë dhe po u merr frymën çdo ditë e me shumë qytetarëve është ai i energjisë. Edi Rama i ka gënjyer dhe përqeshur qytetarët duke rritur me 25 përqind çmimin e energjisë elektrike, ndërsa kishte premtuar solemnisht në dorovitjet elektorale, uljen e çmimit. I ka mashtruar dhe sfiduar duke detyruar mijëra familje të paguajnë fatura abuzive e me kamatë për një detyrim të shpallur të paligjshëm nga ERE që në vitin 2011. I ka poshtëruar, duke u treguar e duke u dhënë burgun, për kundravajtje që nuk e përligjin këtë masë ekstreme.
Në gjithë kontinentin dhe në vendet e rajonit shohim përpjekje dhe vendime kurajoze të qeverive për të lehtësuar e ndihmuar me politika njerëzit në nevojë në lidhje me pagesat e energjisë elektrike dhe detyrimet e tjera. Vetëm kjo qeveri mburret se ka kapur dajakun kundër njerëzve me halle, ndërsa puthet me krimin e organizuar.
Edi Rama ka sfiduar edhe mesazhin e protestës masive popullore së 22 nëntorit që i kërkoi me forcë të mos rriste çmimin e energjisë elektrike. Ja pra; qeveria dhe kryeministri i hodhën dorashkat e tyre të sfidës ndaj kësaj kërkese të drejtë popullore, ndaj qytetarëve.
Tani është radha jonë, është radha e qytetarëve të përgjigjemi. Dhe do të përgjigjemi. Në rast se me 22 nëntor ishim shumë, në protestën e radhës mbarëpopullore duhet të jemi dyfish, trefish më shumë. Vetëm prania mbarëpopullore në protestë do të japë mesazhin e mospranimit, do të japë mesazhin e uljes së çmimit të energjisë si zgjidhje, do të japë mesazhin e bashkimit, në një zë të vetëm, për çdo kërkesë tjetër të drejtë të qytetarëve, për çdo të drejtë të nëpërkëmbur dhe shpërfillur nga kjo qeveri.
Përmbytjet ishin një fatkeqësi e madhe që vazhdon të mbetet e tillë me pasojat e shkaktuara për banorët e komunave të përmbytura.
Vështirë se do të harrojnë fermerët e zonave të përmbytura dhe të mbarë vendit, se ky kryeministër nuk shpalli gjendjen e emergjencës me justifikimin se nuk është e nevojshme, duke nëvlerësuar kësisoj me kokfortësi, deri në fund, përmasat e përmbytjes dhe duke privuar kështu deri në fund të dëmtuarit, nga përfitimet ligjore që fut menjeherë në veprim shpallja e gjendjes së emergjencës.
Kjo qeveri dhe ky kryeministër i mbajti mbyllur të gjithë rrubinetat që hapen në raste të tilla për të mbështetur njerëzit në fatkeqësi. Këta i rrisin dhe i mbledhin taksat duke thënë “jemi shteti”, “jemi qeveria”, por kur vjen puna për të ndihmuar të përmbyturit sillen sikur nuk janë qeveria, sikur nuk janë struktura e një shteti që e ka për detyrë t’u vijë në ndihmë, por një organizatë e keqe joqeveritare që gjithçka e bën për propagandë, për t’u dukur.
T’i gëzojnë delet, t’i gëzojnë frigoriferët dhe lavatriçet ata që po i marrin për të zevendësuar të mbyturat e të prishurat nga vërshimi. Ne kemi bërë thirrje për solidaritet, vetë kemi dhënë e po japim shembullin tonë me njerëzit tanë. Por, kur bën sikur po i jep kryeministri, duhet të ketë trasparencë për publikun. Kush i ka dhënë, kush po i jep? T’i jemi mirënjohës atij që i jep dhe ta dimë të gjithë se po i jep me zemër.
Një kryeministër normal nuk e fsheh autorësinë e sipërmarrësve që ofrojnë ndihma, nuk hiqet sikur ka shpikur dele apo lavatriçe duke fërkuar mollëzat e gishtave. Ndihmat regjistrohen, ndihmat jepen nga subjektet, ndihmat u jepen banorëve, dhe jo kryeministrit. E kundërta ka ndodhur me shfaqjet televizive të dhurimit të ndihmave që ka organizuar Rama me shpurën e tij. Kjo ngre dyshime për bonuse që mund të kërkojnë nga kryeministri dhe qeveria, këta bamirës anonimë.
Shteti ligjor, shteti normal, nuk fuksionon kështu, me shfaqje propagandistike dhe për shfaqje propagandistike. Ndihmat dhe zhdëmtimi i dëmeve duhet të bëhen me seriozitet, pa diferencime, njëlloj për të gjithë, në bazë të llogaritjes të nevojave dhe dëmeve. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj. Të bëjë publike nëse ka vënë, dhe sa fonde ka vënë, në dispozicion e jo të fshihet pas shfaqjeve me keca të dhuruar nga të tjerët.
Ajo që po kërkon këto ditë me paradat e tij të shplara propagandistike Edi Rama, është vota. Po, po kërkon votën e qytetarëve. E kishte harruar votën prej tetëmbëdhjetë muajsh por është kujtuar këto ditë, ndërsa po afrohet fushata e zgjedhjeve vendore.
Në fakt ora e votës po afron.
Ora e sovranit po afron.
Kjo do të jetë pa dyshimin më të vogël ora e gjykimit me votë për qeverinë e pabesive, mashtrimit dhe gënjeshtrës.
Edi Rama nuk ka shok në planet përsa i perket shkeljes së kontratës me zgjedhësit, shpërdorimit dhe dhunimit të votës me të cilën erdhi në qeveri.
Premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe e rriti atë. Askush s’e ka harruar, të gjithë e dinë, shumica dërmuese e vuajnë në kurriz.
Premtoi uljen e taksave dhe i ngriti ato në qiell. Askush s’e ka harruar, të gjithë shqiptarët paguajnë më shumë.
Premtoi shëndetësi falas dhe solli shëndetësinë e ilaçeve fallso si vetë politikën e tij. Të gjithë të sëmurët e vuajnë në trupin e tyre, të gjitha familjet e vuajnë në buxhetin e tyre.
Premtoi legalizime falas dhe i hëngri fjalët sa mori votën.
U përbetua me zë të lartë se edhe Enver Hoxha po të ngrihej nga varri nuk i shembte shtëpitë e qytetarëve. Askush s’e ka harruar, të gjithë e panë se u ngrit vetë në vend të Enver Hoxhës dhe rrafshoi qindra mijë shtëpi në proces apo në pritje të legalizimit, kursimet e jetës së mijëra shqiptarëve.
Premtoi treqind mijë vende të reja pune dhe ka mbyllur me mijëra me politikat e tij mbytëse për sipërmarjen e lirë. Askush s’e ka harruar, të gjithë mund t’i bëjnë vetë llogaritë.
Premtoi uljen e informalitetit në ekonomi dhe e ka dyfishuar atë. Të gjithë po shohin se me taksa dhe akciza të rritura këta mbledhin me pak të ardhura dhe kjo ka vetëm një shpjegim: kontrabandë, informalitet, korrupsion.
Premtoi përmirësim dhe solli vetëm përkeqësim në çdo sektor, në çdo fushë. Të gjithë e ndjejnë në xhepin e tyre, në pasigurinë e tyre.
Çdo gjë në rrokullisje, çdo gjë në vyshkje, lulëzon vetëm propaganda dhe demagogjia. Me propagandë dhe demagogji erdhi në pushtet. Me propagandë dhe demagogji po qeveris. Me propagandë dhe demagogji mendon të mashtrojë përsëri shqiptarët.
Ora e së vertetës po afron.
Kjo do të jetë ora e qytetarëve, ora e zgjedhësve që do të vendosin me votë nëse e pranojnë apo e refuzojnë modelin e premtim-mashtrimeve të Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Ne, opozita, e presim me shpresë dhe besim të madh orën e votës, orën e të vertetës. Ne kemi bindjen se përgjigja e zgjedhësve shqiptarë do të jetë një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend nga qeveria Rama-Meta; një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend, mashtruesve dhe gënjeshtarëve.
Kjo përgjigje do të vijë jo vetëm nga zgjedhësit opozitarë, jo vetëm nga zgjedhësit e moderuar apo të lirë që mund të kenë votuar koalicionin e majtë në zgjedhjet e kaluara, por edhe nga një numër shumë i madh zgjedhësish të majtë që me siguri kanë pyetur e pyesin veten: për këtë qeveri votuam, për të shtrënguar zgjedhën në qafën e qytetarëve, për t’u shembur shtëpitë e mundit dhe gjakut njerëve të ndershëm, për t’i dhënë status të privilegjuar kontigjenteve të krimit, për t’i bërë rrush e kumbulla paratë e publikut, për të pasuruar një grusht oligarkësh dhe klientelën e tyre të ngushtë! Për këtë votuam?
Por të nderuar deputetë, duke njohur pakënaqësinë e madhe të publikut me këtë qeveri, e dimë se midis pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe besimit ndaj opozitës, qëndron një mrekulli pune e përpjekjesh reflektuese, reformuese dhe rinovuese nga ana jonë.
Ndaj për ne Nisja e Re, me gjithçka ajo përmban e nënkupton, pikësëpari me të jetuarit përditë me realitetin e gjallë të njerëzve, dhe reflektimin e halleve, problemeve dhe shpresave të tyre, në propozimet dhe politikat tona, është projekt dhe sfidë e dorës së parë që mund dhe duhet ta fitojmë vetëm me qytetarët, dhe për qytetarët e këtij vendi.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 18 Shkurt 2015