Zonja deputete/ zotërinj deputetë,
Zoti kryesues i seancës,
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Këtu para meje dëgjuat një ligjëratë prej 1 orë e 45 minuta, të atij që tani në popull po e thërrasin rëndom “halla” e “Njeriut me Top” apo “hallë Esmaja” që niste dhe si pushonte goja pa ditur se çfarë thoshte. Por këto i zgjidh me Dritëroin ai.
Unë do kthehem tek problemet tona. Vendin e kanë pllakosur probleme të mëdha! Dy janë më të mprehtat! Pa diskutim, krimi dhe përmbytja!
Krimi, po pushton çdo javë horizonte të reja. Goditja e tij dy ditë më parë, e kam thënë dhe po them prapë, ishte tritoli në zarf për Ministrin e Brendshëm, ishte tritoli në zarf për Ministrin e Brendshëm dhe kjo është një gjë shumë e keqe, për opozitën, për pozitën dhe për gjithë vendin. Kjo është një gjë e papranueshme dhe e dënueshme. një gjë që ska ndodhur në asnjë nga kohërat e përparme. Nuk ndodhi në kohën kur Spartak Poçi, që siç e dini për hir të së vërtetës goditi bandat dhe sot ecën i lirë në rrugët e qytetit. Nuk ndodhi me të ndjerin Sokol Olldashi, i cili siç e dini çmontoi mbi 200 e ca banda dhe grupe. Por kjo ndodhi tani dhe ndodhi në mënyrën më të egër.
Krimineli që kreu aktin para kamerave, apo kriminelët, dëshmuan se ata mund të godasin ku të duan. Dëshmuan se ata janë në gjendje të projektojnë akte kriminale në seri njëri pas tjetrit, dëshmuan se ata mund t’i kryejnë me preçizion ato akte. Zgjodhën ministrin për t’i vënë plumbin në zarf, por jo plumb, por tritol, zgjodhën shefin e Policisë për t’i thënë që ne po të duam i godasim shefat e Policisë. Dhe kjo përbën një ngjarje shumë të rëndë për vendin. Por siç kam theksuar, më vjen keq të citoj veten, në një farë mënyre të hidhur këto janë paralajmërime të krimit për qeverinë; se ke kalur vijën kuqe. Ku e ka kaluar qeveria vijën e kuqe? Prisni! Unë them më mirë dëgjoni. Unë jam i bindur që Edi Rama çdo gjë në botë të bëjë, por mësim nuk nxjerr. Unë i them këto këtu për të bërë detyrën time por unë nuk i them këto kurrë që ai të mund nxjerrë mësimin më të vogël. Jo por bëj detyrën time ndaj vendit dhe e qytetarëve.
Le të kthehemi pak tek ngjarjet e mëdha të këtyre kohëve të fundit. “Hakmarrja për Drejtësi” u shfaq më e fuqishme se kurrë, dhe ata që s’guxojnë t’i përmëndin emrin tregojnë se ajo u ka fut frikën deri në palcë. Ua them unë ju, me dosje, dokumenta e të gjitha se Gentjan Gjonaj ka qenë një nga eksponentët më kryesorë, më të rrezikshëm të bandës. A jeni ju o socialistë, a është minstri juaj që u mor me këtë bandë, për hir të së vërtetës, a është ministri juaj që Neritan Nallbatin e nxorri nga shërbimi policor si bashkëpunëtor të bandës. A jeni ju ata që e çuat Neritan Nallbatin në Elbasan, pikërisht aty ku donte banda, ku banda kishte folenë. A e dini ju që Vilson Bala, Shefi i Komisariatit të Elbasanit, disa ditë para ardhjes së urdhër arrestit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e arrestoi Kelmend Dalipin bashkë me një që kishin në shoqëri, i cili quhet Abaz Lala, se në komunikatë në FB kam përdorur iniciale jo të sakta me qëllim, e arrestuan tek fabrika e kokainës, sepse e përpunonte kokainën duke vjedhur energjinë. Por çfarë ndodhi? Brenda gjysmë ore erdhi urdhëri nga lart “të lirohet urgjentisht Klement Dalipi”.
Çfarë ndodhi tek rruga e Kavajës? Përpjekjet më primitive, më të turpshme të qeverisë për të nxjerrë të larë Emilin e Paritsë, për të nxjerrë Shullazin të paimplikuar mbi atë terror që u ushtrua mbi qytetin, sepse respekti nuk është për qytetin dhe qytetarin, respekti është për Shullazin dhe “shullazarët”.
Atëherë çfarë ishte tritoli në zarf?
Tritoli në zarf ishte pikërisht për t’i thënë se guxuat të na prekni aty ku na kishit dhënë garanci. Në fakt ata i preku Prokuroria e Krimeve të Rënda, sepse Policia i kishte në patronazh të plotë.
E dyta, ishte mesazh për të thënë se mirë ne na arrestuat, por janë nja 13 të pa arrestuar, ndaj mos guxoni t’i prekni.
Pra, çfarë u ndodhi me Vilunin? Këtu në këtë sallë i jam drejtuar këtij që nuk dua t’i drejtohem, por prapë është ministër, dhe unë s’mund të them kurrë që krimi të godasë një ministër, por mos u bëj zëdhënës i një bande kundër një bande tjetër. Bandat një fytyrë kanë. Bandat një destinacion duhet të kenë. Ai është igji. Por ju u tregoni ligjin qytetarëve të thjeshtë dhe mirë bëni s’jam kundër, por që arrestoni pa motiv dhe që keni arrestuar apo ndaluar 38.000 qytetarë. Nuk e besojnë njerëzit por është statistikë e Policisë kjo që them une, jo e imja. Merreni kërkojani drejtorit të Policisë, ne na e ka dhënë. 38 mijë, të nderuar zotërinj, të ndaluar dhe të arrestuar. Kërkojani drejtorit të Policisë, atë statistikë na kanë dhënë ata vetë dhe madje janë edhe më shumë sepse thonë në përgjigje se nuk mbajnë statistika për ata që i thërrasin dhe vijnë vet në komisariat. Po kriminelët? Kriminelët shëtisin. I marrin në telefon vetë këta.
Po përse kërkova tabulatet unë? Po kanë kilometra biseda me këta, me secilën bandë, dhe unë ua di mirë. Unë nuk e them kot këtu. Në mënyrë absolute nuk e them kot. Dhe për të më përgënjeshtruar mua le të dalin të nxjerrin tabulatet, unë u ofrova të nxjerrin tabulatet e mia, hajde të më përgjeshtrojnë dhe t’u thonë shqiptarëve shikoni sa gënjen ky. Por nuk e bëjnë dot këtë. Se bëjnë dot se e dinë mirë shumë. I dinë mirë shumë bisedat dhe kërcënimet që kanë marrë prej tyre, Nga i di unë? Mos kujtoni se mban sekret banditi, banditi s’ka sekret.
Ky është vetëm një stad. Sot, vendimin e merr krimi në Shqipëri.
Pra problemi është se, a do ecim në këtë mënyrë? Vazhdojmë po të doni! Ne shkojmë drejt një gremine të paimagjinueshme si shoqëri. Ndjehem jashtëzakonisht jo mirë kur çdo ditë partnerë të huaj më thonë: “Si është e mundur!” “Çfarë ndodh!” Këto janë realitete. Shkoni arrestoni bandat. Ju bëni luftë me njeri tjetrin. Arrestoni për të dytën herë Shpëtim Gjikën. Pse kujtoni ju se më dhimbset mua Shpëtim Gjika? Kurrë s’më dhimbset por ka një rregull. Ti e arrestove, i rendite të gjitha akuzat. Ore tjetrit mund t’i hapësh dhjetë çështje, nuk jam kundër, por mos përsërit të njëjtën praktikë të shëmtuar dhe shkon pastaj ta arrestosh. Absolutisht luftë brenda jush është. Pse do krijohen këto…
Erdhi përmbytja! Por është turp. Keni një listë. A e ndryshuat drejtorin aty? Të partisë aleate e keni, shkoni merrni të dhënat aty. Se thoni se nuk janë lënë fasulet. Po s’janë lënë fasulet janë lënë 30 mijë kilogram miell, janë lënë 5 mijë pako makarona, 5 mijë kg oriz..etj por edhe po nuk janë lënë fare, ripërtëritje, çështje buxheti. Si mund të akuzoni një buxhet të vitit 2013 në vitin 2015? Po që këtu kuptohet që ju nuk njihni as “abc”-në e buxhetit. Buxheti i vitit 2013 zerohet në fund të vitit me të gjitha rregullat. Buxhti i vitit 2014 planifikon
tjetër, 2015 tjetrin. Dhe u jepni qytetarëve, që i lini në mëshirë të fatit, u jepni buxhetin e 2013-tës. Qendrime të papërgjegjshme të bazuara kryekëput në mashtrime. Nëse doni, ju jeni deputetë mos dëgjoni mashtrimet e këtyre, shkoni dhe në qoftë se nuk u dalin, hajdeni thojeni këtu. Në vitin 2005 janë dhënë 44 milionë lekë, në vitin 2006 janë dhënë 339 milionë lek. Ne kemi përmbytje, kemi lumenj të rrëmbyeshëm, kemi kaskadën e Drinit dhe kompleksin ujor të Shkodrës që është unik në botë ndoshta. Në vitin 2007 janë dhënë 187 milionë lekë, në 2008 janë dhënë 603 milionë lekë, në vitin 2009 janë dhënë 224 milionë lekë, në 2010 janë dhënë 15 miliardë lekë, në vitin 2011 janë dhënë 43 miliardë lekë, në vitin 2013 janë dhënë123 milionë lekë. Këto janë të gjitha lëvizje me thesar, nuk janë asgjë jashtë thesarit.
Para se të tregojë përralla e të flasë si halla e “Njeriut me Top” e Dritëro Agollit më mirë të marrë shifrat sepse i ka të gjitha aty. Këto nuk sjellin asnjë ndihmë për këta që janë në hall, dhe janë në hall të madh, këta duhet të ndihmohen. Dhe fatmirësisht, duhet të falenderojmë Zotin që kjo nuk na ndodhi edhe në veri sepse do të kishte ndodh edhe më keq. Edhe më me vështirësi. Por këta përballohen, por jo me një lumë fjalësh, sharjesh, mashtrimesh, gënjeshtrash të padenja për një zyrtar siç ndodh këtu. Vjen këtu dhe përdor një fjalor, i cili është një fjalor ordiner. Ç’ke ti me opozitën, shkon dhe arreston atje eskponentë të opozitës, djemtë që po shpërndajnë çdo ditë, ato pak ndihma që arrijnë të mbledhin. Në vend që tu thuash faleminderit, ua bllokoni. Merrni videon. Shikojini se janë burra me thinja ata që të kanë bllokuar ty nuk janë të rinj. E kam unë videon, nuk të ka bllokuar Forumi ty.
I nderuar zoti kryesues i seancës,
Një problem tjetër tronditës është vdekja e një qytetareje nga ilaçet e rreme. Përsëri raportohet një vdekje. Kjo ka në origjinë kryekëput një urdhër antiligjor të ministrit të shëndetësisë për të lejuar importet aletrnative nga një grup mafioz i dënuar ndërkombëtarisht, i dënuar, i denoncuar edhe nga Food and Drug Administration, nga enti Amerikan i ilaçeve dhe ushqimeve. Kjo është një gjë shumë e rëndë.
Problemi është se kjo po shtrihet tek ilaçet e fëmijëve dhe nuk po them këtë kot, po e them mbi baza të dhënash të sigurta, që tani, ilaçet të importuara për fëmijë janë të paefektshme. Sa është ulur çmimi i këtyre ilaçeve? 5 %. Ja ku i kam çmimet këtu. Po 5 % të kalosh nga ilaçi në princip tek niseshteja dhe të vdesë tjetri, është krim i shëmtuar. I gjithë sistemi është transformuar në një rrjet të tmershëm mafioz. Do t’u jap një shembull të vogël. Është një Zhan Levani aty, vet është rregjistrues, të shoqen e ka në depo. Eshtë rast tipik. Ky zotëri porosit një ilaç në një firmë irlandeze, të cilin e merr në Jordani. Ilaçi është një psikotrop, shumë i domosdoshëm për ata që e marrin. Ilaçi dorëzohet në doganat shqiptare me 2.9 euro flakoni.
Natyrisht me rregullimin e çmimit shkon tek 4.6. A e dini sa e shet Zhan Levani së bashku me të shoqen e tij, e shet 29 euro ampulën. Janë të gjitha këtu. Dhe e shet akoma pa marrë vërtetimit nëse është efektiv apo jo nga laboratori, pra e shet me çmim të 8 fishtë dhe e shet pa marrë vërtetimin.
Të luash me ilaçet do të thotë të luash me jetët e njerëzve. Çdo njeri do të donte të merrte me çmime të ulëta ilaçet, çdo njeri e di se është rruga më e sigurtë për ti ul çmimet, por çon drejt vdekjes, ajo është rruga mafies, ajo nuk është rruga e ndimës së të sëmurëve, dhe kjo është kundër edhe vendimit të qeverisë suaj.
E kam këtu vendimin e qeverisë suaj! Por kur flet xhepi heshtin të gjitha ligjet. Kjo dosje, me një dëm prej 300 mijë dollarësh është mbajtur në Prokurori dy muaj. Nga kush thoni ju? Nga heroi i Partisë, prokuror Troci, dhe e ka mbyllur. Heroi i Partisë, prokuror Troci, që lëshon urdhër arreste për të njëjtën çështje për Shpëtim Gjikën në emër të Partisë, për Fullanin në emër të Partisë, kur vjen puna për ilaçin, i cili del në treg, në vend që të dalë me 4.6 euro shitet me 29 euro, ai është një kriminel për shoqërinë, është një hero për Partinë.
Pra, i bëj thirrje Prokurorisë që të shqyrtojë dosjen sepse nuk ka rast më flagrant në të gjitha aspektet se sa rasti që ka mbyllur prokurori i Partisë, prokuror Troci. Pra nuk po marrim sot dosjet e korrupsionit se më vonë kemi ligjin për Ushtrinë dhe ato janë të mëdha sa kjo sallë. Janë pjesë e krimit, sepse korrupsioni ëshë palca e krimit. Krimi gëlon për shkak të korrupsionit. Vendi është në një rrezik të jashtëzakonshëm nga krimi.
Paralajmërimi që mafia i bëri qeverisë është vija e kuqe, është ragimi i mafies ndaj vijës së kuqe, e cila konsiston në arrestimin me urdhër të prokurorit të gjysmës së grupit, se gjysma tjetër është e lirë. Së dyti, u gjet fabrika tjetër këtu, diku afër Durrësit. Unë i bëj thirrje Prokurorisë të bëjë hetime sepse në periferi të Vlorës ekziston mundësia që të ketë një fabrikë tjetër. Njerëzit flasin, siç flisnin kur u gjet e para se janë dhe dy të tjera.
51 kilogramë që vinin nga Turqia, se iku ai përfaqësuesi i grupit Gjura që isht këtu (Balla), po ato ishin destinacioni Librazhdi dhe Elbasani. Ua them këtu. Grup kryesor droge, i heroinës ka qenë grupi i Gjurës, që ne e çmontuam, me të cilin zotëria që foli këtu është i lidhur me dokumenta.
Shkoni merrni TIMS, sa herë e ka kaluar kufirin me Maqedoninë me Fatos Gjurën, merrni të dhënat dhe hajdeni, thoni Jo. I them sepse e ka kaluar kufirin. Eshtë e sigurtë. Filloi tani kanali tjetër i kokainës. Shqipërinë po e ha droga dhe shqiptarët kanë vetëm një rrugëdalje nga kjo situatë e tmerrshme, janë zgjedhjet e parakohshme.