Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Belgjikës, z. Didier Reynders.

Basha e njohu z.Reynders me zhvillimet në vend, dhe i shprehu shqetësimin për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të ecur përpara me zbatimin konkret të marrëveshjes për dekriminalizimin, një akt që u arrit përmes ndërmjetësimit energjik të partnerëve europianë. Shtyrja e ngritjes së komisionit po vë në rrezik marrëveshjen, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike i tha kryediplomatit belg se shqetësuese për qytetarët e vendit janë dhe rritja galopante e kriminalitetit, e pasigurisë së jetës dhe e trafiqeve të drogës, cka përbën një kthim prapa pas shumë viteve pune të bëra për ta larguar Shqipërinë nga harta e narkotrafikut.

Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet cdo nismë në favor të integrimit europian të vendit, nënvizoi kryetari i opozitës, por  qeveria po bën hapa pas, po zhbën standartet e arritura, po dhunon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, po minon sundimin e ligjit, dhe po kap drejtësinë me masa të njëanshme, shumë larg reformave europiane me gjithpërfshirje e konsulencë të partnerëve ndërkombëtarë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Shkurt 2015